Flet për malesia.org udhëheqësi artistik i Ansamblit “Diaspora”, Gjergj Dedvukaj

Erdha në vendlindje, por nuk ma bëhu zemra të kthehem në Amerikë pa vizituar Kosovën

Ishin bërë bashkë këngëtarë e valltar nga Ansambli “Bashkimi Kombëtar”, Grupi i valltarëve “ Rozafati” dhe Ansambli “Rugova” nga Neë Yorku për të nisur rrugëtimin mijëra kilometrash drejt truallit të Dedë Gjo Lulit. Ata duke treguar kështu se shqiptarët në SHBA janë bashkë në shërbim të kombit dhe të ruajtjes së traditave e artit të bukur shqiptar, janë prezantuar bukur në Festivalin Gjithëkombëtar “Rrapsha 2009”.
“U vërtetua se kur janë të bashkuar shqiptarët nga të gjitha trojet puna u shkon e bukur dhe e mbarë. Edhe ne me forca të përbashkëta e të ndihmuar nga koreografja Angjelina Nika u prezantuam denjësisht në festival duke u stolisur me vendin e tretë që për ne është nder i veçantë. Në vendlindje u takova me shumë vëllezër. Anëtarët tjerë të Ansamblit tërë kohën më flisnin me admirim për mikpritjen në Malësi dhe unë ndjehem krenar. Në Amerikë po kthehemi ballëhapur sepse kemi shpalosur me mjeshtri pikat e programit dhe jemi pritur ngrohtë nga malësorët. Jemi krenar edhe nga fakti se solisti i Ansamblit tonë, Haki Krasniqi u stolis me vendin e parë”, flet në Pejë për malësia.org, udhëheqësi artistik i Ansamblit “Diaspora” , Gjergj Dedëvukaj. Ai pastaj tregon se një pjesë e anëtarëve bashkë me të nuk mund të vendosnin kurrsesi të ktheheshin në Amerikë pa vizituar Kosovën.
“Nga larg e përmes shkrimeve e letrave kam gjetur shumë vëllezër në Kosovë. Kisha dëgjuar shumë për Ansamblin Autokton “Rugova” dhe dëshiroja të takohesha me anëtarët e tij. Po ashtu në Amerikë shqiptarët kanë shprehur gjithmonë admirimin e tyre për luftën dhe sakrificat sublime të shumë trimave në rrugëtimin drejt lirisë së Kosovës dhe të gjithë njëzëri kërkuam ta vizitojmë këtë truall shqiptar e të gjendemi para varreve të dëshmorëve për t’u shprehur respektin e merituar. Nuk mund të ktheheshim nga kemi ardhur pa kaluar bile disa orë në Prekazin e në Gllogjanin e historisë. Kjo aq më tepër kur mes nesh është edhe anëtarja më e re e këngëtarja e talentuar Donjeta Krasniqi. Ajo tani ka mbushur 7 vjet, por ka dëgjuar shumë për trimat e lirisë së Kosovës”, flet Gjergji e në bisedën e tij marrin pjesë edhe Tomë Gjergji, Rrustem Ulaj, Sadik Gjokaj e Shaban Lajçi.
Shabani nuk po fshehte dot krenarinë pse bashkëvendësit e tij kishin përgatitur një pritje plot befasi të këndshme për të dhe anëtarët tjerë të Ansamblit “Diaspora.”

“Kur jemi kështu bashkë Zoti i ndihmon angazhimet tona për kombin. Ansambli “Rugova” me dekada ka mbajtur gjallë këngën dhe vallen autoktone të Alpeve shqiptare. Jam krenar që isha dhe mbeta pjesë e kësaj tradite të bukur”, thotë Shabani dhe emocionet i vërehen në sy . Fytyrën ia lagin lotët e mallit e të gëzimit teksa po bëhej pjesë e valleve të bukura autoktone të Rugovës.
“E treguat se të bashkuar jemi të fortë dhe mund të shpalosim vepra të mëdha të artit. Meritoni respekt të lartë sepse edhe në SHBA po mbani të gjallë kujtesën për trimat e kombit dhe po kultivoni e ruani mes brezave traditën , gjuhën dhe kulturën tonë. Sa bukur dikush nga ju është me prejardhje nga Drenica, dikush nga bjeshkët e bukura të Rugovës e dikush nga Malësia e madhe dhe ja sa e bukur luhet vallja e përbashkët. Unë ju përgëzoj për këtë angazhim dhe kam nderin t’ a uroj vëllain Gjergjin për lirimin e tre vëllezërve tonë nga burgu famëkeq i Shpuzit dhe Ju ftoj të lutemi edhe sot e bashkë që edhe vëllezërit tjerë të lirohen dhe që Malësisë t’i kthehet gazimi e ta përcjellë fati tani e gjithmonë”, ka përshëndetur kryetari i Shoqatës “Martin Dreshaj”, Ukshin Jashari.

Gjergji në vazhdim të bisedës së tij për malësia. Org tregon se një arsye e madhe që po e shtynte ta vizitojë Kosovën pa u kthyer në Amerikë është edhe obligimi që ndjente për t’u takuar me anëtarët e Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë- Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”
“Në malësia.org kemi lexuar shpesh për angazhimet dhe aktivitetet kulturore e kombëtare të kësaj Shoqate. Ajo me krenari e dinjitet po mban emrin e një burri të madh nga Malësia. Kjo Shoqatë është bërë zë i Malësisë nga Kosova dhe ka punuar shumë e po angazhohet me Malësinë e për Malësinë. Këta djelmosha e vasha gëzojnë respekt të madh mes shqiptarëve në SHBA. U takova me ta dhe ua përcolla gjithë admirimin dhe përshëndetjet e shumë e shumë malësorëve nga vendbanime të shumta në SHBA. Ata me modesti folën për veprimtaritë momentale të tyre dhe premtuan se do të vazhdojnë me angazhimet e përbashkëta me vëllezërit nga trojet e etnike duke krijuar ura të reja të vëllazërisë. U kam premtuar se me një delegacion malësorësh nga SHBA do të jemi pjesë e Manifestimit të tyre Tradicional në 10 vjetorin e punës së suksesshme të kësaj Shoqate në prillin e vitit të ardhshëm”, thotë Gjergji. Ai pastaj bashkë me anëtarët tjerë të Ansamblit “Diaspora” kanë marrë pjesë në një program të përbashkët artistik me Ansamblin “Rugova” , Ansamblin “Selman Kadrija” dhe me artistë të Shoqatës “Martin Dreshaj”.
Këtë takim vëllazëror e kanë bërë edhe më të bukur me prezantimet e tyre Frashër Rraci e Ismet Demaj

Rrahman Jasharaj

KOMENTOJE