Anëtarët e Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë – Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” janë mbledhur tok për të kremtuar dhe për këtë kishin dy arsye. Në një anë janë admiruar me gjithë atë vepër të madhe pune në bjeshkët shqiptare dhe e kanë parë hapjen e tunelit të Kalimashit si një hap gjigant drejt realizimit të idealit sublim për bashkimin kombëtar. Nga ana tjetër ata përmes këngës, valles e recitimeve të bukura kanë festuar edhe për hapjen solemne të ambienteve të punës për Shoqatën e tyre. Sa e sa herë ishte thënë se kjo Shoqatë është kthyer në një ambasadë modeste të Malësisë së Madhe kjo dëshirë u bë realitet fal vullnetit dhe përkrahjes së atdhetarit Gjon Pashk Dedëvukaj.
“ Përkrahja vëllazërore që vitin e kaluar na kishte arritur nga Shoqata Atdhetare “ Malësia e Madhe” na e kishte bërë shumë më të lehtë aktivitetin tonë gjatë gjithë vitit. Në angazhimet tona të shumta kemi edhe përkrahjen modeste nga miqtë e Shoqatës dhe nga pushteti lokal dhe për këtë në emër të gjithë anëtarëve dhe tërë Malësisë u kemi shprehur vazhdimisht falënderimin tonë. Kjo përkrahje po na jep vullnet e forcë për të vazhduar me ngritjen e urave të reja të vëllazërisë duke dhënë kontributin tonë modest për unifikimin dhe pse jo edhe për bashkimin e kombit në një valle, në një këngë e në një sofër”, tregon kryetari , Ukshin Jashari, teksa bashkë me aktorët e kësaj Shoqate po hapte në mënyrë solemne ambientet e punës.
“ Atdhetari Gjon Pashk Dedëvukaj e bëri ëndrrën tonë realitet. Gjithmonë kemi pasur dëshirë ta kemi një ambient pune në të cilin do të punonim për Shoqatën dhe do të arkivonim dokumentacionin, fotografitë dhe gjithë dokumentarin për punën e përbashkët të veprimtarëve nga Malësia e Madhe, Kosova Lindore dhe trojet tjera shqiptare. Gjoni kishte dëgjuar për punën dhe angazhimet tona nga motra jonë Shqipe Dedëvukaj, por edhe nga veprimtarë e atdhetarë të tjerë. Ai shprehu gatishmërinë për t’i kompletuar me mjete pune ambientet e Shoqatës dhe ashtu edhe bëri”, shpjegon Ukshini.
Aktorët e Shoqatës, që janë prezantuar me qindra herë kudo në Kosovë e trojet tjera për Malësinë dhe në emër të saj, ishin bërë tok në ambientet e bukura të punës. Ata i janë mirënjohës Gjonit dhe gjithë atyre që e duan dhe e ndihmojnë Shoqatën.
“ Po ndihemi të lumtur sot edhe për hapjen e rrugës drejt Shqipërisë mëmë edhe për hapjen solemne të ambienteve të Shoqatës sonë. Këto ambiente janë edhe një si muze sepse shpalosin gjithë angazhimet tona, por janë edhe vend i takimeve e vend pune të vëllezërve nga të gjitha trojet tona etnike. Nga sot në Shoqatën tonë ka ritme të reja pune sepse frymojmë më lirshëm dhe kemi vend për ushtrime e për përgatitje për programet tona”, shprehet Qëndresa, e cila është veprimtare dhe aktore e shquar e Shoqatës. Edhe Shpejtimi, Qëndrimi, Fjolla, Ariani, Fatjeta e Blerina shprehin respektin e tyre ndaj Gjon Pashk Dedëvukajt duke i premtuar se në të ardhmen do të ketë edhe më shumë punë e angazhime të tyre. Ata urojnë që Gjoni ta vizitojë Kosovën dhe nga afër të shoh angazhimet e Shoqatës dhe të jetë pjesë e festave të trojeve etnike.
Edhe sekretari Frashër Rraci bashkë me nënkryetarët Sali Lukaj, Ismet Demaj e Rexhep Abazi i shprehin respekt Gjonit për këtë përkrahje vëllazërore.
“ Përkrahja e Malësisë së Madhe, e Gjonit dhe e gjithë vëllezërve tonë në të ardhmen do ta lehtësojë shumë aktivitetin tonë dhe do të bëhet lum i fuqishëm i ndihmës që disa nga ne në Kosovë i ofrojmë Shoqatës në mënyra të ndryshme”, thotë Frashri.
Hapja e këtyre ambienteve të punës do t’ua bëj shumë më të lehtë kontaktet dhe takimet me këta veprimtarë vëllezërve tonë nga Malësia e Madhe dhe nga trojet tjera. Shoqata nga sot ka adresë të plotë dhe ambiente të bukura pune e takimesh vëllazërore.
Rrahman Jasharaj