Kryetari dhe deputeti i UDSH-së, Ferhat Dinosha, u ka bërë ftesë deputetëve të partive të tjera shqiptare

Kryetari dhe deputeti i UDSH-së, Ferhat Dinosha, u ka bërë ftesë subjekteve të tjera politike shqiptare dhe deputetëve të tyre që të formojnë klubin e përbashkët të deputetëve në Parlamentin e Malit të Zi.
Në një shkresë dërguar partive dhe listave të tjera shqiptare që përfaqësohen në Parlamentin e Malit të Zi, Dinosha ka thënë se deputetët shqiptarë të partive dhe listave shqiptare “kësaj radhe duhet të formojmë patjetër grupin e vet parlamentar për shumë arsye”.
Sipas Dinoshës, klubi do të përbëhej nga katër deputetët e UDSH-së, Forcës së Re Demokratike, Listës Shqiptare dhe Koalicionit Shqiptar “Perspektiva”.
Sa i përket kryetarit të Klubit, Dinosha ka thënë se ai parimisht do të duhej të ishte nga UDSH-ja, pasi që kjo parti ka fituar më tepër vota në zgjedhjet parlamentare.
“Por, për hir të tejkalimit të gjendjes jo të mirë në bashkëpunimin e ndërsjellë”, kryetari i UDSH-së propozon që “kryetari i Klubit të zgjedhet sipas mekanizmit të rotacionit, që do të thotë që çdo deputet yni të gjendet edhe në krye të Klubit”.
Kryetari i parë i Klubit do të ishte deputeti i UDSH-së, kurse më pas kryetarë të Klubit me mandat njëvjeçar do të ishin deputetët e subjekteve të tjera shqiptare në bazë të parimit të numrit të votave.
Pas formimit të Klubit të deputetëve, sipas Dinoshës, do të emërohej sekretari i tij.
Kryetari dhe deputeti i UDSH-së u ka kërkuar subjekteve të tjera shqiptare që të marrin pjesë në Parlamentin e Malit të Zi që të përgjigjen me shkrim në ofertën e tij deri më 20 maj. / I.K. Koha Javore/

KOMENTOJE