Kumtesë për opinion e Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Mal të Zi

Këshilli Nacional i Shqiptarëve në Malin e Zi, si institucion i cili përfaqëson dhe prezanton shqiptarët, duke qenë jetësisht i interesuar për realizimin e të drejtave dhe interesave të shqiptarëve në Malin e Zi, këto ditë në qendër të vëmendjes ka projektet e Ligjeve që Qeveria i vuri në diskutim publik: Projektligjin për Organizimin Territorial të Malit të Zi dhe Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit të Vetqeverisjes Lokale.
Në këtë vazhdë Komisioni për dispozita i KNSH-së , me pjesëmarrje edhe të deputetëve shqiptarë si dhe të dy udhëheqësve më të lartë të KU të TUZIT (në përberje të zgjeruar), në dy mbledhjet e veta shqyrtoi projekt ligjet në diskutim , me theks të veçantë në , Projektligjin për Organizimin Territorial të Malit të Zi, për arsye të interesimit tonë jetik për formimin e komunës së plotë të Tuzit, në kufijtë natyrorë të Malësisë.
Në mbledhjen e zgjeruar, pas një shqyrtimi të gjithanshëm, ku pati shumë propozime e sugjerime, Komisioni konstatoi:

Meqenëse projektligji në fjalë nuk përmbush kriteret themelore, nuk parasheh dhe praktikisht as që mundëson realizimin e formimit të Komunës së plotë të Tuzit, KNSH-ja, gjegjësisht Komisioni për Dispozita do t’i dërgojë Propozuesit vërejtjet konkrete si vijojnë :
– Në nenin 7 të Projektligjit në fjalë, paragrafi 1, pas Komunës së Tivatit duhet të rreshtohet Komuna e Tuzit, kurse në pikën 16 a po të nenit 7 të përcaktohet përfshirja territoriale e Komunës së Tuzit, në kufijtë natyrorë të Malësisë.
– Sa i përket Projektligjit për Ndryshimin e Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, meqenëse ky Projektligj nuk mundëson decentralizimin e njëmendtë në përputhje më praksën demokratike dhe Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale, vlerësojmë se edhe më tej ruan centralizimin e pushtetit qendror ndaj komunave , dhe për këtë arsye propozojmë që ky të bëhet nga fillimi.

kryetari,
Tahir Tahiri

KOMENTOJE