Tubim i krijuesve malësorë

Në Tergajë u mbajtën takimet letrare në kuadër të manifestimit tradicional “Vera në Cem”

Tuz – Në një ambient të mrekullueshëm pranë lumit Cem, të dielën në mbrëmje u mbajtën “Takimet letrare” që organizohen në kuadër të manifestimit tradicional “Vera në Cem”, i cili organizohet nga SHKA “Gruda”.
Në fjalën hyrëse, kryetari i SHKA “Gruda”, Rrok Gjolaj, foli për rëndësinë e këtij manifestimi dhe në veçanti të kësaj mbrëmjeje e cila tuboi shumë krijues nga Malësia.
Ai shpalli po ashtu të hapur fillimin e manifestimit “Vera në Cem 2009“, i cili do të zgjasë deri më 15 gusht, në ditën e “Zojës së Grudës”.
Kryetari i Komunës Urbane të Tuzit, Smail Çunmulaj, në fjalën e rastit përgëzoj SHKA “Gruda” për kontributin e saj në ruajtjen dhe avancimin e kulturës, me theks të veçantë letërsisë.
Pas recitimit të poezisë së Pater Pashko Gojçajt kushtuar Nënë Terezës nga moderatorja e mbrëmjes Liridona Sinishtaj, më pas u lexuan poezi të Vasel Margilajt, Zef Gjuravçajt, Dimitrov Popoviqit, Kolë Vulajt, si dhe u lexuan fragmente nga romanet e Kolë Ujkë Dedivanajt e Anton Gjuravçajt.
Këtë mbrëmje e freskuan vogëlushet Tereze dhe Valentina Berishaj të cilat recituan poezinë e gjyshit të tyre, Gjon Berishaj, me titull “Mikpritja në Malësi”.
Në fund SHKA “Gruda” ndau disa fletëfalënderime autorëve që morën pjesë në këtë mbrëmje, ndërsa poeti Gjon Berishaj shpërbleu organizatorin e këtij manifestimi me botimet e tij.
Manifestimi “Vera në Cem” po merr përmasa dhe karakter të gjerë si manifestim i cili ka një karakter të shumanshëm duke filluar nga ai kulturor, sportiv, rekreativ dhe zbavitës. /kohapress/

KOMENTOJE