Malësia në Udhëkryq – Mbijetesë apo Asimilim

Ne sikur pretendojmë se zgjedhjet e 19 marsit në Mal të Zi ishin një fitore e shqiptarëve. Ne sikur besojmë se në Malësi gjithçka do të jetë mirë, se kemi përfaqësuesit në kuvendin republikan. Por, mendoj se duke shikuar rezultatin e zgjedhjeve në Malësi, ne duhet të jemi të alarmuar. Në mënyrë urgjente duhet të punojmë në përmirësimin e gjendjes shoqërore dhe politike në Malësi.
Nëse strukturat politike nuk përmirësohen (korrigjohen) ne pa dyshim do t’i humbim zgjedhjet lokale, e me atë humbim edhe vetëqeverisjen lokale.

Nëse humbet e drejta e një vetëqeverisje minimale, atëherë çka tjetër mund të presim në të ardhmen!? Ne padyshim do të shohim zgjerime të vendbanimeve të financuara nga shteti, po në tokat tona (banesat në Shipshanik), uzurpimet e tokave tona nga diktatura republikane (Parku Nacional Liqeni i Shkodërs – Nacionalni Park Skadarsko Jezero) , mbylljen e rrugëve me rëndësi ekonomiko-shoqërore (uzurpimi i rrugëve “Plantaze”),
do të shohim shkelje edhe më flagrante të drejtave të njeriut sikur u bë në aksionin policor “Fluturimi i Shqiponjës”, e mos të flasim për të drejtën që të lirë ti përdorim simbolet kombëtare.
E krejt kjo është tregues se do ta kemi “fatin” e Plavës e Gucisë, ku gjuha shqipe është bërë gjuhë e pakicës.
Jo shumë kohë më parë këto treva ishin të pastra shqiptare, kurse sot shqiptarët janë pakicë në trojet e tyre shekullore.
Shumë plane tjera që i ka qeveria do të implementohen pa kurrfarë rezistencë.

Më kujtohet këshillimet e Dr Fienstein kur më thoshte: “ Erërat e ndërrimit vijnë e shkojnë… Ato fryjnë në çdo vend, por nga ato mund të përfitoj vetëm ajo shoqëri që ka një strukturë të shëndosh politike, të cilët janë gati të implementojnë dëshirën e popullit për liri”.
Ne duhet të jemi të përgatitur politikisht kur Mali i Zi të detyrohet nga BE-ja të decentralizohet dhe të japin të drejtat popujve “pakicë”. Duhet të jemi të bindur se populli ynë, si çdo popull tjetër në botë, e donë lirin dhe që për fatin e tyre të vendosin ata e jo të tjerët.
Duke u nisur nga ky parim, se ne si banorë të përhershëm të Malësisë, si popull autokton në trojet tona shekullore, duhet njëzëri të apelojmë te partitë shqiptare që të bëjnë rekonstruktimin e partive të tyre. Të krijojnë struktura të reja brenda tyre që ta fitojnë besimin e popullit.
Ne të mira për Malësinë nuk mund të presim nga pushteti aktual, ne mirë e dimë se çka fituam nga pushtete të tilla tashmë 100 vjet.
Ne duhet inkurajua popullin të reflektojnë të shkuarën, ta mendojnë të ardhmen, dhe padyshim do të shohin se çka na vjen prej knjazit.
Ne duhet të kërkojmë nga ata që na përfaqësojnë, të na i përmbushin kërkesat tona.

Unë do të tentoj që me ndihmën tuaj, dashamirë të Malësisë dhe trojeve tjera shqiptare nën Mal të Zi, pa dallim, katundarë e qytetarë, vendas e mërgimtarë, të përpiloj një kërkesë formale e cila do të ju paraqitet të gjitha partive shqiptare që veprojnë në Mal të Zi. Një kërkesë që të implementojnë kërkesat tona demokratike brenda strukturave të tyre partiake.

Do ti klasifikojmë kërkesat tona në dy mënyra. Nën një do te kërkojmë pasurime të statutit partiak që të garantohet implementimi i ndërrimeve të premtuara, dhe nën dy të rekomandohet mënyra e tërheqjes së kuadrove, që ti shërbejë Malësisë me profesionalitet të duhur për sukses.
Si shembull do të marr, të kërkohet nga partitë politike transparenca e financave, periodikisht të bëhen publike raportet financiare. Të kërkohet një numër apo përbërje specifike e anëtarëve të këshillit.

Vilson Sinishtaj

KOMENTOJE

Me kërkesë të autorit jeni të ftuar të jepni kontributin (propozime) tuaj në këtë projekt.