Nuk ka kaluar as një muaj kur Presidenti Sejdiu pas mospjesmarrjes në ceremoninë e presidentit të ri të Maqedonisë, nuk merr ftesë as për Samitin e shteteve të Europës Juglindore të mikpritur nga Mali i Zi.
Pas Presidentit maqedonas Ivanov, Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu është anashkaluar edhe nga presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanovic. Mediat kosovare bejne te ditur sot se në Samitin e presidentëve të shteteve të Evropës Juglindore me moton “Diversiteti i pasurisë kulturore-menaxhimi dhe promovimi turistik”, që do të mbahet nesër në Cetinë, në ftesat zyrtare të presidentit Vujanovic nuk është përfshirë edhe ftesa për presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu.
Një gjë e tillë është bërë e ditur sot nga kabineti i presidentit të Malit të Zi, ndërkohë që zyra e shtypit të Presidentit të Kosovës ende nuk ka reaguar lidhur për këtë.
Në këtë forum do të marrin pjesë shtetet e Evropës Juglindore.
Gjatë punimeve të Forumit, të organizuar nga UNESCO, – organizata më e madhe ndërkombëtare e angazhuar në sektorët e edukimit, shkencës dhe kulturës, do të diskutohet mbi bashkëpunimin rajonal, politik, arsimor e kulturor mes vendeve të Evropës Juglindore. Gjithashtu, pjesëmarrësit do të diskutojnë për kontributin e UNESCO-s në rajon, Shqipëri e Kosovë.
Ne kete forum, Shqiperia do te perfaqesohet nga presidenti Bamir Topi qe do te zhvilloje edhe takime dy paleshe me Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviç dhe me homologë e drejtues të tjerë të lartë, pjesëmarrës në Forum.
Në ftesat që ka shpërndarë Vujanovic ka munguar ajo për Presidentin e Kosovës.
Sejdiu nuk mori pjesë as në ceremoninë e inagurimit të Presidentit të ri të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, ndërsa në ceremoni u thirrën kryetarë shtetesh nga të gjitha shtetet e rajonit.
Sejdiu anulloi më pas një vizitë të lajmëruar në Shkup, vetëm pasi mori konfirmimin nga Presidenti maqedons që vizita të ishte private dhe jo zyrtare.
Alternativa Shqiptare, vlerëson se vendimi i Vujanoviq është skandaloz
Sot ka reaguar Alternativa Shqiptare e cila këtë vendim të presidentit të Malit të Zi e ka vlerësuar si mohim për shtetin e Kosovës. Mbas deklaratës së Maroviq i cili kohë më parë pati thënë se Mali i Zi pavarësinë e Kosovës nuk e ka pranuar me vullnetin e tyre por nga presionet e jashtme, Mali i Zi po vazhdon me përkrahjen e politikës serbe.
Kosova është shtet i pavarur, i pranuar nga shumica e shteteve të Bashkimit Evropian si dhe nga shteti më i fortë në botë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku të njëjtën gjë e bëri edhe qeveria e Malit të Zi.
Është e papranueshme që presidenti Vujanoviq të mohoj vendimin e qeverisë së vet.
Kjo tregon qartë se Vujanoviq nuk respekton vendimet e qeverisë, gjegjësisht pavarësinë e Kosovës.
ASH pret se si do të reagojë udheheqësia lokale e komunës së Ulqinit ndaj këtij vendimi të Vujanoviq, në fillim të këtij sezoni turistik.
Presim se si do të reagoj edhe Unioni Demokratik (UDSH) e cila është partner i Vujanoviqit dhe qeverisë së tij, i cili po përul Kosovën, në mes tjerash reagon ASH-ja.