Top Channel VIDEO
Në Mal të Zi, të dielën mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Shqiptarët paraqiten me pesë lista zgjedhore dhe kjo pritet të ndikojë negativisht në përfaqësimin e tyre në përbërjen e ardhshme të parlamentit. Analistët thonë se megjithatë, këto zgjedhje janë mundësi për rikonfigurimin e skenës politike shqiptare në Mal të Zi.
Për herë të parë si shtet i pavarur, Mali i Zi zhvillon të dielën zgjedhje parlamentare. Edhe pse të parakohshme sipas analistëve shqiptarë atje, këto votime nuk do të sjellin ndonjë ndryshim rrënjësor në nivel shtetëror.
Të rëndësishme do të jenë për shqiptarët, të cilët paraqiten me pesë lista zgjedhore. Publicisti Ismet Kallaba nga Ulqini thotë se fushata tregoi thellimin e ndasive dhe nxorri në sipërfaqe fenomene të dëmshme për shqiptarët në Mal të Zi. “Kemi paraqitjen e fenomenit të lokalizmit, të deputetëve të ndryshëm të cilët pretendojnë se përfaqësojnë një krahinë të caktuar dhe kjo nuk është e mirë. Mirëpo, mendoj se edhe në këtë është diçka që mund të vlerësohet pozitive dhe ky është fakti se këto zgjedhje do të ndikojnë në rikonfigurimin e skenës politike shqiptare në Mal të Zi” thotë Kallaba. Zgjedhjet e 29 marsit do të mund të ishin vendimtare për shqiptarët, vlerëson analisti Xhemal Peroviq, sikur ata të arrinin të artikulonin qëndrimet e tyre politike.“Meqë nuk kanë arrit një unitet dhe një dalje të përbashkët në këto zgjedhje atëherë faktori politik krijon huti jo vetëm tek zgjedhësit por edhe tek bashkësia ndërkombëtare. Sikur të kishte një bashkëbisedues të qartë ndoshta bashkësia ndërkombëtare do të mund të ndihmonte në mbrojtjen e të drejtave të tyre”, thotë Peroviq. Peroviq fokuson edhe dëmet ekonomike që do shkaktojë paraqitja e ndarë në zgjedhje, sidomos në kohën kur pritet privatizimi i objekteve të rëndësishme në Ulqin dhe në trevat tjera shqiptare.“Në rend dite janë disa prej pronave më të vlefshme të cilat regjimi nuk po i kthen dhe me të cilat po tregton në vazhdimësi. Nuk është në pyetje vetëm komuna e Ulqinit por në pyetje janë edhe trevat tjera të shqiptarëve në të cilat kudo cenohet të drejtat pronësore të tyre”, tha Peroviq. Sidoqoftë, pas 29 marsit publicisti Kallaba parashikon rikonfigurim të skenës politike shqiptare. Disa nga partitë do të dalin fare nga loja, kurse të tjerave do t’u duhet të tregohen të kujdesshme në ndërtimin e raporteve me elektoratin.“Disa parti shqiptare do ta kenë të qartë se nuk mund të ekzistojnë më në skenën politike shqiptare, pra mund të ekzistojnë 2 ose 3 parti shqiptare. Të tjerat mund të ekzistojnë vetëm në nivelin lokal” tha Kallaba. Në trevat shqiptare në Mal të Zi do të hapen 59 vendvotime, mirëpo në to garojnë edhe subjekte jo shqiptare. Sipas Kushtetutës, shqiptarët do të mund të siguronin deri në pesë deputetë, por me zbatimin e sistemit proporcional dhe me ndasitë e tyre ata maksimalisht mund të sigurojnë tre deputetë. Trupi zgjedhor në Mal të Zi është rreth 500 mijë votues. Sipas analistëve fitore sërish pritet të sigurojë koalicioni i udhëhequr nga kryeministri aktual Millo Gjukanoviq dhe i cili pavarësisht nga ndryshimet e mëdha të politikës së brendshme të vendit, ka arritur të qëndrojë në pushtet mbi një dekadë. Mali i Zi që nga pavarësimi në vitin 2006, sipas ndërkombëtarëve vlerësohet se ka ecur shumë shpejtë në procesin e stabilizim asociimit me Bashkimin Evropian ashtu si edhe me partnerët tjerë ndërkombëtarë. Mirëpo, shqiptarët vlerësojnë se të drejtat e tyre si popull pakicë nuk janë në nivelin e kënaqshëm, edhe pse janë të garantuara me ligj. Sipas analistëve një pjesë të fajit për këtë e bartin vetë faktorët politikë shqiptarë të cilët janë të përçarë dhe nuk arrijnë të pajtohen për mënyrat e paraqitjes dhe mbrojtjes së kërkesave të tyre. / Gjylie Rexha – RTK /
Mali i Zi, shqiptaret rrezikojne perfaqesimin
Percarja ne 6 parti politike te shqiptareve ne Malin e Zi, rrezikon te ule ndjeshem perfaqesimin e tyre ne Parlament.
Ne Mal te Zi eshte sistemi proporcional dhe nje parti duhet te marre te pakten 2500 vota qe te kete nje deputet, nderkohe qe numri i votuesve shqiptare eshte gjithesej 30 mije.
6 parti kane paraqitur 6 lista dhe secila ben fushate me vete. Atmosfera e fushates duket qarte ne Ulqin, qytetin e banuar nga shumica shqiptare. Posteta dhe flamujt duken gjithandej.
“Ne dolem ne zgjedhje dhe po bejme nje fushate qe eshte moderne, ne kundershtim me te tjeret qe po bejne nje fushate banale”, ka deklaruar Mehmet Bardhi, kryetar i partise Lidhja Demokratike.
Ndersa Armir Hollaj, kryetar i koalicionit Perspektiva dhe Metko Zehka nenkryetari i Unionit Demokratik pranojne se percarja do t’iu kushtoje shqiptareve.
“Kjo njesi zgjedhore me 5 deputete mund te mbese pa deputet, per shkak se nuk u be nje koalicion i gjere”, ka pohuar Hollaj. “Ne keto zgjedhje jane paraqitur 6 parti shqiptare qe konkurojne per 5 mandate. Por jemi optimiste”, eshte shprehur Metko Zehka, nenkryetar i Unionit Demokratik.
Zgjedhjet behen me kerkese te kryeministrit Milo Gjukanovic, partia e te cilit ka bere aleance me tre partite me me peshe ne Malin e Zi. Ne liste Gjukanovic ka vendosur edhe nje kandidat shqiptar. Percarja nuk ka perfshire vetem shqiptaret por edhe serbet, partite e te cileve jane te ndara.
Nga ana tjeter, vendi eshte duke ndjere krizen ekonomike, papunesia eshte rritur dhe ne shume ndermarrje, sic eshte edhe kombinati i aluminit, prej muajsh punetoret s’paguhen. / Top Channel /