Ceremoni tradicionale me rastin e diplomimit të Maturantëve të shkollës së mesme ''25 Maji'' në Tuz

Një nga gjeneratat më të mira

Këtë vit shkollor në Shkollën e Mesme “25 Maji” në Tuz kanë diplomuar 127 maturantë, prej të cilëve 37 me sukses të shkëlqyeshëm. Drejtori i kësaj shkolle, Mark Berishaj, i uroj maturantët për suksesin e arritur duke theksuar se “kjo është njëra nga gjeneratat më të mira që ka dhënë kjo shkollë”. Në këtë solemnitet u shpallën edhe nxënësit e gjeneratës, Zoja Vulaj dhe Edvina Veliu.

Tuz – Me një ceremoni madhështore tradicionale, të hënën në QIK “Malësia” u bë ndarja solemne e diplomave maturantëve të Shkollës së Mesme “25 Maji” në Tuz, të diplomuar në vitin shkollor 2008/2009.
Drejtori i kësaj shkolle Mark Berishaj i uroj maturantët për suksesin e arritur duke theksuar se “kjo është njëra nga gjeneratat më të mira që ka dhënë kjo shkollë”.
Në këtë solemnitet u shpallën edhe nxënësit e gjeneratës, Zoja Vulaj dhe Edvina Veliu.
Ndihmësdrejtorja e Shkollës së Mesme “25 Maji”, Vitore Lulgjuraj, ndau me këtë rast për nxënësit më të mirë të gjeneratës që mësimet i kanë vijuar në gjuhën shqipe, Zoja Vulaj, Anton Lulgjuraj dhe Anton Vulaj, shpërblimet e Fondacionit “Malësia e Madhe” nga Nju Jorku, në vlerë prej 700 dollarësh amerikanë.
Ajo falënderoi Fondacionin “Malësia e Madhe” në emër të Gjimnazit “25 Maji”, maturantëve dhe prindërve të tyre për kontributin dhe përkrahjen që ky fondacion ka dhënë për arsimin dhe ngritjen e kapaciteteve intelektuale të kuadrove të rinj, si dhe për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës në vendlindje.
Përveç maturantëve të diplomuar në ceremoni morën pjesë edhe prindërit e tyre dhe stafi arsimor i Shkollës së Mesme “25 Maji”.
Këtë vit shkollor në Shkollën e Mesme “25 Maji” në Tuz kanë diplomuar 127 maturantë, prej të cilëve 37 me sukses të shkëlqyeshëm.
Ceremonia u mbyll me shpalljen e maturantëve të diplomuar nga drejtori i Shkollës Mark Berishaj, pas së cilës kapelat fluturuan në ajër në shenjë gëzimi për diplomim.
Shkolla e Mesme “25 Maji” në Tuz është e njohur në tërë Malin e Zi për mënyrën protokollare të ndarjes së diplomave dhe ceremoninë unike që zhvillohet me këtë rast. /M. Gjokaj/kohapress/

KOMENTOJE