Reduktohet Koha javore”, gazeta e vetme në shqip në Malin e Zi

Gazeta e vetme në gjuhën shqipe në Malin e Zi “ Koha javore” në të ardhmen do të reduktohet dhe do të botohet një herë një javë në formë shtojce prej katër faqesh në të përditshmen “ Pobjeda”, njofton redaktori përgjegjës, Ali Salaj. “Ky është një vendim i ndieshëm që do të ndikojë negativisht në informimin e shqiptarëve në Mal të Zi dhe mund të nxisë reagime të ndryshme në opinionin shqiptar. Njëherësh , ky vendim bie në kundërshtim të gjitha Ligjet ndërkombëtare mbi të drejtën e informimit në gjuhën amtare si dhe në kundërshtim me Ligjin për të Drejtat dhe Liritë e Pakicave dhe me Kushtetutën
e Malit të Zi”, thotë Salaj. Ai thotë se ky reduktim i gazetës është rezultat i dështimit të tenderit për privatizim të SHAGBG “Pobjeda” dhe i krizës financiare me të cilën po ballafaqohet kjo kompani, në bazë të propozimeve të dala nga Qeveria e Malit të Zi (Ministria për Financa) mbi masat e kursimit dhe racionalizimit.
Këshilli Nacional i Shqiptarëve këtë propozim të Qeverisë së Malit të Zi, respektivisht të Ministrisë së Financave e vlerëson të papranueshëm dhe kërkon nga ajo që të ta btërheq atë. “ Ky propozim i Ministrisë së Financave është diskriminim dhe mohim i të drejtave të shqiptarëve për t’u informuar në gjuhën e vet amtare, ashtu siç parashihet me Kushtetutë, Ligjin mbi Mbrojtjën e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut dhe Pakicave, me standardet ndërkombëtare të shoqërive multietnike dhe nuk shkon në favor të përmbushjes të standardeve të Malit të Zi për t’u integruar në Bashkësinë e Shteteve Europiane”, thotë Tahir Tahiri, kryetar i Këshillit Nacional të Shqiptarëve.
KNSH në Mal të Zi, nënvizoi Tahiri, kërkon nga Qeveria, përkatësisht Ministria e Financave që ta heq propozimin që ka të bëjë me “Kohën javore” dhe të përkrah kërkesën e intelektualëve, subjekteve kulturore e politike shqiptare që “Koha Javore” të shndërrohet në gazetë ditore edhe për faktin se shqiptarët kanë dhënë kontributin e tyre maksimal për ndërtimin e shoqërisë multietnike, multigjuhësore dhe multikonfesionale në Mal të Zi.
Gazeta “Koha javore” u themelua nga Parlamenti i Malit të Zi më 20 qershor 1999. Andaj mbetet që përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Kuvendin e Malit të Zi, Këshilli Nacional i Shqiptarëve, Ministria për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave të reagojnë konform ligjeve ndërkombëtare në mbrojtjen e të drejtës më themelore të shqiptarëve në Mal të Zi, siç është e drejta për informim në gjuhën amtare.
Vlenë të theksohet se ky është rasti i dytë në SHAGBG “Pobjeda” që ndodh në 30 vitet e fundit me publikimet në gjuhën shqipe. Po për shkak të “mungesës së mjeteve financiare”, siç thonin atëherë autoritetet e Pobjedës, u mbyll veprimtaria botuese e revistës “Koha” .
Gjekë Gjonaj, Ulqin

KOMENTOJE