Manifestimi “Zëri i Vëllazërisë” edhe një herë bashkoi trojet

Shoqata e Vëllazërisë Kosovë – Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” vazhdon me angazhimet për të mbajtur gjallë urat e vëllazërisë mes trojeve etnike shqiptare. Ajo ka bërë bashkë në këngë, valle e në një sofër Ansamble, artistë e këngëtarë nga Malësia e Madhe, Kosova Lindore dhe nga qytetet e Kosovës. Manifestimi Tradicional “Zëri i Vëllazërisë” ka nisur në pasditën e së shtunës me defilimin e pjesëmarrësve në veshje kombëtare. Ishte ky moment feste në Sheshin “Shkëzen Haradinaj” sepse në mënyrë spontane qytetarë të shumët bashkë me pjesëmarrësit e Manifestimit janë bërë pjesë të valles dhe këngës së përbashkët shqipe. Pjesëmarrërsit e kësaj feste pastaj kanë shpalosur arritjet e tyre artistike në një program të përbashkët në reastorantin “Afërdiata “ të vëllezërve Lukaj. Aktorët e Shoqatës Ukshin, Qëndresë, Shpëtim e Qëndrim Jashari kanë shplaosur fragmente nga kohët e katrahurave dhe kanë alarmuar për gjendjen e rëndë në Malësi e Kosovë Lindore.
Manifestimin dhe angazhimet e vazhdueshme të Shoqatës në mbajtjen gjallë të urave vëllazërore i ka përshëndetur Haxhi Lajçi në emër të pushtetit lokal të Pejës. Po ashtu edhe nënkryetari i Shoqatës , Sali Lukaj bashkë me Rexhep Abazin, Angjël Gojçajn, Smajl Osdautajn , Vesel Halitajn e shumë të tjerë kanë lavdëruar organizimet e tilla duke bërë apel që ato të jenë më të shpeshta, e pse jo, edhe më masovike.
Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka vlerësuar lart angazhimet e Shoqatës për të vënë lidhje të forta mes trojeve. “ Kur shqiptarët janë bashkë, si në këtë Manifestim, vërejnë se janë të njëjtë, vërejnë se janë vëllezër të një gjaku e të një kombi. Përmes takimeve të tilla ruhet tradita, kënga dhe vallja e bukur shqipe”, është shprehur Kurti.
Në pjesën artistike këngëtarët nga Ansambli “Shqiponja” e Malësisë së Madhe, Arton Nikprelaj e Anton Lulgjuraj kanë sjellë para pjesëmarësve këngë të bukura shqipe për trimat, betejat e lavdishme dhe për tradiat shqiptare në atë truall etnik. Këngët “ Të fala të çon Malësia motër” dhe “Oj Kosovë mriz me zana” ishin vetëm një pjesë e programit që është kënduar nga i tërë publiku. Ka lënë përshtypje të mrekullueshme Anton Lulgjuraj edhe si aktor. Ai duke shpalosur vargje nga ngjarje nëpër mote e shekuj ka sjellë skenën e Malësisë në Kosovë.
Janë duartrokitur gjatë edhe prezantimet artistike të Shefki Halimit, Kadri Abazit, Sabit Ukës e Zenel Halimit, të cilët në mënyrën më natyrale kanë sjellë folkorin shqiptar të Kosovës Lindore në këtë Manifestim. Kanë shkëlqyer në këtë festë të madhe edhe Ansambli Autokton “ Rugova” , nxënësit e shkollës “Nde Mjeda” të Rakoshit dhe këngëtarët e njohur Mhill Krasniqi, Vëllezërit Çeta, Ismet Demaj dhe Enver e Azem Lukaj.
Kënga dhe vallja e bukur shqipe nuk është ndalur deri në orët e vona të natës së të shtunës.

E ngrohtë dhe e bukur edhe dita e dytë e Manifestimit
Edhe dita e dytë e manifestimit ishte me plot ngjarje e takime të bukura vëllazërore. Mikpritja dukagjinase për vëllezërit nga trojet etnike është parë me gjithë bukurinë në Fierzë dhe fshatrat tjerë të Kryedrinit, por ajo ka nisur në mënyrë spontane në Pejë. Rexhep Kaliçani, pasi mori lejën nga një grup qytetarësh, që po prisinin për të marrë në gosti ndonjërin prej pjesëmarrësve, ka marrë gjithë vëllezërit nga trojet etnike në restoranin e tij “Benedikt”. Pas kësaj ata bashkërisht janë gjendur në anën e Kryedrinit, pjesë kjo e Kosovës që u dëshmua me trimëri e mikpritje nëpër vite e shekuj. Manifestimi këtu ka nisur me një lojë futbolli mes të rinjve të ekipit “ Besa” dhe sportistëve të vegjël të Kryedrinit. Loja gjatë tërë kohës është shoqëruar me këngë e valle shqipe të pjesëmarrësve të Manifestimit. Pas kësaj pjesëmarrësit kanë bërë homazhe duke lartësuar kujtimin për dëshmorët e kombit të kësaj ane. Kjo festë e bukur ka vazhduar në Shtëpinë e Kulturës në fshatin Fierzë. Aty ishin bërë bashkë banorët e kësaj pjese të Kosovës. Edhe këtu janë dëgjuar fjalime rasti që kanë lavdëruar angazhimet e Shoqatës së Vëllazërisë dhe kanë ngritur nevojën për sa më shumë takime të tilla festive.
“ Festat janë të bukura kur vëllezërit e një kombi bëhen bashkë në një këngë, valle e në një sofër. Janë të bukura kur ata bashkërisht qajnë hallet e njëri-tjetrit. Fierza , të dy Albat dhe Radaci ishin dhe mbetën shembuj të mrekullueshëm të mikpritjes dhe angazhimeve të përbashkëta në emër të kombit dhe trojeve shqiptare”, është shprehur në fjalën përshëndetëse kryetari i Shoqatës “Martin Dreshaj”, Ukshin Jashari, kurse Ali Dacaj ka shpalosur kujtime nga fëmijëri, kur ishte nxënës në shkollën e Fierzës. “ Mësuesit e mi po i shoh këtu. Shpesh edhe vij nga Dacajt për të qenë bashkë me ta. Ata më mësuan alfabetin shqip, të cilin po e rujamë me vështirësi atje në Malësinë e Rozhajës, ka thënë Daci. Mulla Sadri Zeka bashkë me Naim Tahirajn, Vesel Halitajn, Avdi Sefën e shumë të tjerë janë angazhuar gjatë gjithë kohës që musafirët të ndjeheshin si në shtëpinë e tyre.
“ Takime të tilla mes vëllezërve të një kombi e gjaku duhet të kemi shumë e shpesh. Unë u drejtohem të gjithëve me një mesazh dhe ju lus të mos lejoni kurrë që dikushi të na përçaj e ndaj. Shqiptarët e të tri besimeve janë vëllezër dhe janë një komb sepse kanë të njëjtën traditë, të njëjtën gjuhë dhe këndojnë për të njëjtit trima e dëshmorë”, ka thënë Mulla Sadriu.
Duke përshëndetur këto angazhime, Pren Marashi, nga Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, ka kujtuar se amaneti i dëshmorëve ende nuk është bërë realitet i plotë. “ Me breza atdhetarët dhe në luftën e fundit ushtarët e lirisë na kanë lënë porosinë për bashkim kombëtar. Shqiptarët duhet të jenë të bashkuar dhe sa më pak duhet thënë ky është nga atje e ky tjetri nga këtu. Shqiptarët janë dhe duhet të jenë një”, ka thënë Marashi.
Mikpritësit e ditës së dytë të Manifestimit bashkë me pjesëmarrësit janë gjendur pastaj në ambientet e restoranit “Shpëlla e Bobit” për të vazhduar festën përmes këngës e valles së përbashkët deri në orët e mbrëmjes së të dielës.
Në ndarje të gjithë janë zotuar se do të vazhdojnë se angazhuari në emër të vëllëzërisë dhe kulturës, arsimit e traditës kombëtare.

Rrahman Jasharaj

KOMENTOJE