Taçi tërhiqet nga Bolonja

Dështon tratativat për blerjen e klubit “Bolonja” nga presidenti i kompanisë “Taçi oil”

Rezart Taçi është tërhequr përfundimisht nga synimet që kishte kompania e tij për të blerë 80 për qind të aksioneve të klubit të Serisë A italiane, Bolonja.Kjo është përgjigjja që i ka dhënë në distancë biznesmeni shqiptar familjes Menarini, e cila shpresonte ende në një vazhdim të tratativave për blerjen e kësaj skuadre.
“Mund të konfirmoj se nuk bëmë efektive marrëveshjen e arritur para pak ditësh. Por detajet nuk mund t’i bëj publike tani”, ka deklaruar Taçi për “Top Channel”.
Pak ditë me parë ai ka pasur një takim edhe me kryeministrin italian, njëkohësisht presidentin e Milanit, Silvio Berluskoni, takim që ndoshta ka ndikuar në vendimin e tërheqjes së Rezart Taçit, sipas mediave italiane, për një ofertë më të mirë.
Por vetë presidenti i kompanisë “Taçi Oil” përgënjeshtron një gjë të tillë.
“Është e vërtetë që pata një takim me kryeministrin Berluskoni në Palazzo Chigi, por nuk besoj se kryeministri italian, me gjithë problematikat që ka, të flasë edhe për çështjet e futbollit”, është shprehur Taçi.

Janë të shumta aludimet që bëhen për tërheqjen e Taçit nga oferta që kishte bërë për Bolonjën. Mediat italiane flasin për një problem bilancesh të kompanisë “Activa” të familjes Menarini, apo për mbivlerësim aksionesh, por duket se është një ndryshim preferencash klubesh për Rezart Taçin, i cili pohon se ka ende interes për klubet e Serisë A dhe se shpreson që në sezonin e ri emri i tij do të jetë mes presidentëve të këtij kampionati.
“Ne vazhdojmë të mbetemi të interesuar për futbollin dhe tregun energjetik italian. Qeveria italiane i ka hapur rrugë projekteve tona energjetike. Shpresoj që të arrij që këtë sezon të jem i pranishëm në Serinë A”, ka shtuar Taçi.