Prizreni jehoi zëshëm Rroftë BASHKIMI KOMBËTAR

Të gjitha rrugët që niseshin nga trojet etnike ishin mbushur me dasmorët e festës së madhe të Lidhjes së Prizrenit. Lumi i bukur i këtyre njerëzve po shpaloste pamje të bukura të veshjeve kombëtare në këtë qytet të traditës e lashtësisë shqiptare. Prizreni po shpaloste para mysafirëve faqe të historisë kudo në rrugë e monumente të traditës sonë të bukur. Bukur e kishte ruajtur këtë historinë e lavdishme të Lidhjes edhe përgjegjësi i Kompleksit të kësaj ngjarje madhore, mr.sc. Parim Kosova. E takojmë në zyrën e tij dhe i tregojmë se disa vëllezër nga Malësia kreshnike kanë pyetur nëse gjenden këtu fotografitë e trimave si Smajl Martini, Lukë Marku, Marash Uçi, Marash Marku, Ali Pashë Gucia e Çun Mula. Parimi na pret me atë mikpritjen e vërtetë shqiptare dhe tregon se fotografitë janë pjesë e një ekspozite të madhe në Tiranë, por për të mos na kthyer pa asgjë na dhuron nga një libër me titullin Personalitetet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Parimi është autor i kësaj vepre kapitale e në të janë bërë bashkë, si dikur, personalitetet e shquara të kombit. Aty janë edhe fotografia e Smajl Martinit dhe atdhetarëve të tjerë nga trojet etnike. E urojmë këtë intelektual për punën e madhe dhe i dëshirojmë fat e suksese në punë e jetë. Pastaj nisemi bashkë me anëtarët e Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë- Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”, që si gjithmonë kishte bërë bashkë në festa Ansamblin Autokton “Rugova” nga Alpet Shqiptare, Ansamblin “Shpëtimi” nga Medvegja e Kosovës Lindore, Ansamblin “Selman Kadrija” nga Burimi dhe nxënës artistë nga shkolla “Tetë Marsi” dhe “Ndre Mjeda”. Sheshi në Prizren nisi të jehojë fuqishëm Rroftë BASHKIMI KOMBËTAR.

“Prizren i historisë ta kemi sjellë sot në festë Malësinë e Madhe, Koosvën Linodre, Alpet Shqiptare dhe Dukagjinin. Edhe sot kur po festojmë këtu nuk harrojmë se dielli i lirisë ende nuk ka aguar në Malësinë e Madhe e në Kosovën Lindore”, është shprehur kryetari i Shoqatës, Ukshin Jashari.
Përfaqësuesi nga Malësia, Anton Lulgjuraj ka shpalosur edhe një herë ngjarje tronditëse nga Malësia dhe ka kujtuar Prizrenin e Kosovën se atje ende mbahen të prangosur bijtë e truallit shqiptar. “ Jam krenar pse ndodhem mes vëllezërve në këtë festë të madhe, por e vëreni se në fytyrat tona mungon buzëqeshja e ngrohtë. Mungon sepse vëllezër tanë po mbahen ende padrejtësisht në burg dhe vazhdojnë t’u bëhen gjyqe të padrejta e të montuara”, është shprehur Antoni për ta lidhur pastaj fjalën e tij me vargjet nga “O moj Shqipni”.
Prezantimi i trojeve ka vazhduar me këngën “Therret Prizreni o moj Shkodër”, interpretuar në mënyrë mjeshtërore nga këngëtari IIsmet Demaj. Pas kësaj Ansambli “Shpëtimi” i Medvegjës ka sjellë porosi nga ai truall shqiptar.
“Kemi besën dhe ndërgjegjen mos ta lëmë Serbi Medvegjën”, ishin vargje nga kënga e Xhemajli Berishës, të cilin e shoqëruan këngëtarët tjerë nga ky ansambël, që janë paraqitur denjësisht edhe në interpretime me instrumente frymore shqiptare. Pjesë e shkëlqyer e festës në Prizren ishte edhe prezantimi dinjitoz e shumë artistik i anëtarëve të Ansamblit Autokton “Rugova”. Ata me vallet e tyre kanë sjellë në Prizren fragmente nga e kaluara kreshnike e Rugovës dhe trojeve tjera shqiptare. Bukur janë prezantuar edhe valltarët e Ansamblit “Selman Kadrija” me valle burimore, kurse këngëtari Azem Lukaj i shoqëruar nga këngëtarë e artistë të Shoqatës me këngën “ Xhamadani vija-vija” kanë bërë që Prizreni të jehojë me zërin e bukur të festës.
Edhe defilimi i motoçiklistëve nga “Shqiponja” e Prizrenit dhe trojet tjera etnike bashkë me aktivitete të tjera të organizuara nga Rrjeti i Organizatave Shqiptare ishin pjesë e bukur e festës. Po ashtu edhe Kuvendi Komunal i Prizrenit kishte bërë gjithë angazhimet dhe me aktivitete domethënëse ka bërë që festa të ishte madhështore dhe moment i bukur i bashkimit të trojeve në një vend e në një këngë. Ngjarjet e festës po shënoheshin njëra pas tjetrës e Prizreni vazhdonte të jehonte Rroftë BASHKIMI KOMBËTAR.

Rrahman Jasharaj

KOMENTOJE