Shqipëria dënohet në minutat shtesë – Shqipëri 1 – Portugali 2

Ka ndodhur ajo që jo pak herë nga ngjarë me ekipin tonë kombëtar, pësimi i golit në sekondat e fundit të ndeshjes dhe për pasojë kapitullimi. Kuqezinjtë tani pothuajse e prekën sërish një tjetër barazim historik, ashtu si në Braga muaj më parë. Por goli i Bruno Alveshit bëri që në stadiumin “Qemal Stafa” të pllakosë qetësia. Mërzitje, trishtim, madje dhe lot. J
o se një pikë e marrë do të na zgjidhte shumë punë, por do t’u tregonim edhe një herë portugezëve që nuk jemi të lehtë për t’u thyer. Për t’u treguar edhe rivalëve të tjerë, si Hungaria, apo Malta që kot e keni ndalur Shqipërinë, por ja që ato sekonda të fundit të shtesës na bënë “gjëmën”.
Dhe të vjen më shumë inat kur sheh lojën që bëri kundërshtari ynë. Jo se ekipi ynë kombëtar ka bërë paraqitjen e tij më të mirë, por edhe Portugalia nuk ishte ai i emrave të mëdhenj, si Ronaldo, Deko, Nani, apo Karvalho. U treguan shumë konfuzë dhe ndoshta fati i ndihmoi në shtesë. Ndoshta edhe Zoti i kompensoi për atë barazim në Portugali, ku në fakt atje duhet thënë që ishim ne me fat. Por kujtojmë që atë ditë në portë kishim një portier si Beqja, mungesa e të cilit u ndje sërish.
Jo se Hidi luajti keq, madje ishte shumë më mirë se paraqitjet e fundit, sidomos krahasuar me ndeshjen e fundit me Danimarkën. Por Hidi ka peshën e tij të fajit në golin e dytë të Portugalisë, ku dalja e tij ishte me vonesë dhe e pastudiuar mirë. Dhe ky gabim i ul ndoshta edhe notën në këtë ndeshje, kur deri në ato momente ishte në lartësinë e duhur, për të mos thënë më i miri. Duhet thënë që në pjesën e parë ekipi ynë luajti shumë më mirë, kishte iniciativa, krosime, inkursione individuale dhe goli i shënuar nga Bogdani nuk ishte i rastësishëm.
Shpresojmë që çlirimi i Bogdanit, sidomos në një ndeshje të tillë, t’i shërbejë sulmuesit për të shënuar gola të tjerë, pse jo që në miqësoren këtë mërkurë me Gjeorgjinë. Ishin Hidi dhe Bogdani protagonistët e kësaj ndeshje, prandaj analizuam më shumë këta, por kjo nuk do të thotë që të tjerët ishin dobët, përkundrazi. Cana tregoi se mbetet shtylla e mbrojtjes sonë në ndeshje të tilla, po ashtu edhe Curri u paraqit mirë. Një paraqitje mbi nivelin e ndeshjeve të fundit edhe për Vangjelin. Ndoshta mund ta kishim kapur në befasi mbrojtjen portugeze në disa raste, por mungoi shpejtësia në shumë raste. Rreziku numër një për ekipin tonë, Kristiano Ronaldo, pothuajse nuk është ndier. Shumë pak veprime dhe goditjet standarde të tij pa ndonjë rrezik të madh. Por ja që kujtojmë shprehjen që “fati ndihmon më të mirin”. Dhe ky fat i takoi Portugalisë, po shumë fat ama, sepse nëse ai aksion nuk do të kishte përfunduar me gol, Shqipëria do të krenohej edhe një herë. Dy herë do të ishte mrekulli, por kjo ëndërr u sfumua sërish, ashtu si shumë të tjera nga ekipi kombëtar.
Trajneri Kuzhe e nisi me humbje këtë aventurë në krye të kuqezinjve, por askush nuk mund ta qortojë për këtë. Shumë pak kohë në dispozicion për të ndërtuar një ekip sipas dëshirave të tij. Plus faktit që përballë ishte Portugalia, trajneri kësaj radhe është më i justifikuari. Trajneri kroat ka një tjetër provë për fatin e tij të mirë. Të mërkurën do të presim Gjeorgjinë në një ndeshje miqësore dhe Kuzhe mund të provojë lojtarët që ka në dispozicion, natyrisht duke bërë edhe spostime rolesh, apo taktika të ndryshme. Eshtë koha për të marrë një fitore, sepse një gol e shënuam pas kaq kohësh “agjërim”, kur kishim 4 ndeshje pa shënuar. Përballë është Gjeorgjia, një rival që e kemi mundur, madje edhe me shumë gola. Le të ishte kjo fitore për trajnerin dhe publikun, që ka harruar të festojë për fitoren e fundit, e ndodhur kjo me Maltën brenda në fushën tonë.

*****

Shqipëri Portugali 1-2
Shënues: Bogdani 29’/ H.Almeida 27′, B.Alves 93′
Shqipëria: Hidi, Vrapi, Curri, Cana, Vangjeli, Beqiri, E.Bulku, Skela (Bylykbashi 94′), Agolli, K.Duro (Berisha 87′), Bogdani (Salihi 65′). Trajner: J.Kuzhe
Portugalia: Eduardo; Bosingëa, R.Carvalho (Nani 76), B.Alves, Duda, Pepe, R.Meireles, Deco; C.Ronaldo, H.Almeida (Edinjo 69′), Boa Morte (Simao Sabroza 46′). Trajner: K.Kueiroz
Gjyqtarë: F.Mayer, C.Kadach, S.Glindemann (Gjermani)
Kartonë të verdhë: Curri, Agolli / Meireles, Pepe