Letër e hapur Ferhat Dinoshës nga SHV Kosovë – Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”

Tmerr o Dinoshë, ti po shkel mbi zërin dhe vullnetin e malësorëve dhe Malësisë

Dinoshë, si zëdhënës i Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë – Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” çdo ditë hap faqet e malësia.org dhe marr me kujdes nga aty çdo informatë që ka të bëj me rrjedhat e jetës në Malësi e pastaj kam detyrë të informojë kryesinë e Shoqatës me to. Kur lexova reagimin e z. Nikollë Camaj dhe të Këshillit Drejtues të Frontit të Bashkuar Shqiptaro-Amerikan, nënshkruar nga vëllezërit Andy Apolloni e Paulo Traboini u stepa. I lexova serish dhe nuk doja të besoja e as që kisha guxim të përgatitja ndonjë version për t’u paraqitur para kryesisë së Shoqatës. Mendova se Nikolla dhe Andy e Pauloja janë hidhëruar me ty personalisht dhe po duan të të bëjnë për pesë para, por me punoi koka dhe e kërkova në internet gazetën antishqiptare e pro serbe “Pobjeda” të 20 qershorit. Çdo shkronjë e cituar me fjalët tuaja me goditën si çekan. Atë shkrim kobzi po e ruaj në arkivin e Shoqatës. Ti Ferhat paske gjetur forcë nga kolltuku i qelbur i një ministri në shërbim të huaj e kundër zërit të malësorëve të “vlerësosh” se Tuzi nuk mundet drejt statusit të komunës. Turp qe besa. Turp e shumë herë turp. Ferhat ti more votën e malësorëve, të një pjese, për të qenë zë i Malësisë e jo për ta shkelur me të dy këmbët vullnetin e këtij trualli shqiptar të Dedë Gjo Lulit. Ferhat, ktheje kokën drejt Deçiqit dhe do të dëgjosh zërin bashkë me të edhe mallkimin e Dedës e atdhetarëve tjerë kundër kësaj deklarate kobzeze.

Dinoshë, Shoqata ishte irrituar me deklaratat tuaja edhe në të kaluarën lidhur me aksionin famëkeq kundër Malësisë dhe malësorëve dhe ta ka thënë në fytyrë çfarë mendojmë ne.

Dinoshë, unë nuk jam malësor, por jam shqiptar dhe kryej me krenari shumë detyra në emër të kombit tonë në Kosovë dhe ndjehem krenar pse jam zëdhënës i Shoqatës “Martin Dreshaj”. Malësia për mua dhe për anëtarët e Shoqatës është vendlindja e dytë. Është sepse atje shumë familje shqiptare në kohën e katrahurave e të ditëve të errësirës nga bisha e Karpateve kishin gjetur zemra e dyer të hapura. Dinoshë ajo Malësi i mbrojti nderin shumë shqiptarëve nga Kosova dhe prandaj unë e shumë të tjerë ndjejmë borxh për tërë jetën që të jemi me të. Ti Dinoshë numërohesh se je shqiptar, malësor dhe banor nga ai truall etnik shqiptar. Ti shkove deri në kolltukun e ministrit me votën e këtyre njerëzve dhe si ua ktheve besimin? Ua ktheve duke shkelur me të dy këmbët në vullnetin legjitim të tyre. Edhe njerëzit që nuk kanë as edhe një ditë shkollë, po që janë rritur në frymën atdhetare, do të akuzojnë për një deklaratë të tillë. Po ta kishte thënë Cetina, apo soji i Bullatoviqit këtë gjë kundër Malësisë dhe zërit e vullnetit të saj, kjo do të ishte në rregull, por kur e the ti, kjo është tmerr. Ndoshta gjuha dhe shkronjat sllave që të shoqërojnë në atë ministri të kanë bërë të harrosh se kush je e çka je. Ferhat, Shoqata jonë ka ngritur zërin kundër padrejtësive që i janë bërë Malësisë. Do ta ngritim zërin edhe tani e gjithmonë e në atë zë të protestës do të përmendet për të keq edhe emri yt. Dinoshë ne kemi mbajtur shumë protesta në mbrojtje të Malësisë dhe jemi bërë një zë për këtë truall etnik. Ti je kthyer, bazuar në shkrimin e “Pobjeda” në një telall të Cetinës e të dhunuesve të vullnetit të malësorëve. Ferhat, po të tregojmë se në faqet e historikut të Shoqatës sonë po shënohesh si një njeri i kolltukut dhe si një njeri, që nuk di ku është e kush është. Ne e në të njëjtën kohë edhe ti nuk mund të quhemi shqiptarë se shqiptari kodo është duhet ta mbrojë të drejtën legjitime të kombit të tij.

Ferhat , mandati e kolltuku shkojnë e nuk kthehen, por faqja e zezë mbetët. Ferhat ,mos shkel mbi zërin dhe vullnetin e malësorëve e Malësisë. Mos se mallkimi i varreve e eshtrave të atdhetarëve të zë dhe do të të ndjek nëpër kohë e nëpër vite të pleqërisë sate, që do të jetë e shëmtuar dhe e keqe.

Zëdhënësi i Shoqatës:
Rrahman Jasharaj

KOMENTOJE