Apel drejtuar Kreut të Qeverisë së Shqipërisë dhe të Kosovës

I nderuari vëlla Smajl Çunmulaj, e nderuara Malësi e Madhe, Shoqata e Vëllazërisë Kosovë- Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” lexoi me kureshtje apelin që z. Çunmulaj i ka drejtuar kreut të Shqipërisë. Ne i bashkohemi këtij apeli dhe letrën në vijim ia kemi drejtuar kreut të Shqipërisë dhe të Kosovës në këto adresa elektronike: kryeministri@km.gov.al, infpmo@ks-gov.net dhe indo@km.gov.al .

Letrën po e dërgojmë për botim edhe në malësia.org, në mënyrë që ju z. Çunmulaj dhe vëllezërit tonë kudo janë ta lexojnë e të njoftohen me përmbajtjen e saj. Me këtë veprim po ju dëftojmë edhe një herë se jemi me Malësinë dhe përkrahim me tërë shpirtin angazhimet për realizimin e të drejtave të tyre legjitime. Kjo është përmbajtja e letrës sonë:

I nderuri Kryeministër i Shqipërisë, z. Sali Berisha!
I nderuari Kryeministër i Kosovës, z. Hashim Thaçi!

Jam zëdhënës i Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë- Malësi e Madhe “ Martin Dreshaj” me seli në Pejë të Kosovës dhe në Tuz të Malësisë së Madhe. Që nga ditët e para të pasluftës mbajmë të gjallë bashkëpunimin me trojet etnike dhe jemi të informuar nga afër me gjendjen shumë të rëndë të shqiptarëve në tërë Malësinë e Madhe. Atyre po u mohohen të drejtat e elementare dhe aq më keq edhe po mbahen nën presionin e burgosjeve e të gjykimeve nëse e ngritin zërin për të kërkuar vënien në jetë të të Drejtave që garantohen edhe me Konventat ndërkombëtare. Malësorët kishin shpresuar shumë se Ligji i Decentralizimit në Mal të Zi do t’u plotësonte edhe atyre dëshirën e shprehur që moti e publikisht , për komunën e plotë të Malësisë, por realiteti po tregon se edhe me këtë Ligj, do t’u plotësohen të drejtat e kërkesat popujve të tjerë në Mal të Zi, por jo edhe shqiptarëve.

Të nderuarit Berisha e Thaçi

Shoqata jonë me admirim ka parë dhe i është gëzuar gjithë përpjekjeve e arritjeve të qeverive q ë drejtoni. Ka shikuar me admirim edhe qëndrimet Tuaja konkrete e domethënëse për shumë çështje të mëdha, andej merr guximin dhe realizon porosinë e qindra anëtarëve të saj që të Ju drejtohet me këtë letër dhe t’i bëhet edhe një zë shtesë apelit e kërkesës së kreut të Komunës së tashme urbane të Tuzit, z. Smajl Çunmulaj e gjithë Malësisë drejtuar shtetit amë , por pse jo edhe Kosovës që ta ngritin zërin dhe në takimet me kreun e Malit të Zi të kërkojnë sqarime pse vetëm shqiptarëve atje nuk u takuaka e drejta për organizim lokal sipas vullnetit ët tyre dhe normave ndërkombëtare. Arsyetimin e kreut të Malit të Zi se Malësia nuk mund të bëhet komunë e plotë ngase nuk mund të sigurojë mjete për të mbijetuar e funksionuar , të gjithë malësorët e kanë hedhur poshtë si të pabazë sepse , ata jetojnë aty dhe e dinë më se miri, se cilat janë mundësitë e funksionimit të mirëfilltë të Komunës dhe resurset e saj ekonomike, njerëzore e hapësinore.

Urojmë që kërkesa jonë të gjendet në tavolinat Tuaja të punës dhe , nëse keni ca minuta kohë , të na ktheni një përgjigje në dy a tre rreshta.
Në emër të anëtarëve të Shoqatës sonë Ju urojmë shëndet dhe arritje edhe më të mëdha në të gjitha sferat e punës dhe jetës.

Rrahman Jasharaj,
Zëdhënësi i Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” me seli në Pejë e në Tuz.

KOMENTOJE