Bëhen të ditura koalicionet dhe partitë që do të garojnë në njësinë e veçantë zgjedhore me shumicë shqiptare

1. Çfarë prisni nga këto zgjedhje parlamentare?
2. Pse duhet t’Ju votojnë shqiptarët?
3. Cila është përparësia Juaj në krahasim me bartësit e listave të tjera për deputetë që garojnë në njësinë zgjedhore me shumicë shqiptare?

Genci Nimanbegu, bartës i Listës për deputetë i FORCA-s – Nazif Cungu

1. Ne në këto zgjedhje parlamentare presim që votuesi shqiptar të jetë ndërgjegjësuar dhe ta ketë kuptuar mirë që partitë politike shqiptare që kanë pasur pushtet deri tani janë provuar tashmë, janë shterruar dhe e kanë dëshmuar mjaft herë që nuk janë të afta t’i japin përgjigje elektoratit dhe të përmirësojnë gjendjen e popullsisë. Ato janë shterruar dhe nuk janë rigjeneruar prej kohësh, janë bërë pronë private e liderëve të tyre, nuk kanë demokraci të brendshme dhe nuk prodhojnë asnjë platformë apo program për të zgjidhur çështjet që kanë rëndësi për shqiptarët. Ne mendojmë se këto janë zgjedhjet e ndryshimit dhe se votuesi kërkon rotacionin duke na dhënë neve të Forcës shansin që të provohemi me përgjegjësi.
Forca e Re Demokratike gjatë kësaj periudhe është forcuar edhe më tej, ka zgjeruar ndjeshëm anëtarësinë edhe pse nuk kemi qenë në pushtet e nuk kemi futur njerëz në punë apo nuk kemi dhënë tendera sikurse bëjnë partitë e tjera për të marrë mbështetje publike.
Prandaj këto zgjedhje do të vërtetojnë se e drejta, ideali, cilësia ka për të triumfuar.

2. Unë besoj se ne përfaqësojmë më mirë interesat e shqiptarëve, nuk kemi bërë ndonjëherë kompromis me pushtetin në kurriz të interesit të votuesve. Ne jo vetëm kemi integritet e nuk jemi përlyer, por kemi në parti kuadro të shquar, të cilët e kanë dëshmuar veten si profesionistë të zotë në fushat e tyre dhe politikën nuk e kanë zanat të tyre të parë, mund ta sigurojnë jetën edhe pa të. Ata nuk e shohin politikën si mundësi për ta mjelur dhe shfrytëzuar, por e shohin si vokacion, si një mision, si një mjet të domosdoshëm për të siguruar një të ardhme më të mirë për fëmijët. Gjithashtu Forca ka anëtarësi të larmishme duke patur njerëz nga shoqëria civile, bota e biznesit, bota akademike e mbi të gjitha shumë të rinj, me energji dhe entuziazëm. Anëtarët tanë janë të të gjitha krahinave dhe përkatësive fetare dhe ne funksionojmë me demokraci të brendshme e jo si të tjerët. Por mbi të gjitha unë mendoj se shqiptarët duhet ta votojnë Forcën sepse ne nuk kemi vetëm vullnetin e mirë, integritetin dhe ndershmërinë, si dhe kuadrot e aftë për të qeverisur më mirë, por edhe sepse ne kemi vizion, kemi platformë dhe projekt të qartë me ide dhe veprime për të përmirësuar gjendjen e shqiptarëve këtu.

3. Përparësia ime ndaj të tjerëve është se unë nuk vij këtu thjesht si individ, por vij të përfaqësohem si pjesë e një ekipi më të gjerë kuadrosh. Dhe ajo që është më e rëndësishme, unë do shërbej si zëri i disa qëllimeve fisnike që synojnë katër integrime.
Së pari mes nesh, ne si Forcë duam të eliminojmë përçarjen krahinore, fetare dhe politike që ka lulëzuar mes shqiptarëve gjë që e kemi dëshmuar edhe me përpjekjet e palodhura tona për të mundësuar një koalicion të gjerë shqiptar dhe për të mundësuar pajtimin e fraksioneve të ndryshme brenda partive të tjera shqiptare si Alternativa dhe Aleanca.
Së dyti, ne duam të rrisim integrimin me viset e tjera të banuara me shqiptarë, duke shtuar bashkëpunimin dhe lidhjen me të gjithë bashkëkombësit.
Së treti, ne duam të integrohemi më mirë me pjesën tjetër të Malit të Zi në mënyrë që shqiptarët të mos diskriminohen më në këtë shtet dhe zëri i tyre të dëgjohet fortë në Podgoricë.
Së katërti, ne do kontribuojmë për përshpejtimin e integrimit evropian pasi vetëm brenda Evropës ne do kemi standarde të larta jete dhe do gëzojmë respektimin e plotë të identitetit tonë kombëtar. Ne mendojmë se ashtu sikurse pjesëmarrja e shqiptarëve në referendumin për pavarësi ishte vendimtare për krijimin e Malit të Zi, kontributi i shqiptarëve do të jetë i rëndësishëm edhe për të realizuar integrimin euro-atlantik të shtetit tonë.

Ali Rexha, bartës i Listës për deputetë i Partisë së Prosperitetit Demokratik

1. Ndryshe nga zgjedhjet e deritashme, pres që premtimet e dhëna, disa bile edhe të përsëritura gjithmonë para zgjedhjeve, kësaj radhe të plotësohen. Pres që të drejtat e pakicave, në veçanti të shqiptarëve, të garantuara me ligjet dhe konventat evropiane dhe të përfshira në Kushtetutën e Malit të Zi si një nga kushtet kryesore për pranimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian, të jetësohen në tërësi. Pres që këto të drejta të garantuara, si e drejta e identitetit, e drejta e përdorimit të gjuhës amtare dhe simboleve kombëtare në jetën private, publike dhe zyrtare, e drejta për zhvillim dhe ruajtje të kulturës dhe traditës, të drejta të veçanta në fushën e shkollimit, e drejta në pjesëmarrje efikase në jetën shoqërore dhe kontakte e bashkëpunim ndërkombëtar e shumë të tjera, të mos mbeten vetëm shkronja të thata në Kushtetutë të cilat përdoren për të bindur opinionin ndërkombëtar se ato ekzistojnë sipas nevojës.
Vetëm me jetësimin e tërësishëm të këtyre të drejtave, edhe shqiptarët mund të ecin kryelartë në mesin e të barabartëve.

2. Jemi dëshmitarë se shqiptarëve kurrë nuk u ka munguar dhe nuk do t’u mungojë patriotizmi. Por, gjithashtu jemi dëshmitarë se shqiptarët dita-ditës po vetëdijësohen dhe po e kuptojnë se vetëm patriotizmi, pa një politikë me vizion të qartë, e mbështetur me një mirëqenie ekonomike, nuk mjafton për t’u integruar në rrjedhat bashkëkohore. Lista e PPD-së ku të gjitha ndasitë shqiptare janë të harmonizuara, ku janë gërshetuar përvoja me energjinë rinore, ku femrës i është dhënë një hapësirë e gjerë veprimi, premton plotësimin e kërkesave dhe nevojave të shumta të shqiptarëve në Mal të Zi.
Koha do ta dëshmojë se emri i të zgjedhurve në listën e PPD-së nuk është vënë sa për të figuruar, por të gjithë ata të zgjedhur janë të vullnetshëm dhe kanë elan për të punuar për të mirën e kombit.

3. Personalisht i njoh të gjithë të kandiduarit dhe bartësit e listave të partive shqiptare në këto zgjedhje. Përparësia ime në krahasim me disa nga kandidatët e tjerë është risia që sjell një imazh të ri politik në skenën politike të Malit të Zi, nga njëra anë, dhe përvoja ime shumëvjeçare në organizatat më eminente ndërkombetare, në Mal të Zi, në rajon dhe nëpër botë, nga ana tjetër.
Në çdo mënyrë jam munduar të kontribuoj edhe atëherë për vendlindjen dhe popullin tim ndonëse nuk kam pasur asnjë interes për pozitë politike. Atë se ç’kam bërë e dinë mirë udhëheqësit e institucioneve shkollore e publike në Ulqin, në Anë të Malit, Krajë, Shtoj dhe shumë komuna të tjera në Mal të Zi, por për të respektuar hapësirën që ma keni rezervuar, nuk po i ceki një nga një. E ndjej si obligim që këtë përvojë të përfituar ta shfrytëzoj për prosperitetin e popullit tim.
Në fund më lejoni t’u dëshiroj të gjithë kandidatëve fushatë të mbarë, të qetë dhe të ndershme..

Luigj Shkreli, kandidat për deputet i Koalicionit “Mali i Zi Europian – Millo Gjukanoviq”

1. Pres pa dyshim fitore të bindëse dhe të sigurt të Koalicionit “Mali i Zi Evropian”, me të cilën do të arrihet një mandat stabël dhe afatgjatë, i cili do të na sigurojë ec
jen përpara dhe përfundimin e proceseve që e çojnë Malin e Zi drejt Bashkimit Evropian dhe anëtarësimit në të gjitha strukturat e tij. Kualiteti i ri dhe aplikimi i standardeve të njohura evropiane në jetën e çdo qytetari të Malit të Zi do të jetë një ndër sfidat kryesore dhe bosht i përqendrimit të aktiviteteve tona partiake, parlamentare dhe shtetërore në kohën që do të pasojë pas zgjedhjeve dhe fitores së sigurt dhe votës transparente, të besuar nga populli.

2. Po të isha unë në pozitë që të shtroj pyetje, do të pyesja: Pse mos të më votojnë shqiptarët?! A ka ndonjë arsye pragmatike? A ka ndonjë shkak të arsyeshëm? A ka ndonjë fakt të jetësishëm? A ka ndonjë sjellje të njerëzishme, përpos atyre që kanë karakter subjektiv ose të ndonjë gjendjeje tjetër në të cilën mund të ndodhin logjika e jetës së përditshme njerëzore?.
Perfundimi i Shtëpisë së Kulturës pas 15 vjetëve, Materniteti, Fakulteti i Mësuesisë, i pari institucion i lartë në gjuhën shqipe, hapja e pikës kufitare me Shqipërinë, Ligji mbi përdorimin e simboleve nacionale, Ligji mbi liritë dhe të drejtat e popujve pakicë, njësia e posaçme zgjedhore për shqiptarët në Mal të Zi, diskriminimi pozitiv dhe aksioni afirmativ, Ministria përkatëse e udhëhequr në mënyrë konstante nga shqiptarët, kontributi i parezervë për Pavarësinë e Malit të Zi, roli i subjektit tim politik në kohët më të egra për shqiptarët dhe strehimi i vëllezërve dhe motrave nga Kosova në Mal të Zi në kohën e eksodit të paparë gjatë agresionit serb dhe bombardimeve të NATO-s, roli aktiv në hartimin e Kushtetutës me dispozita afirmative për pakica dhe anëtar i këshillit për hatimin e saj, njohja e shtetit të Kosovës nga ana e Qeverisë së Malit të Zi, politika e fqinjësisë së mirë e udhëhequr nga Qeveria e Malit të Zi si prodhim i partisë në pushtet.
Këto dhe shumë të tjera, qoftë direkt qoftë indirekt, në Parlament dhe jashtë tij, janë produkt i aktivitetit tim, i drejtimit politik që kam përkrahur dhe kam udhëhequr, dhe i Partisë Demokratike të Socialistëve, funksionar i lartë i së cilës jam dhe i kryetarit Millo Gjukanoviq, në listën e së cilës tash tre mandate në radhitjen e dhjetë deputetëve të parë hyj në Parlament.
I bindur se me këto stolisen edhe të tjerët dhe lëvdatat dhe epoletat ia ngjesin vetvetes, por lexuesit dhe qytetarët e dinë se cili subjekt politik i ka aprovuar të gjitha këto, por e dinë mirë edhe kush ka qenë kundër tyre.
A janë këto të arritura që mjaftojnë që të më jepet vota dhe a kanë pse të më votojnë shqiptarët, le ta çmojnë vetë votuesit te të cilët kam besim të plotë duke llogaritur mençurin dhe maturinë tradicionale që është karakteristika jonë.

3. Nuk mendoj se kam përparësi në krahasim me kandidatët e tjerë që garojnë në këtë njësi zgjedhore, përpos eventualisht faktit se jam i njëjti person qysh prej vitit 1997, 1998, 1999, 2001, 2002, 2006 edhe sot e kësaj dite. Të tjerët le të sillen rrotull e të përqendrohen për të pare se ku gjenden. Nuk i kam shkuar askujt prapa, por të tjerët kanë ardhur pas meje. Populli dhe qytetarët, e posaçërisht votuesit dinë bukur mirë t’i vlerësojnë të gjitha këto dhe të japin notën dhe respektin e merituar.

Amir Hollaj, bartës i Listës për deputet i Koalicionit Shqiptar “Perspektiva”

1. Nga këto zgjedhje, në radhë të parë presim që të jenë në një nivel demokratik dhe që qytetarëve tanë t’ju tregojmë një pjekuri dhe qëllim të mirëfilltë, të përdorim oratori – fjalor të pastër dhe me fakte, si dhe qëndrime të paluhatshme politike.
Qëllimi ynë është i pastër dhe për këtë jemi të sigurt në rezultate të mira. Lëvizja “Aleanca e re” ka përkrahjen e qytetarëve dhe aspak nuk na brengosë fakti që disa mundohen të na etiketojnë me emra të ndryshëm, sepse me retorika të vjetëruara mundohen të fshehin dështimet e tyre, që nuk mund të fshehen.
Që nga fillimi nuk jemi larguar nga kërkesat e aktivistëve tanë të të gjitha profileve, pa dallime dhe nënvlerësime, edhe pse jemi të sulmuar nga partitë e ndryshme për interesa personale. Lëvizja qytetare “Aleanca e re” me moton “Për deputetin e Anës së Malit“ si dhe Iniciativa Qytetare nga Tuzi, me të cilët kemi bërë një marrëveshje shumë xhentile për arsye që të mos vijë deri te shkapërderdhja e votave, në këto zgjedhje dalim me “Koalicionin shqiptar – Perspektiva “ dhe jemi të bindur dhe shumë të sigurt në arritjen e qëllimit që të kemi përfaqësim dinjitoz në Parlamentin e Malit të Zi.

2. Shqiptarët në Malin e Zi dita-ditës janë të bindur me fakte se përfaqësimi i deritashëm në nivelin republikan nuk ka qenë i mirëfilltë! Këtë e them duke pasur parasysh mospajtimet në mes të deputetëve tanë si dhe mangësitë ligjore të cilat nuk janë tejkaluar as pas tre viteve të pavarësisë së Malit të Zi, edhe pse kemi një Kushtetutë të re, ku sipas saj, shqiptarët në veçanti, si pakicë autoktone dhe specifike, por edhe pakicat e tjera duhet të kenë të drejta të garantuara dhe të parapara me ligjet dhe konventat ndërkombëtare, ato edhe sot varen nga dëshira e partive në pushtet, prej zgjedhjeve në zgjedhje.
Në anën tjetër, shqiptarët janë lodhur n

Mehmet Bardhi, bartës i listës për deputetë Lista Shqiptare – Lidhja Demokratike në Mal të Zi – Mehmet Bardhi dhe Alternativa Shqiptare – Gjergj Camaj

1. Për të pasur zgjedhje demokratike, të lira, të ndershme e fer duhet të plotësohen disa kushte e standarde demokratike. Pikësëpari duhet të ketë një klimë e atmosferë vërtet demokratike që përligjë praktikën edhe përmbushë standardet demokratike, që nga funksionimi i shtetit ligjor e deri tek infrastruktura zgjedhore demokratike e arritur me konsensus. Deri tash këto, në asnjë zgjedhje, nuk kanë qenë përmbushur, sepse të tre pushtetet, në një mënyrë apo tjetër, direkt apo indirekt, ku dhe kur më pak e ku e kur më shumë, kanë qenë dhe janë në krah të strukturave pushtetmbajtëse. Prandaj edhe nuk pres ndryshime për të mirë. Përkundrazi, shkrimet e denoncimet e ndryshme në media po tregojnë të kundërtën. Megjithatë do të jemi në parlament.

2. Që të votojnë koalicionin nr. 16 LISTËN SHQIPTARE: Lidhjen Demokratike dhe Alternativën Shqiptare, partinë e parë shqiptare në Mal të Zi dhe përfaqësuesen e vërtetë të interesave të shqiptarëve dhe Alternativën Shqiptare, subjektin që u organizua të jetësojë komunën e plotë të Malësisë, të cilin obligim e angazhim programor Lidhja e mori që nga themelimi, ka edhe shumë arsye të tjera të cilat zgjedhësit nuk i kanë zhgënjyer asnjëherë. Kështu kemi: kërkesat në vazhdimësi për decentralizimin e pushtetit dhe kthimin e ingjerencave komunave; jetësimin e komunës së Tuzit me të drejta dhe ingjerenca të plota; Kushtetutën, e cila do të garantonte shtetin demokratik, ku shqiptarët nuk do të jenë të diskriminuar (propozuam 35 vërejtje, sugjerime e kërkesa në Projektkushtetutë dhe 20 amandamente në Propozim kushtetutë, ku fatkeqësisht makineria votuese monopoliste nuk pranoi asgjë (respektimin e orientimeve nga Memorandumi i 1972-shit; krijimin e institucioneve nacionale shqiptare: Fakultetin e Mësuesisë në Ulqin apo në Tuz e jo në Podgoricë, siç e bënë të dëgjueshmit e pushtetit; krijimin e një dege rajonale pranë Ministrisë së Arsimit për arsimin shqip, me seli në Ulqin; administratën në gjuhën shqipe – të gjitha dokumentet publike personale së pari në gjuhën shqipe; përfaqësimin proporcional në të gjitha nivelet, përfaqësimin autentik politik proporcional; jetësimin e Vendimit të KK Ulqini për emërtimin e rrugëve dhe shesheve të c
ilin Gjykata Kushtetuese e anuloi dy herë, vetëm sepse ato ishin në gjuhën shqipe dhe ishin emra nga kultura shqiptare, që fatkeqësisht pushteti i sotëm në Ulqin po jetëson praksën e vjetër, shkrimin përpara në gjuhën serbe, e pastaj shqipe ose vetëm në gjuhën serbe (shih e krahaso akte e vendime të ndryshme…); heqjen e Ndërmarrjes Publike Shtetërore për menaxhimin e të mirave detare dhe menaxhimi i tyre nga komunat, që kjo “e keqe detare” menaxhuese të kthehet në të mirë të qytetarëve dhe komunës në përgjithësi; përdorimi i lirë i simboleve kombëtare; anulimi i planit për parkun nacional „Prokletije“; kundër privatizimit kolonizues e okupues; ndarjen e pasurisë shtetërore me atë të qeverisjes lokale me marrëveshje, e jo me diktat plaçkitës, siç bënë edhe me Ligjin e fundit të aprovuar në këtë legjislaturë, ku fatkeqësisht edhe deputeti(-ët) shqiptar(-ë) votoi(-uan) PËR, megjithëse e ftova të më përkrahë për kundërshtim të tij që e bëra unë; për kthimin e pasurisë, të marrë në cilëndo bazë, ish-pronarëve (Valdanosi, Dheu i Zi etj. në Malësi, Shtoj, Shas, Plavë e Rozhajë, etj.); shfrytëzimi i „Plantazheve“ edhe për zhvillimin e territorit në të cilin gjenden; Lirimi i përmendoreve të kulturës dhe majave të maleve nga tentativat e përvetësimit nga kisha ortodokse serbe (në ishujt në liqenin e Shkodrës, heqjen e kishës së metaltë nga maja e malit Rumi, mbetjet – themelet e muranat e Shën Mërisë – Kishës së Krajës nga shek. i 10-të, themeleve të kishës në kala të Ulqinit etj.); lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe gjendjes monopoliste në vend; kundër diskriminimit; kundër krizës së besimit, etj. Asnjëherë nuk shitëm interesat kombëtare; pastërtia e figurës u ruajt e po ruhet si vlerë e shembull për të tjerë etj.

3. Angazhimi im, puna publike e pastër, e sinqertë, parimore dhe e drejtë; angazhimi në Parlament, mbi njëmijë amandamente në propozim ligje e vendime në kuvend (vendi i 14-të sipas vlerësimit të MANS-it nga numri i 81 deputetëve, ndoshta edhe kjo diçka flet).

KohaPress

KOMENTOJE