Mali i Zi bllokon eksportin e prodhimeve kosovare

Emri “Republika e Kosovës” në vulat e doganave kosovare ka bërë që autoritetet malazeze të pengojnë eksportin e prodhimeve kosovare dhe kalimin transit të këtyre mallrave nëpër territorin e Malit të Zi.
Edhe pse e ka njohur pavarësinë e Kosovës, Qeveria e Malit të Zi po ndjek praktikat e Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës duke mos lejuar prodhimet kosovare të futen në këtë shtet, vetëm pse dokumentacioni është i vulosur me vulën e Republikës së Kosovës.
Kryeministri Hashim Thaçi shpreson se ky problem do të tejkalohet shpejt, ndërsa e sheh si shkak të kësaj bllokade mungesën e raporteve ndër –shtetërore midis dy vendeve.
“Ende nuk kemi raporte diplomatike. Në momentin kur do të vendosim raportet diplomatike, ndër shtetërore këto gjëra do të tejkalohen. Procesi i njohjes pavarësisë nga Mali i Zi kërkon edhe vënien e raporteve diplomatike ndër shtetërore dhe këtu është krejt çështja”, tha kryeministri Hashim Thaçi.
Që nga dhjetori i vitit të kaluar Serbia dhe Bosnja kanë bllokuar eksportin e prodhimeve kosovare, kryesisht produkte ushqimore, për shkak vulave të Republikës së Kosovës. Para pak javësh edhe Mali i Zi ka ndjekur të njëjtin shembull. Një delegacion qeveritar nga Kosova ka braktisur punimet e CEFT-as në këtë shtet pasi autoritetet malazeze e kanë prezantuar atë si delegacion të UNMIK-ut dhe jo të institucioneve të Republikës së Kosovës. / Bul Salihu – Alsat-M /

KOMENTOJE