Ta lëmë të qetë këtyre ditëve Malësinë

Marset në historinë e shqiptarëve kudo janë ata kanë shënuar momente e data me rëndësi. Ky muaj sikur ka provokuar me dhembje e me detyra të rënda kombin tonë. Ky mars po provokon , herë në heshtje e here bukur zëshëm, edhe Malësinë. Ajo gjendet para sfidave të mëdha dhe në cilëndo shtëpi atje nuk pushojnë bisedat deri natën vonë se si e çfarë duhet bërë në këtë muaj kur po pritën zgjedhjet. Ne vëllezërit e tyre nga jashtë po vrojtojmë dhe me ca shkrime jemi munduar të kontribuojmë për Malësinë, por është momenti kur duhet t’i pushojmë penat dhe ta lëmë të qetë Malësinë sepse ka momente kur edhe fjala prej vëllait më të dashur lëndon dhe keqkuptohet.

Malësia ka njerëz të pendës e të mendjes. Ka njerëz edhe të këngës e të burrërisë. Malësia e tëra është vend burrie, mikpritjeje e mburojë e zakoneve e traditave shqiptare. Malësia le të jetë e qetë e le të mendojë vetë se kujt do t’i hedh votën në emër të ardhmërisë më të mirë për ato yllka e fatosa që po rriten te vendet e ngjarjeve krenare për kombin.

Edhe unë, si vëlla i tyre, kam shkruar shpesh në mediat e Kosovës e pastaj edhe në malësia.org . Ka momente kur nuk ia kam qëlluar, por gjithmonë kam pasur qëllimin e vetëm që të kontribuoj në angazhimet intelektuale për bashkim e unitet. Edhe në këtë shkrim kam qëllimin e njëjtë , por duke e parë e duke e kuptuar se në momente të ndjeshme njeriu mund të keqkuptohet , vendosa të apeloj që ne qe nuk jetojmë fizikisht në Malësi, t’i lëmë atë truall dhe vëllezërit tonë atje, të qetë dhe të lutemi që atyre t’u gjendet pranë mëshira e Zotit dhe fryma e unitetit. Si gazetar i malësia.org, jam i privilegjuar , por edhe i ngarkuar me një detyrë të rëndë nga të gjithë anëtarët e Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë- Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”, që atë ndjenjën më fisnike e më vëllazërore për Malësinë ta shpreh në këtë shkrim përmes vargjeve. Unë e kreva detyrën time prej gazetarit të malësia.org dhe prej zëdhënësit të Shoqatës dhe po ua dërgoj si dhuratë modeste këto vargje Malësisë dhe gjithë lexuesve tanë . Janë këto vargje nga zemra ime dhe me lejen e malësia.org, cilido këngëtar në Malësi mund t’i përdor për të bërë ndonjë këngë. Ky do të ishte një nder i madh edhe për mua. Malësi të priftë e mbara. Dëgjoj këto vargje se nga zemra ime u punuan për Ty.

Mbahu Malësi, vend trimërie
Dhembjet Malësi t’i kam kuptuar,
Nëna e motra t’kanë harruar,
Sa herë keq kanë qenë ato,
Kurrë Malësi nuk u the JO.

N’gojë të ujkut ti qëndrove ,
Bukë e kripë vëllezërve u shtrove,
Ua ruajte nderin si prej motit,
Oj Malësi e Kastriotit.

Kudo ishte brohorite,
Herë Kosovë e herë Shqipëri,
Oj Malësi e Dedë Gjo Lulit,
Je një truall plot krenari.

Qëndruat burra, dhatë çka patët,
Ndaj hakmerret bisha nga Karpatet,
Prandaj turret ajo drejt Tuzit
E po bën me gisht prej Shpuzit.

Mbahu Malësi vend trimërie,
Loti e vaji nuk të kanë hije ,
Vend më të bukur se ti s’ka
MOS LEJO KURRË ME U PËRÇA.

Nënës e motrës t’u tregosh,
Se me Ty janë korit,
Se pa ty, pa malësorët trima
nuk do ta gëzonin këtë ditë.

Rrahman Jasharaj

KOMENTOJE