Kumtesë, 31.08.2009
Projekt ligji për organizimin territoriale të Malit të Zi, i cili është në diskutim publik, ka nxitur polemika dhe reagime nga individ apo subjekte të ndryshme politike.
Nuk ka dilemë së temë qendrore është mundësia e themelimit të komunave të reja kërkesa këto të cilat janë paraqitur më kohë nga subjekte të ndryshme politike, sidomos pas aplikimit të pluralizmit në Mal të Zi. Në ketë aspekt me kërkesa të tilla vazhdimisht janë paraqitur subjektet politike shqiptare duke kërkuar statusin e komunës së plotë të Tuzit për territorin e Malësisë.
Paraqitjet publike të këtyre ditëve nga subjektet politike parlamentare në lidhje me këtë çështje të kujtojnë fushatat parazgjedhore por me një dallim se subjektet opozitare janë për formimin e komunave të reja si ajo e Tuzit, Petnjicës, Zetës etj., ndërsa subjektet e pushtetit aktual(DPS-SDP) ende janë duke hezituar në ketë drejtim.
I përkujtojmë opinionit të gjerë se Komuna e Tuzit nuk është çështje partiake apo e klaneve të ndryshme por është çështje demokratike dhe e lirive e të drejtave të njeriut në Malin e Zi multinacional dhe multikulturor. Andaj është koha e fundit që Mali i Zi duhet të zbatojë në praktikë standardët demokratike evropiane duke mundësuar realizimin praktik të autonomisë lokale aty ku ekzistojnë kushtet optimale.
Ndarja e re territoriale në Mal të Zi duhet të jetë në favor të decentralizimit të pushtetit dhe të interesave të qytetarëve, ku duhet të integrohen edhe pjesëtarët e popujve pakicë apo pakicave nacionale përmes qeverisjes së pakicës duke ruajtur identitetin e tyre nacional. Nëse një kriter i tillë në kohën e monizmit nuk është marrë parasysh në vitin 1957 kur është bërë ndarja e fundit territoriale, në rrethana të tjera shoqërore pas 50 vitesh duhet të evitohen paragjykimet dhe të realizohet në praktikë barazia nacionale dhe qytetare përmes formimit të komunave të reja enkas për popujt pakicë apo pakicat nacionale.
Nga ana tjetër koncepti i organizmit territorial përmes Komunave urbane ku bën pjesë edhe KU e Tuzit është treguar jofunksional dhe si i tillë i dëmshëm për qytetarët e Malësisë. Andaj, një koncept të tillë demagogjik mund ta përkrahin vetëm ata të cilët në politikë janë të angazhuar për interesa të vogla personale e askush tjetër.
Ndërsa kriteri i qendrueshmërisë ekonomike, si bazë për komunën e Tuzit nuk mund të arsyetohet më agjë sepse në Mal të Zi ekzistojnë disa komuna që janë më numër më të vogël banorësh dhe me resurse me të vogla ekonomike. Por, është mungesa permanente e vullnetit politik të pushtetit për avancimin e Tuzit komunë me ingerenca të plota sikurse janë 21 komunat tjera në Mal të Zi.
Duke e konsideruar komunën e plotë të Tuzit si çështje kruciale për të gjithë shqiptarët në Mal të Zi FORCA fton të gjithë subjektet politike shqiptare që në ketë aspekt të jenë unik sepse ajo është në favor të egzistencës së entitetit tonë dhe mbrojtjes nga diskriminimi në ketë mjedis.
Në lidhje me këtë çështje ne do të sensibilizojmë opinionin e brendshëm dhe të jashtëm, duke ofruar argumente mbi mundësinë optimale të funksionimit të komunës së plotë të Tuzit.
Ulqin, 30.08.2009
Shërbimi për informim