Dy shtetet shqiptare, sikur nuk ekzistojnë fare

Ishim të robëruar, të rrahur, të vrarë e të përndjekur po i kënduam zëshëm Shqipërisë: “Shqipëri o nëna ime”. I kënduam dhe iu gëzuam çdo lajmi të mirë për të. Por çka? Kombi si tërësi nuk fitoi gjë. Shqipëria mbeti e shurdhër dhe e pa guxim për ta ngritur zërin ndaj hijeve sllavo-maqedonase, që po bëjnë çfarë u teket me shqiptarët në Malësi, Kosovë Lindore e trojet shqiptare nën administrimin e Maqedonisë. Eh, mori nëna jonë, fëmijët po të torturohen, po të burgosen, historinë tënde shekullore po e tallin e po përbuzin ata që nuk kanë as traditë, as komb e as identitet dhe çka ? Hiç gjë. Topi vjen në Mal të Zi dhe shqiptarët, që i dinë hallet e Malësisë dhe jetojnë me ato halle e dhembje, presin një fjalë burrash nga kryetari i shtetit amë. Presin që t’u lirohet pak fyti i shtrënguar nga litari i padrejtësive, por çka? Dy ditë më vonë Podgorica hap prapë dyert e Shpuzit për malësorët dhe Shqipëria në heshtje. Nuk i vjen as inati pak pse kjo ri burgosje ngjau fill pas vizitës së njeriut të parë të shtetit shqiptar. Shqipëria në emër të fqinjësisë së mirë dhe “paqes” në Ballkan nuk do ta hidhëroi hiç Cetinën. Eh, moj nëna jonë Shqipëri sa e sa njerëz janë kalbur burgjeve sllave pse i kënduan zëshëm këngët.

Nënë Shqipëri e motër Kosovë, qeveria e Maqedonisë dhe Akademia e saj antishqiptare e shumë proserbe botoi alamet libri , që e quan enciklopedi ,dhe shkeli e nëpërkëmbi historinë, jo vetëm atë të shqiptarëve nën administrimin e këtij shteti prej hiçi, po të gjithë kombit tonë dhe çka? Asgjë hiç. Dëgjohen vetëm reagime bajate të do krerëve të institucioneve të dy shteteve shqiptare. Dëgjohen reagime që të kujtojnë kohën e pushtimit të egër serb. Në ato kohë të liga kur policia vrastare kryente aksione tmerri në Kosovë,Këshilli i Drejtave të Njeriut dhe ndonjë parti delte në opinion dhe ishte bërë refren monoton fillimi i reagimeve: “Reagojmë ashpër kundër sjelljeve vandale të policisë serbe , e cila pa asnjë arsye ….” Kjo bëhej në atë kohë të ligë dhe asgjë tjetër. Edhe tani institucionet shqiptare në këtë stil reagojnë sa për të thënë dhe hiç e asgjë tjetër. Kuku për historinë e lavdishme shqiptare, kuku për trimat e betejave të lavdishme, që nuk ka mbetur kush t’i mbrojë sepse nga liderët shqiptarë në Shqipëri, Kosovë e besa edhe në Maqedoni dëshmorët e kombit e faqet e ndritura të historisë përmenden sa për të fituar duartrokitje nga masa dhe vota.

Sllavët po bëjnë çfarë po u tekët kundër shqiptarëve sepse janë të bashkuar, herë hapur, e herë pas kulimave e perdeve e liderët shqiptarë duan ta bëjnë copë-copë njëri-tjetrin. Fyhen e shtyhen me bërryla dhe duke pirë duhan e pije të shtrenjta e radhisin vetën e tyre në majat e atdhetarizmit e trimërisë. Intelektualët tonë , nga ana tjetër, nuk kanë kohë të punojnë në profesionet e tyre, po janë hedhur në shërbim, ca të një lideri e ca të një tjetri. Sllavët pushtues e okupues trojesh shqiptare kanë botuar dhjetëra e dhjetëra libra plot rrena duke himnizuar popujt e tyre e duke ofenduar e shtrembëruar historinë e popullit tonë. Intelektualët e shkrimtarët tonë nuk ia kanë ngenë për këtë. Sa libra u botuan në Kosovë për t’i ruajtur në kujtesë brezash gjithë ato ngjarje tragjike e plot vrasje nga vrasësit prej Karpateve? U botuan shumë pak. Shumë e shumë intelektualëve, artistëve e këngëtarëve shpirti e mendja u është bërë para. Nëse flet në qarqe intelektuale për atdhetarizmin dhe shkruan skenar a libër për kohët e katrahurave e vrasjeve, një pjesë e tyre edhe të tallin dhe të thonë zëshëm se duhet harruar ato ngjarje dhe se nuk bën t’u rikujtojmë të rinjve ato kohë vrasjesh se u mbesin trauma. Kërkohet ta varrosim të kaluarën thua se ne jemi fajtorët e gjithë tragjedive. Kërkohet ta harrojmë të kaluarën gjoja për hir të ardhmërisë, për të cilën as nuk dimë se çfarë do të jetë e besa kështu si po shkojnë punët hiç e mirë e as e ndritshme nuk do të jetë. Liderët shqiptarë në të dy shtetet, por edhe në Maqedoni e trojet tjera etnike historia do t’i vë në vendin që meritojnë. Sa për momentin aktual ata nuk kanë kohë të merren me çështje të kombit sepse janë duke përgatitur referate e fjalime për ta sharë e ofenduar njëri-tjetrin. E referate e shtyrje bërrylash nuk bëhen kurrë në emër të atdheut e historisë sonë, po në përpjekje për t’ia bërë mjegull popullit e për t’u ulur në karrige të buta.

Rrahman Jasharaj

KOMENTOJE