PER, rol të madh në avancimin e të drejtave të pakicave

Ministri Ferhat Dinosha priti delegacionin e projektit për marrëdhënie etnike

Podgoricë – Ministri për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Ferhat Dinosha, tha të premten se Projekti për Marrëdhënie Etnike ka luajtur rol të madh në avancimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi, në takimin që zhvilloi me delegacionin e kësaj organizate të kryesuar nga kryetarja Livia Plaks.
Dinosha i njoftoi përfaqësuesit e PER-it me planet që Ministria për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave do t’i realizojë gjatë këtij viti.
Ai theksoi se e ka përkrahjen e përfaqësuesve relevantë të pakicave që nenet 23 dhe 24 të Ligjit mbi të drejtat dhe liritë e pakicave (të cilat i ka shfuqizuar Gjykata Kushtetuese e Malit të Zi) të rikthehen në Ligjin ekzistues.
Nga ana tjetër, Plaks i uroi punë të suksesshme ministrit Dinosha dhe i ofroi ndihmë për realizimin e projekteve të cilat kjo ministri ka parashikuar t’i realizojë këtë vit.
Në kumtesën për opinion të Ministrisë për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave theksohet se ministri Ferhat Dinosha dhe kryetarja e PER-it, Livia Plaks, shprehen gatishmëri për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet këtyre dy institucioneve për të mirën e proceseve demokratike në Mal të Zi. /kohapress/

KOMENTOJE