Hollaj dhe Sinishtaj ndajnë mandatin

Të nderuar bashkëkombas kudo që ndodheni, kam obligim por e ndiej edhe nevojë që t’ju drejtohem duke Ju falënderuar për besimin që më dhatë mua dhe shokëve të mij të cilët fillimisht, në emrin tuaj, më kishin propozuar edhe në këshill si kandidat për deputet.
Gjatë fushatës parazgjedhore që për fat të mirë nuk zgjati shumë u thanë edhe fjalë të pahijshme ndaj njëri tjetrit, duke mos kursyer as familjet dhe të parët tonë.
Dua të besoj se kjo ishte si pasojë dhe rrjedhim i euforisë dhe rrethanave të krijuara për shkak të zgjedhjeve, por assesi jo edhe se ashtu mendojmë për njëri tjetrin për shkak se një fjalë e vjetër malësore thotë: “Të gjithë jemi mielli i një thesi”.
Kjo nuk do të thotë se të gjithë duhet të mendojmë njëjtë.
Unë me këtë rast dua të njoftoj opinionin se për të gjitha akuzat e bëra nga oponentët politikë gjatë fushatës kemi vendosur që të njëjtat t’i zgjidhin organet kompetente shtetërore të cilat do të dëshmojnë se kush ka qenë hajn, kush ka gënjyer e kush ka folë të vërtetën.
Besimin në Malësi s’e kisha humbur kurrë. Vlerësoja lartë moralin e Malësorëve.
Jam krenar dhe shumë i lumtur, që unë, si kandidat për deputetë të Malësisë, fitova besimin dhe në Dinoshë, edhe në Vuksanlekaj, edhe në Hot edhe në Grudë, edhe në Vrane edhe në Vllanë, edhe në Triesh edhe në Kojë, në Krajë dhe në Ulqin, në Tuz edhe Anë të Malit, në Plavë, Guci dhe Rozhajë.
Prandaj në Kuvend do t’i jap të drejtën vetes të flas në emër të të gjithë votuesve por edhe në emrin e atyre që nuk më dhanë besimin. Me këtë rast dua t’u drejtohem edhe Anamalasve të cilët menduan se Amiri dhe unë kemi bërë mirë që jemi bashkuar.
Dua t’i siguroj se Vaseli sa të jetë deputet me të gjithë kapacitetin e tij intelektual do të angazhohet për mbrojtjen e interesave të përbashkëta dhe se ata në Vaselin duhet të shohin Amirin por edhe tek Amiri ta shohin Vaselin.
Vetëm në këtë mënyrë mund të mbrohen ashtu si duhet interesat shqiptare, thuhet në mes të tjerave në kumtesën për opinion të Vasel Sinishtaj. / Koha Javore /

KOMENTOJE