Topi i del zot Kosovës në samitin e Cetinës

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi gjatë samitin të shtatë të krerëve të shteteve të Evropës Juglindore, në Cetinjë të Malit të Zi, ka theksuar domosdoshmërinë e përfshirjes së shtetit të ri, demokratik e shumetnik të Kosovës në forume dhe nisma rajonale, ndërsa ua ka tërhequr vërejtjen homologëve të tij rajoni se, “nuk mund t’i mbyllim sytë kur ka realitete të reja gjeopolitike në rajon”.

Gjatë fjalës së kreut shqiptar në Forumin Rajonal për Korridoret Kulturorë në Evropën Juglindore, që po zhvillohet në Cetinjë të Malit të Zi, një vend të spikatur zuri edhe Kosova.

“Ashtu edhe çdo nismë tjetër me karakter turistik apo kulturor rajonal nuk mund të lerë jashtë as ekzistencën e aspak kontributin po aq të çmuar të popullit të Kosovës dhe të këtij vendi sa të bukur aq edhe të lashtë në historinë e vjetër dhe aq të vyer në historinë e re të tolerancës dhe të bashkëjetesës etnike dhe atë të besimeve”, ka thënë Topi.

Duke marrë parasysh përgjegjësinë shumë të madhe që ka lidershipi i Kosovës në ruajtjen e trashëgimisë së paçmueshme kulturore dhe fetare në Kosovë, përgjegjësi të cilën, qeveria e Kosovës e ka me përkushtim të madh, përjashtimi i saj nga ky forum – sipas presidentit Topi – nuk i shërben interesit të përgjithshëm të rajonit.

“Kosova duhet të luajë me përgjegjësi një rol në këmbimet rajonale të politikave, ekonomisë, kulturës e sporteve. Është gjithashtu në interesin edhe të vendeve që akoma nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës të pranojnë angazhimin që qeveria e Kosovës do të ushtrojë në përgjegjësitë për ruajtjen e kulturës, në bashkëpunim me fqinjët”, tha ai.

Topi po ashtu ka thënë se, “ne nuk mund të mbyllim sytë kur ka realitete të reja gjeopolitike në rajon”.

Në mbyllje të fjalës së tij, presidenti Topi vlerësoi se: “Republika e Kosovës përbën sot shembullin se si e ardhmja e bashkëjetesës së fëmijëve tanë sfidon të kaluarën, sado e dhimbshme qoftë ajo, se si në rajonin tonë nuk ka vetëm një histori të shkuar por edhe një shpresë për një të ardhme të re të përbashkët ku të gjithë ne duhet të besojmë dhe ta mbështesim”.

Kreu i shtetit shqiptar, gjatë këtij samiti u takua me homologë nga Mali i Zi, Kroacia, Maqedonia, Bosnje-Hercegovina, Serbia, etj, si dhe me sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Terry Davis dhe drejtorin e përgjithshëm të UNESCO-s, Koichiro Matsuura.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, është i vetmi që po mungon në Samitin e presidentëve të shteteve të Evropës Juglindore, që po mbahet në Cetinjë të Malit të Zi.

Kryetari i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, ka shpjeguar pse presidenti i Kosovës, nuk është ftuar në këtë samit. Vujanoviq ka thënë se Samiti është organizuar në bashkëpunim me UNESCO-n dhe Këshillin e Evropës dhe se ato organizata kanë rregullat e tyre.

Ai ka rikujtuar se vitin e kaluar një takim i tillë është bërë në Athinë, ku po ashtu Sejdiu nuk ka qenë i ftuar. UNESCO është organizatë e specializuar e Kombeve të Bashkuara dhe Kosova nuk është anëtare e asaj organizate botërore. Presidenca e Kosovës ka thënë se Sejdiu nuk merr pjesë në këtë takim për shkak se organizator i takimit është UNESCO-ja dhe jo Mali i Zi.

Siç ka mësuar Radio Evropa e Lirë, arsyeja për mosthirrjen e Sejdiut është në faktin se “Mali i Zi dhe Kosova ende nuk kanë vendosur marrëdhënie të ndërsjella diplomatike”. /Telegrafi/

Dy parti shqiptare në Mal të Zi kritikojnë presidentin malazez

Dy parti politike shqiptare në Mal të Zi – Unioni Demokratik Shqiptar dhe Alternativa Shqiptare – kanë kritikuar Presidentin malazez Filip Vujanoviq sepse në samitin e shefave të shteteve të Evropës Juglindore nuk është ftuar presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu.

Samiti po mbahet në Cetinje, ndërsa në të po marrin pjesë presidentët nga Shqipëria, Sllovenia, Serbia, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Bullgaria dhe kryesuesi i Presidencës së BeH.

Siç ka mësuar Radio Evropa e Lirë, arsyeja për mosthirrjen e Sejdiut është në faktin se “Mali i Zi dhe Kosova ende nuk kanë vendosur marrëdhënie të ndërsjella diplomatike”. /qik/

KOMENTOJE