Fytyrat dhe maskat sllave

Nëpër vite e shekuj edhe për diplomatët e rryer të Evropës e botës ka qenë e vështirë të bënin dallimin mes fytyrës së vërtetë dhe maskave sllave. Kjo është vërtetuar edhe në fundin e shekullit të kaluar. Qeveria malazeze e udhëhequr nga po ky Gjykanoviq në kohët e luftës në Kosovë u tregua e mëshirshme dhe hapi rrugën drejt Rozhajës për të kaluar mijëra e mijëra njerëz të dëbuar me dhunë nga hordhitë serbe. Një pjesë e mirë e shqiptarëve të Kosovës e shikonin me admirim këtë sjellje dhe Gjukanoviqin e radhiten në mesin e njerëzve demokrat të Ballkanit e shtetin e tij e quajtën vend të paqes. Ngjarjet e më vonshme treguan se kjo nuk ishte fytyra e këtyre pushtetarëve, por ishte maskë për të fituar simpatinë dhe privilegjet e botës. Maskat sllave në Mal të Zi u bënë të tejdukshme kur policia e këtij shteti prangoste djelmosha të rinj shqiptarë nga Kosova, të cilët duke i besuar fytyrës maskë të malazezëve kishin zgjedhur rrugët e këtij shteti mashtrues për t’u kthyer nga kurbeti në Kosovë. Ata përfunduan në duart e hijeve të zeza të kryekriminelit të Ballkanit. Maskat sllave në mal të Zi ranë dhe u tregua fytyra e vërtetë edhe në 9 shtatorin e vitit 2006. Një alamet policie me maska e e mbushur plot urrejtje kundër çdo gjëje shqiptare vërshoi Malësinë dhe torturoi, ofendoi, nënçmoi, shau e burgosi njerëz të pafajshëm. Me maska u prezantua ato ditë pushteti në Mal të Zi dhe etiketoi njerëzit e pafajshëm me plot emërtime të rrejshme. Gjyqi u mbajt vetëm sa për të thënë se aktgjykimet ishin shkruar në zyrat e maskave në Podgoricë. Zyrtarët në Shqipëri e Kosovë këtë ngjarje e shikuan nga larg dhe me heshtje i dhanë forcë rrenave të maskave. Shqiptarët e pafajshëm vazhdojnë të mbahen në burgun famëkeq të Shpuzit e Mali i Zi vazhdon të fitojë privilegje duke mbajtur maska. Ata nën maskën e krizës globale duan ta krijojnë terrin informativ në Mal të Zi duke mbyllur edhe të vetmen media të shkruar në gjuhën shqipe atje, por nuk i kanë bërë llogaritë mirë. Me këtë akt ata nuk do të arrijnë ta shuajnë e mbyllin të vërtetën. Kjo e vërtetë për realitetin e hidhur e të keq të shqiptarëve në këtë shtet, që fitoi pavarësinë edhe me votën e malësorëve, do të dalë në rrugë e dritare të tjera. Nëse i vë drynin “kohës javore” pushteti i Malit të Zi, ai nuk mund të vë zinxhir mbi të vërtetën se ajo do të dalë përmes rreshtave të botuara në malësia.org e në ndonjë media tjetër elektronike. Malësia nuk ka vdekur. Ajo ka djelmosha e burra që nuk pushojnë se punuari për Malësinë dhe në emër të vërtetës. Ata do të vazhdojnë të angazhohen për t’i hapur rrugë lajmit të mirë e të keq. E vërteta nuk vdes me mbylljen e një gazete askund në botë. E vërteta do të vazhdojë të plasohet për hir të realitetit dhe me qëllim që fytyra të shihet si fytyrë e maska si maskë.
Edhe takimi i radhës i CEFTA-s në Podgoricë tregoi se pushteti atje nuk ka fytyrë po ka maskë. Gjukanoviqi “ evropian” pranoi në sytë e botës shtetin e Kosovës. E pranoi për të fituar privilegje, por ja një takim në kryeqytetin e tij tregoi se ai ka maskë e jo fytyrë. Delegacioni i Kosovës u detyrua me arsye ta lëshojë takimin e CEFTA-s sepse kryesuesi malazez , për t’i treguar motrës së madhe vrastare, Serbisë, se edhe në Mal të Zi ka nacionalizëm e urrejtje ndaj shqiptarëve e Kosovës, nuk lejoi të përdorej emërtimi zyrtar për Kosovën, po deshi ta kthej kohën e shkuar të errësirës, kohë kjo, që ka perënduar përgjithmonë falë gjakut të dëshmorëve të lirisë dhe përkrahjes së vendeve mike nga e tërë bota demokratike.
Evropa e SHBA duhet të kuptojnë se në Mal të Zi edhe kur duket pamje fytyre e udhëheqësve atje, ajo është maskë e skalitur bukur në atelietë e turpit e urrejtjes në Beograd e qytete të tjera të Serbisë. Maskat do të hiqen vetëm atëherë kur t’u bëhet me dije nga Evropa e bota Serbisë e Malit të Zi se loja e tyre e ndyrë skenike me maska ka përfunduar dhe se për të qenë pjesë e popujve modern duhet punuar e jetuar me fytyra e jo nën maska.

Rrahman Jasharaj

KOMENTOJE