Pasi që gati nuk kanë lënë vend në Kosovë pa vizituar për të bashkëbiseduar me njerëzit për Malësinë dhe problemet e shumta që janë atje, Shoqata e Vëllazërisë Kosovë- Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” ka nisur të ngrit ura të bashkëpunimit e bashkimit edhe me pjesë të atdheut Mëmë. Ishte ngritur bashkëpunimi e ishte ngritur zëri për Malësinë mes pjesëtarëve të Shoqatës Atdhetare “Dukagjini” të Shkodrës para disa ditësh për të vazhduar urat lidhëse edhe me Ansamblin Folklorik Visaret e Krrabës” dhe me banorë të asaj ane nga Qarku i Tiranës. Kryetari i këtij Ansambli në zë, Ilir Selba, bashkë me artistët e këngës e valles shqipe Kadri Likrama, Fadil Salihu e Avni Lami kanë vizituar vëllezërit e tyre në qendra të shumta të Kosovës për t’u gjendur mes anëtarëve të shumtë të Shoqatës “Martin Dreshaj”. Ata kanë prezantuar historikun plot arritje të Ansamblit të tyre dhe kanë shprehur gatishmërinë që tani e gjithmonë të jenë pjesë e aktiviteteve të Shoqatës nga Peja, që po lidh penjtë e atdheut. Ata janë zotuar se në Kosovë do të vazhdojnë të prezantohen me vlera të larta të folklorit shqiptar dhe do shtrojnë hapur në bisedat, kudo në Shqipëri, problemet me të cilat vazhdon të ballafaqohet Malësia e Madhe dhe Kosova Lindore. Në takimet e shumta me anëtarët e Shoqatës “Martin Dreshaj” ata janë njoftuar me aktivitetet e bëra dhe janë pajtuar që bashkërisht të bëhen një zë edhe më i fortë i Malësisë dhe për Malësinë.
“ Do të jemi bashkë në një këngë e në një valle me vëllezërit nga trojet etnike. Jemi fort të lumtur për mikpritjen që kemi hasur mes anëtarëve të Shoqatës, që është emër i Kosovës dhe i Malësisë së Madhe e heroike. Do të bëhemi pjesë e zërit për Malësinë dhe do të insistojmë mes njerëzve në Shqipëri që ta ngritin zërin në mbrojtje të të drejtave legjitime të Malësisë”, ka thënë Ilir Selba nga “Visaret E Krrabës”, i cili, duke përsëritur edhe një herë, se shqiptarët janë një kudo jetojnë, ua ka zënë për të madhe institucioneve në Shqipëri pse nuk kanë ngritur zërin e tyre për hallet e mëdha që ka Malësia dhe vëllezërit tonë atje.
Kryetari i Shoqatës “Martin Dreshaj” Ukshin Jashari, bashkë me nënkryetarët Sali Lukaj e Ali Daci, me sekretarin e përgjithshëm Frashër Rraci dhe zëdhënësin Rrahman Jasharaj kanë përcjellë këtë delegacion nga shteti Mëmë në takime me zyrtarë të lartë të pushtetit lokal të Pejës.
Pasi ka dëgjuar me vëmendje për angazhimet e shumta artistike e kulturore të Visaret E Krrabës” , shefi i administratës lokale të Pejës, Naim Sahiti, u ka thënë vëllezërve nga Shqipëria se Peja krenohet me angazhimet dhe gjithë aktivitetet që është duke bërë Shoqata e Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”.
“Me organizimet e bukura të Manifestimeve nga kjo Shoqatë deri tani në Pejë e Dukagjin kemi pasur pjesëmarrës nga shumë troje etnike. Gëzohem që në prillin e vitit të ardhshëm mes tyre do të jenë edhe Tirana e Shkodra. Pejës do t’i shtohet madhështia me defilimin e e pjesëmarrësve në veshjet e bukura kombëtare nga të gjitha trojet. Kjo Shoqatë ishte dhe mbetet zëri i Malësisë dhe për Malësinë “, është shprehur Sahiti duke u dëshiruar mirëseardhje vëllezërve nga Shqipëria.
“Po gëzohemi kur po ndodhemi tok me vëllezërit nga trojet etnike, por gëzimi ynë është i plotë kur do të marrin lajme të mira nga Malësia e Madhe e Kosova Lindore, por për fat të keq nga atje lajme të tilla ka kohë që nuk kemi dëgjuar. Anëtarët e Shoqatës sonë jetojnë në Kosovën e lirë, por ata në shpirt nuk ndjehen të qetë e të lirë. Nuk do të ndjehemi as në të ardhmen derisa vëllezërit tonë në Malësi nuk i gëzojnë të drejtat e tyre. Ne ndjehemi pjesë e tyre dhe ndjejmë në shpirt e zemër gjithë dëshpërimin dhe ankthin që ndjejnë ata”, është shprehur në këtë takim kryetari i Shoqatës “Martin Dreshaj”, Ukshin Jashari.
Këto takime vëllazërore i kanë hapur rrugë një bashkëpunimi të fuqishëm . Prilli në Kosovë do të sjellë Ansamble e artistë nga të gjitha trojet etnike. Malësia e Madhe, Kosova Lindore, Dukagjini, Shkodra, Tirana dhe qytete e qytete nga trojet shqiptare do të bëhen bashkë në një këngë, në një valle e në një sofër. Do të bëhen bashkë një zë i fuqishëm për Malësinë. Do të bëhen bashkë në rrugëtimin drejt integrimeve dhe bashkimit të kombit tonë.
Rrahman Jasharaj