Vazhdojnë bisedimet për formimin e klubit të deputetëve shqiptarë në kuvendin e Malit të Zi

Deputetët shqiptarë në Kuvendin e Malit të Zi nuk kanë arritur akoma të merren vesh rreth formimit të Klubit të deputetëve shqiptarë në Kuvendin e Malit të Zi.
Sipas burimeve tona edhe gjatë ditëve të fundit kanë vazhduar bisedimet për formimin e klubit të përbashkët parlamentar të deputetëve të Forcës së Re Demokratike, Listës Shqiptare dhe Koalicionit “Perspektiva”, por deri tani nuk ka pasur rezultate konkrete.
Kohë më parë kryetari dhe deputeti i UDSH-së, Ferhat Dinosha, u ka bërë ftesë subjekteve të tjera politike shqiptare dhe deputetëve të tyre që të formojnë klubin e përbashkët të deputetëve në Parlamentin e Malit të Zi.
Në shkresë dërguar partive dhe listave të tjera shqiptare që përfaqësohen në Parlamentin e Malit të Zi, Dinosha ka thënë se deputetët shqiptarë të partive dhe listave shqiptare “kësaj radhe duhet të formojmë patjetër grupin e vet parlamentar për shumë arsye”.
Por edhe pse ka kaluar afati kur është dashur që partitë shqiptare të përfaqësuara në Parlamentin e Malit të Zi të përgjigjen në shkresën e tij, nga UDSH nuk kanë bërë të ditur nëse dikush nga partitë shqiptare i është përgjigjur ftesës së tyre.
Forca e Re Demokratike në mënyrë indirekte ka bërë të ditur se e refuzon ftesën e UDSH-së. Kjo parti ka bërë të ditur se Këshilli i saj qendror ka vendosur që të zhvillohen negociata me Listën Shqiptare dhe me Koalicionin Shqiptar, gjegjësisht me deputetët e këtyre dy listave zgjedhore, Mehmet Bardhin dhe Amir Hollajn. /Koha Javore/

KOMENTOJE