Marsi i festave dhe i datave të lavdisë në Kosovë

Shqiptarët e Kosovës kanë nisur , si çdo vjet tjetër, muajin mars duke qëndruar gatitu në Prekazin e historisë më të re të kombit tonë. Ata i janë përkulur shembullit madhor të sakrificës sublime për kombin, lirinë dhe atdheun. Në Prekaz janë gjendur përfaqësues të institucioneve më të larta shtetërore për të kujtuar se pikërisht në këtë vend ka nisur të shkruhet historia e re për këtë truall të lashtë shqiptar. Njëjtë si në Prekazin e historisë janë zhvilluar aktivitete përkujtuese edhe në të gjitha qytetet dhe vendbanimet tjera të Kosovës. Populli ka qëndruar gatitur në shenjë respekti për luftën e madhe heroike të trimave të lirisë, që i ishin përgjigjur thirrjes së Drenicës heroike për luftën e madhe në emër të lirisë dhe atdheut. I nisur me programe kulturore e homazhe në shumë vende të betejave të lavdisë, Manifestimi në përkujtim të sakrificës sublime për lirinë e atdheut është parë edhe në rrugët e qytetet e fshatrave. Rinia shqiptare e Kosovës duke bartur fanella me mbishkrimin “Bac u krye” i ka dërguar edhe një herë mesazhin shpirtëror familjes Jashari në Prekaz dhe gjithë familjeve që kanë dhënë bijtë më të mirë për lirinë e atdheut se angazhimet dhe rrugëtimet nëpër shekuj të atdhetarëve për të arritur deri këtu kanë marrë fund dhe se kjo rini po merr forcë e energji të re që me mendje të ndritura e me angazhime sublime të bëj realitet atë angazhimin e betimin sublim të luftëtarëve të lirisë dhe veprimtarëve të shumtë për të arritur deri të realizimi i ëndrrës sublime për bashkimin kombëtar.
Festa është bërë edhe më madhështore falë zellit e elanit të rinisë shqiptare të Kosovës. Më shumë se 400.000 nxënës nga shkollat fillore e të mesme të Kosovës i kanë kthyer orët e para të mësimit në orë të mëdha të historisë dhe kanë shpalosur bashkë me mësuesit e tyre fletë të lavdishme të historisë për t’i kënduar zëshëm komandantit legjendar Adem Jashari dhe gjithë trimave të tjerë të lirisë. Ata pastaj kanë shfaqur programe të bukura artistike me fragmente të lavdisë. Ishin kështu shkollarët e Kosovës që i qëndruan gatitur kujtimit për luftën e madhe të UÇK-së. Ata në këtë fillim të marsit kanë organizuar aktivitetet të shumta edhe në shenjë të respektit për ditën e madhe të shkollës shqipe.
Valo lirshëm flamuri ynë krenar ,
I gëzofsh festat se i ke hak,
I Bukur je me shqiponjën simbol kombëtar,
Me këtë ngjyrë të kuqe gjak.

Në nëntorin e tretë Prekazi të priti,
me krenari e trimëri Adem Jashari të ngriti,
Ti shkrove lavdinë bashkë me legjendarin,
E lartësuat Kosovën, lirinë, shqiptarin.
Ishin këto vargje që janë dëgjuar në festën modeste të hapjes së zyrës së Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”. Veprimtarja e kësaj Shoqate , Qëndresa Jashari, nuk po fshehte krenarinë që ka mbiemrin e komandantit legjendar dhe pse po i takonte kësaj Shoqate që është duke zhvilluar aktivitet për të bashkuar në një këngë, poezi e në një sofër vëllezër e motra nga të gjitha trojet etnike. Kjo Shoqatë është bërë pjesë e angazhimeve të shumta në Kosovë për të shënuar e kremtuar festat e datat që sjell marsi në Kosovë. Shqiptarët e këtij trualli kanë uruar që edhe vëllezërit e tyre kudo janë të jenë pjesë e festave dhe të gëzojnë paqe, liri e gjithë të drejtat e tyre.
Fillimi i marsit me festat e datat e tij është shënuar në mënyrë dinjitoze në Kosovë dhe kështu do të jetë për jetë e mot.

Rrahman Jasharaj

KOMENTOJE