Partitë shqiptare dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare

Shqiptarët kurrë më tepër të përçarë

Kanë mbetur edhe më pak se njëzet ditë deri në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 29 marsit. Çfarë është pasqyra e skenës politike shqiptare në prag të zgjedhjeve? E mjerueshme! Ndonëse, varet si për kë! Është gjë reale të pritet që disa nga subjektet politike ta vërtetojnë pozitën stabile në trupin e tyre votues (UDSH), disa të tjerë me siguri do të shënojnë rritje të mëtejshme të trupit votues (Forca e Re Demokratike) në trevën ku janë subjekt politik autokton (Ulqini). Për të gjithë të tjerët, këto zgjedhje janë provë e cila do të vendosë për mbijetesën e tyre të mëtejshme në skenën politike.

Ku është vendi i Malësisë?

Termeti më i madh ka ndodhur në Malësi pas shembjes së Alternativës Shqiptare, partisë më të fortë në zgjedhjet e 2006, me 2600 vota. Pas shembjes së ASH-së, të dy rrymat insistojnë se janë bartëse të emrit dhe idesë së ASH – së burimore. Dy lista: në një anë është lista e koalicionit “Perspektiva” (pjesa e ish-ASH- it në koalicion me disa subjekte politike minore nga Ulqini) dhe, në anën tjetër, koalicioni i partisë e cila ka vazhduar ta mbajë këtë emër (ASH), në aleancë parazgjedhore me Lidhjen Demokratike dhe Listën për Tuzin. Në zgjedhjet e ardhshme këto do të jenë kundërshtarë të drejtpërdrejtë.

Çfarë është vendi i Malësisë në këto zgjedhje? Duhet të konstatoj se gjendja duket e mjerueshme.Çka nuk është në rregull këtu? Një krah i ish anëtarëve të Këshillit Qendror të ASH –së, gjendet në listen e “Perspektivës” Lideri i deritashëm i Alternativës Shqiptare, dhe deputeti në Kuvendin e Malit të Zi, Vasel Sinishtaj, gjendet i dyti në këtë listë zgjedhore, pas Amir Hollajt. Kur e kam parë për të paren herë në media këtë listë nuk kam mundur ta përmbajë përshtypjen shokante. Sepse, është nonsens që Sinishtaj i cili duke i prirë listes së ASH – it në zgjedhjet e shtatorit 2006, ka marrë 2600 vota, jo vetëm që ka hyrë në aleancë parazgjedhore me subjekte politike anonime, por, është i dyti në listë. Është vështirë që në mesin tonë të vogël të shkruash për peshën politike të personaliteteve, sepse, rrezikon që kjo të keqkuptohet nga politikanët tanë të cilët ushtrojnë një profesion publik, ndërsa, në anën tjetër, nuk durojnë kritikë, por, fakt është se ish lideri i ASH –it, Sinishtaj, nuk ka guxuar ta devalvojë veten duke hyrë i dyti në listë pas personit i cili nuk ka peshë të rëndësishme si faktor politik. As krahu tjetër i Alternativës burimore, me bartësin e listës Nik Gjeloshajn, nuk del në zgjedhje në mënyrë të pavarur, por, në aleancë me Lidhjen Demokratike.

A ka mundur të evitohet kjo situatë?

Natyrisht, se po. Kur në një parti paraqiten fraksionet e papajtueshme, nga këto fraksione formohen partitë e reja. Sepse, është vetëm humbje kohe dhe derdhje e kotë e energjisë nëse problemet fshehen dhe realiteti zbukurohet para opinionit të gjerë për ta krijuar përshtypjen se çdo gjë është në rregull.. Ky është mentaliteti mesjetar lindor i cili duhet braktisur njëherë e përgjithmonë. Sa më heret që identifikohet problemi, është më mirë për vet subjektin (subjektet) politike. Kështu, së paku, ndodh në vendet e demokracisë qytetare. Në vend të kësaj ka ndodhur që kapaciteti politik i cili është akumuluar në ASH si fituese të zgjedhjeve lokale të 2006, të shterret në rrymime brenda partisë. Çfarë do të jenë pasojat e kësaj shterrjeje, do të tregojnë zgjedhjet e ardhshme.

Koalicioni brenda Malësisë?

Të kishte ekzistuar një mençuri politike, sot ka mundur në Malësi të ekzistojë një koalicion i fortë, i përbërë nga dy subjekte më të forta politike, në këtë trevë, ASH dhe UDSH. Nuk do të kishte qenë e nevojshme që ky të ishte doemos koalicion parazgjedhor. Por, ka mundur të punohet konkretisht në drejtim të një vizioni të ardhshëm për ardhmërinë e Malësisë prosperuese dhe proeuropiane. Nuk është dashur këtu të kihet frikë nga profilet specifike të secilës prej këtyre dy partive, sepse, kudo në botë, subjektet politike i kanë identitetet e tyre politike me të cilët veçohen nga njëri tjetri, por, kjo nuk u pengon që të kenë relacione normale dhe të hyjnë në koalicione stabile. Sepse, punojnë në rë miren e përbashkët. A nuk ka mundur të arrihet një gjë e tillë edhe në një trevë të vogël çfarë është Malësia?

Xhoana M. Perkaj

KOMENTOJE