Për krijimtarinë e autorëve Fran Camaj, Nikollë Berishaj, Anton Gojçaj dhe Rrok Berishaj folën Ridvan Dibra, Mimoza Priku, Erzen Sokoli, Alfred Çapaliku dhe Fatmire Lekiqi.
Në lokalet e bibliotekës “Marin Barleti”, e cila ishte njëkohësisht edhe organizatore, të shtunën më 28 mars dashamirëve të letërsisë dhe kulturës në Shkodër iu prezantuan disa shkrimtarë nga Malësia (trevat shqiptare në Malin e Zi).
Për krijimtarinë letrare të autorëve malësorë folën krijues dhe pedagogë të shquar të qytetit të Shkodrës. Prof. dr. Alfred Çapaliku foli për studimin “Fakticiteti në letërsi – Proza letrare e Anton Harapit” të Anton Gojçajt, kurse për romanet e Fran Camajt shpalosi përshtypjet e veta shkrimtari i njohur i letërsisë bashkëkohore shqipe, Ridvan Dibra.
Një vështrim të dr. Tefë Topallit dhe dr. Mimoza Prikut mbi fjalorin sllovenisht- shqip të Nikollë Berishajt para publikut të zgjedhur shkodran e lexoi zonja M. Priku. Një interpretim interesant mbi vëllimin poetik “Sub rosa dictum” të Nikollë Berishajt e paraqiti zonja Erzen Sokoli, kurse mbi përmbledhjen e poezisë “Në mes të ditës” të Rrok Berishajt referoi zonja Fatmire Lekiqi.
Programin e moderoi drejtori i bibliotekës “Marin Barleti”, Gjovalin Çuni.
Më pastaj shkrimtarët nga Malësia shfrytëzuan rastin të falënderojnë organizatorin për këtë aktivitet të rëndësishëm, të cilin ata e cilësuan si një nxitje për veprimtarinë e mëtejshme dhe njëkohësisht si fillimin e një bashkëpunimi edhe më të mirë në të ardhmen.
Në fund tre autorët miq falënderuan edhe publikun që me pjesëmarrjen e vet i dha peshë edhe më të madhe kësaj ngjarjeje. / Koha Javore /