Depolitizimi i diasporës – Çfarë roli mund të luaj diaspora në raport me subjektet politike në vendlindje?

Një ndër dilemat apo sfidat kryesore të diasporës shqiptare pothuajse që nga egzistenca e vet, ka qenë dhe është se a duhet që kjo diasporë të inkuadrohet në politikat partiake që udhëheqen në vendlindje dhe nëse po, në çmasë dhe nivel duhet bërë ky inkuadrim. Një dukuri e tillë dual në pah, ndoshta si asnjiherë më parë, në zgjedhjet e fundit parlamentare të muajit mars në Mal të Zi, për të cilat pati aq shumë komente,debate dhe regime, dhe jam i bindur se edhe në të ardhmen do të vazhdohet të shkruhet dhe flitet për këto zgjedhje, por pyetja që vetvetiu n’a imponohet në këte moment, është se:

– Cili duhet të jetë roli i diasporës karshi veprimtarisë politike në vendlindje?
Nëse i hidhet një shikim i shkurtër historik i diasporës shqiptare, organizatave të ndryshme të saja, por edhe mediumeve që veprojnë në këte diasporë, vërehet një karakteristikë e përbashkët në përgjithësi e veprimtarisë së tyre, e kjo është atdhetarizmi. Ishte vizioni dhe ideali i kësaj diaspore me moton “Atdheu mbi të gjitha” që i fitoj asaj reputacionin dhe respektin e jo vetëm të faktorit politik dhe intelektual në atdhe , por edhe shumë personaliteteve të tjera të huaja që në një mënyrë apo tjetër ishin ose janë të njohur apo të involvuar me çështjen shqiptare në Ballkan.
Rolin e diasporës shqiptare, sidomos asaj të SHBA –ve , më së miri e ka përshkruar kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha me rastin e intervistës për gazetën shqiptaro-amerikane “Illyria” në muajin shkurt të këtij viti , ku në mes të tjerash thot: “…Diaspora e ka kryer me dinjitet të madh, me përkushtim dhe atdhetarizëm të flakët, të gjitha detyrimet e saj ndaj vendit dhe kombit”.
Një përshtypje e tillë ndaj diasporës mund të arrihet vetëm nëse edhe më tutje vazhdohet të udhëhiqet një politikë kombëtare nga ana e organizatave, shoqatave etj. që përfaqësojnë diasporën shqiptare, e jo politikë lokale e partiake.
Me formimin e disa partive politike nacionale të shqiptarëve në Mal të Zi koplikohet dhe vështirësohet situata, jo vetët për vet shqiptarët në Mal të Zi, por edhe për diasporën dhe qendrimin e saj në raport ndaj këtyre subjekteve politike. Mu për këte kufizohet ndërhyrja e diasporës në çështjet politike në vendlindje për disa arsy:

– Së pari, pothuajse të gjitha Organizatat e Komunitetit të Diasporës në SHBA janë organizata apolitike , të pavarura dhe me status jo-profitues dhe angazhimi i tyre në përkrahjen e ndonji subjekti të veçant politik apo angazhimi i tyre në fushatat parazgjedhore të ndonji kanditati politik apo parti politike në vendlindje, është në kundërshtim me programin dhe statusin e tyre të pavarur organizativ;

– Të gjitha Shoqatat dhe Fondacionet e Komunitetit në përbërjen e vet kanë anëtarë të cilët përkrahin apo simpatizojnë kandidat apo parti politike të ndryshme në vendlindje, dhe do të ishte një sfidë tepër e madhe dhe pothuajse e pamundur që këto organizata të përkrahin unanimisht një kandidat apo subjekt politik të veçantë në fushatat parazgjedhore në vendlindje. Paramendoni pasojat e një situate të tillë sikur të gjitha Shoqatat dhe Fondacionet në diasporë të dalin me kandidatin apo subjektin politik të tyre të preferuar, para zgjedhjeve parlamentare (apo lokale) në vendlindje!
Kjo do të krijonte konfuzitet, amulli dhe do të kishte efekte negative me elemente përçarëse, në rradhë të parë, për vet diasporën shqiptare;

– Gjithashtu, përkrahja e ndonjë subjekti politik të veçantë në vendlindje nga ana e organizatave të diasporës, do të ishte një mesazh i gabuar për bashkëvendasit tanë në atdhe duke marrur parasysh faktin se diaspora shqiptare ka qenë konsistent në angazhimin e vet për unifikimin e faktorit politik shqiptar dhe kjo vlen jo vetëm për shqiptarët në Mal të Zi, por edhe për viset tjera shqiptare në Ballkan.

– Tentativat për influencimin e zgjedhjeve në vendlindje nga ana e
ndonjë organizate të diasporës, janë dëshmuar të gabuara dhe të dëmshme.
Ndërhyrjet e pabalancuara dhe favorizuese, nga ana e diasporës apo elementeve të saja, në hapësirën politike në vendlindje, së pari i humbin kredibilitetin diasporës si faktor i rëndësishëm unifikues dhe së dyti përjashton mundësinë e ndërhyrjes ose ndërmjetësimit të kësaj diaspore,
nga pozita neutrale ,në rast inicimi eventual të bashkimit të subjekteve politike shqiptare.

Ndërkombëtarizimi i çështjes shqiptare, përkushtim i përhershëm i diasporës

Roli kryesor i diasporës ndaj vendlindjes duhet të vazhdojë të jetë ai çfarë ka qenë edhe në të kaluarën dhe me të cilin kjo diasporë ka treguar sukses, e ky është ndërgjegjësimi (sensibilizimi) dhe lobimi i vazhdueshëm i çështjes shqiptare në Ballkan në rend të parë pranë Kongresit dhe Administratës Amerikane si dhe pranë organizatave relevante ndërkombëtare.Me pavarësimin e Kosovës nuk merr fund ndërkombëtarizimi i çështjes shqiptare në Ballkan. Me keqardhje mund të konstatojmë se pozita e asaj pjese të popullit që jeton jashtë shteteve amë të Shqipërisë dhe Kosovës, është ende e paknaqur. Prandaj edhe më tutje diaspora duhet t’a ngreh zërin pranë qendrave vendimmarrëse të botës demokratike me rastin e shkeljeve të të drejtave shqiptarëve në Mal të Zi Luginën e Preshevës , të Maqedonisë dhe gjetiu.
Gjithashtu, me rastin e protestave dhe reagimeve në mbrojtje të vëllazërve dhe motrave tona në atdhe, diaspora do të duhej të flasë me një zë, pikësëpari për arsy se efekti i reagimit të përbashkët i disa shoqatave dhe fondacioneve është më i madh dhe së dyti, nëse diaspora dëshiron të këshillojë subjektet politike në vendlindje që të flitet me një zë, sidomos për çështjet me iteres të përbashkët kombëtar, atëherë së pari vetë diaspora duhet të veprojë në këtë mënyrë.
Sa i përket zgjedhjeve pluraliste në vendlindje diaspora duhet gjithnjë të bëjë presion ndaj subjekteve politike shqiptare për një kualicion të përgjithshëm parazgjedhor , kurse votuesve shqiptar t’u këshillohet që të votojnë për partitë nacionale shqiptare. D.m.th. është me rëndësi edukimi dhe ndërgjegjësimi i elektoratit shqiptar.

Ska dyshim , që subjektet politike shqiptare kanë përgjegjësi ndaj elektoratit të vet dhe bëjnë gabime (nganjëherë edhe të pafalshme), por mos të harrojmë për asnjë moment se fajtor kryesor për pozitën e pavolitshme të shqiptarëve në Mal të Zi, gjithnjë mbetet partia që udhëheqë me pushtetin qendror (PDS) dhe akuzat, duhen vazhdimisht të drejtohen ndaj këtij pushteti.
Sa i përket votuesve, shoqatat dhe fondacionet në diasporë mund të luajnë edhe një rol tjetër të rëndsishëm. Duhet të bëhen analiza lidhur me dukurinë e një numri të konsiderueshëm të shqiptarëve në Mal të Zi që votojnë për PDS (partinë në pushtet). Është e drejtë e secilit që të votojnë sipas dëshirës së vet, por është e padrejtë që vota të përcaktohet nga interesi ekonomik apo përfitimi material personal.Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm që fatkeqësisht, kjo është një realitet i fushatave parazgjedhore në vendlindje, kurse organizatat e komunitetit në diasporë duhet të bëjnë çmos që përmes ndihmave materiale , të mundohen t’ju përmirësojnë gjendjen e vështirë ekonomike, të gjithë atyre individëve apo grupi të individëve në vendlindje të cilët, mu për këto shkaqe ekonomike, votojnë kundër dëshirës së vet. Kjo dukuri me f
jalorin popullor njihet si “shit-blerja e votave”.

Sa i përket procesit zgjedhor , organizatat e diasporës, sipas mendimit tim , duhen të inkuadrohen në mbikqyrjen (monitorimin) e zgjedhjeve në vendvotimet shqiptare me qëllim që të vërtetohet votimi i lirë dhe demokratik i çdo qytetari. Shumë organizata vendase dhe të huaja,
vazhdimisht marrin pjesë në vëzhgimin e zgjedhjeve, por unë nuk kam informata që ndonjë organizatë e diasporës shqiptare të jetë e inkuadruar në këtë proces.

Edhe vendlindja ka obligime dhe përgjegjësi ndaj diasporës së vet

Çfarë pritet (kërkohet) nga faktori politik shqiptar(por jo vetëm nga faktori politik) në raport me diasporën?

– Të mos shihet diaspora vetëm si burim i plotësimit të nevojave humanitare dhe finansiare në vendlindje, por edhe si faktor i rëndësishëm në marrjen e vendimeve për të ardhurën e vendlindjes dhe kombit;

– Të lirohemi nga botëkuptimi i gabuar sipas të cilit mendohet se atdheu dhe kombi mund të ndihmohen vetëm nga vendlindja dhe se çështja kombëtare është e drejtë ekskluzive e subjekteve politike dhe e liderëve të tyre.Që atdheu mund të shërbehet edhe nga larg, këte e dëshmon roli i pamohuar historik i diasporës që nga pavarësia e Shqipërisë e deri te pavarësia e Kosovës;
– Partitë politike në vendlindje nuk duhet të përdorin organizatat e
ndryshme ose individë të caktuar në diasporë,për arritjen e qëllimeve të tyre politike në atdhe. Mosegzistimi i degëve të partive politike shqiptare nga Mali i Zi në diasporën e SHBA –ve (edhe përkundër tentimeve në të kaluarën), dëshmon faktin se kjo diasporë nuk dëshiron të njolloset me ngjyra të ndryshme politike;

-Të organizohen takime me bashkatdhetarët në vendlindje (e pse jo nga administratat lokale si p.sh. ajo e Komunës së Ulqinit dhe asaj të Tuzit) me rastin e vizitave që këto bashkatdhetar i bëjnë vendlindjes gjatë pushimeve verore. Jam i bindur që kjo i shërben fuqizimit të marrëdhenieve, komunikimit të mirëfilltë dhe afrimit të ndërsjelltë.

Xheladin Zeneli – Ish- Deputet në Parlamentin e Malit të Zi
Qershor 2009 Nju Jork

KOMENTOJE