Prilli i festave të përbashkëta

Anëtarët e Shoqatës së vëllazërisë Kosovë- Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” edhe në këto ditë prilli kanë vazhduar traditën e kremtimit bashkë të festave tona. Uka, Preni, Fannoli, Salihu, Enveri, Frashëri, , Manoli, Jetoni, Imseti, Zefi, Nifku kanë festuar bashkë festën që simbolizon ngadhënjimin e dritës mbi errësirën, të paqes mbi urrejtjen dhe të humanizmit mbi demonët e vrastarët. Ata i kanë drejtuar urimet më të mira Malësisë e pastaj kanë shpalosur angazhimet e këtij viti për organizimin sa më të mirë të Manifestimit Tradicional “Zëri i Vëllazërisë”.

“Manifestimi Tradicional “Zëri i Vëllazërisë” tani e 7 vite është bërë tradicional dhe ai mbledh në çdo prill Ansamble, këngëtarë, valltarë, poetë e intelektualë nga Malësia e Madhe ,pra nga Hoti, Gruda, Trieshi, Koja, Plava, Gucia, pastaj nga Dacajt e Rozhajës, Medvegja, Bujanovci, Presheva Peja, Dukagjini e pjesët tjera të Kosovës”, shprehet Pren Marashi, teksa ngrit dollinë për Pashkët e vëllezërit e tij të të dy besimeve fetare.

“Ky Manifestim është shprehje e respektit të banorëve të Kosovës për mikpritjen e madhe që malësorët ua kanë bërë shqiptarëve të zhvendosur nga vendbanimet e Kosovës në kohë të katrahurave të luftës së fundit. Malësorët janë pajtuar që të vazhdohet me takime të tilla kulturore e arsimore sepse, si shprehen ata, kjo është një ndihmesë e madhe për Malësinë e Madhe dhe trojet tejra etnike shqiptare për kultivimin dhe ruajtjen e identitetit, kulturës dhe gjuhës sonë”, shton Sali Lukaj.

“Duke respektuar mesazhet e Pashkëve dhe për të dëshmuar se vërtetë drita triumfon, edhe kur vonohet, mbi errësirën dhe të keqen, aktorët e Shoqatës sonë edhe përkundër angazhimeve të mëdha rreth Manifestimit, kanë qenë të hënën pjesë Akademisë përkujtuese në Burim në nderim të atyre që dora vrastare i ekzekutojë në mënyrën më barbare para 10 vitesh në këtë pjesë të Kosovës. Para gjithë atyre njerëzve dërguam mesazhin se njerëzorja triumfon mbi qëllimet e demonëve vrastar”, shprehet Frashër Rraci.

“Kam dëgjuar se këtë vit në Manifestimin tonë do të jenë edhe shumë vajza sportiste nga Malësia. Ky është gëzim i madh për mua dhe vajzat tjera dukagjinase. Do të krijojmë shoqëri të fortë me motrat tona nga ai truall etnik”, shprehet Qëndresa Jasharaj ,veprimtare e Shoqatës dhe shkollare e dalluar.

Kryetari i Shoqatës, Ukshin Jashari, uron që edhe këtë vit Manifestimi “Zëri i Vëllazërisë” të arrijë qëllimin e tij për t’i bërë bashkë në një këngë, valle, në një lojë sporti e në një sofër vëllezërit nga trojet etnike.” Kanë shkëlqyer me prezantimet e bukura vitin e kaluar anëtarët e Ansamblit “Shqiponja” nga Malësia e Madhe bashkë me Ansamblin “Rugova”, “Selman Kadria” e “Selman Riza” e me këngëtarë e artistë nga e tërë Kosova. Bukur do të jetë edhe këtë vit”, shprehet Uka, i cili pastaj, sikur për të dëshmuar bukurinë e manifestimit të vitit të kaluar shpalos fotografi kujtimesh nga kjo ngjarje e bukur e e përbashkët kulturore mes vëllezërve nga trojet tona etnike. Ai tregon se këtë vit malësorët dhe pjesëmarrësit nga Kosova Lindore bashkë me vëllezër të tyre nga trojet tjera etnike do të jenë pjesë e një feste të madhe të mikpritjes në fshatin Fierzë e fshatrat tjera të Podgurit. Vende këto që në kohët e katrahurave kanë qenë strehë e shtëpi për shumë e shumë të zhvendosur nga viset tjera të Kosovës.

Rrahman Jasharaj

Bukur ishte në Manifestimin e vitit të kaluar, bukur do të jetë edhe këtë vit

KOMENTOJE