LQSHA e shqetësuar për shqiptarët në Maqedoni

Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane me anë të një raporti të posaçëm do të njoftojë administratën e re amerikane për zhvillimet në Maqedoni, pozitën e shqiptarëve dhe zvarritjet që po i bëhen procesit të evrointegrimeve të këtij vendi

Lajmet e këqija që vijnë për gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni, mosmarrja e ftesës për anëtarësim në NATO dhe tendencat për sllavizmin e vendbanimeve ku dominon edhe popullsia shqiptare siç është Shkupi janë shqetësimet e fundit të Ligës Qytetare Shqiptaro – Amerikane (LQSHA) të udhëhequr nga ish-kongresisti shqiptaroamerikan Xhozef Diogardi.

LQSHA e shqetësuar nga kjo gjendje dhe nga skenarë të mundshme të tjera për njollosjen e shqiptarëve në Maqedoni por edhe më gjerë në rajon, po përgatit një raport të posaçëm për të njoftuar administratën e re amerikane. Shpalosja e kësaj gjendje u bë në një takim të LQSHA-së të zhvilluar pardje në Nju Xhersi, ku u shqyrtuan zhvillimet në rajonin e Ballkanit, me theks të veçantë situata në Maqedoni dhe Luginën e Preshevës. Ish-kongresisti dhe presidenti i LQSHA-së, Xhozef Diogardi ka theksuar se me kujdes të veçantë po i ndjekin zgjedhjet në Maqedoni që do të mbahen më 22 mars.
“Duke vijuar se nuk përkrahim asnjë parti, kërkojmë që atje të mbahen zgjedhje të ndershme, të lira dhe demokratike, pa asnjë problem. Zgjedhjet në Maqedoni do të jenë edhe një provim i mirë, për të kaluar ose ngelur Maqedoninë, për të fituar të drejtën e ftesës së humbur për anëtarësim në NATO”, ka theksuar ish-kongresisti shqiptaroamerikan. Duke folur për Kosovën, Diogardi u tregua mjaft kritik ndaj Qeverisë aktuale, që sipas tij, nuk po bën aq sa duhet në planin e njohjeve.

Ai është shprehur se LQSHA do të nisë një mision për të rritur numrin e njohjeve, nëpërmjet takimeve me ambasadorë të vendeve anëtare të OKB-së në selinë në Nju Jork. Shirli Kloes Diogardi, këshilltare për Çështjet e Ballkanit në Lidhjen Qytetare Shqiptaro-Amerikane theksoi se Serbia po zhvillon një spastrim të heshtur etnik në Luginën e Preshevës, Medvegjë dhe Bujanoc.
Ajo thotë se rasti më flagrant është arrestimi në dhjetor të vitit të kaluar i 10 shqiptarëve të cilët Beogradi i ka portretizuar si kriminelë lufte. Shirli Kloes DiGuardi njoftoi se është në përgatitje e sipër një raport i gjërë dhe i detajuar ku do të përfshihen çështjet dhe problemet e shqiptarëve në Maqedoni, por edhe në Luginën e Preshevës e Mal të Zi.
Sami Jonuzi, anëtarë i lartë i LQSHA-së ka deklaruar se janë duke ndjekur me vëmendje zhvillimet më të fundit në Maqedoni. “Humbja e shansit të Maqedonisë për pranimin e ftesës së saj në NATO, e ka dëmtuar shumë këtë vend. Nga kjo më shumë kemi pësuar ne shqiptarët, andaj do t`i bëjmë thirrje Qeverisë amerikane që të ushtrojë presion ndaj të dyja palëve që të arrihet zgjidhje për emrin me ndërmjetësimin e diplomatit Metju Nimic”, ka theksuar Sami Jonuzi, me origjinë nga Maqedonia.

BEQIR SINA, New York

KOMENTOJE