Kishin nisur një rrugëtim të mbarë këtë verë udhëheqës të Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë- Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”. Ata po mëtonin t’i vinin kurorë angazhimeve të tyre për 10 vjet me radhë duke i lidhur fijet e trojeve etnike në Shkodrën e diturisë, kulturës, traditës e besës shqiptare.
Nue Sanaj bashkë me gjithë anëtarët e kryesisë, anëtarët e Shoqatës Atdhetare “Dukagjini” dhe me zyrtarë e me gjithë popullin e Shkodrës kishin atë ditë dy festa sepse në njërën anë po kremtonin flamurin dhe vendin e parë e të merituar në Festivalin Gjithëkombëtar të Gjirokastrës, e në anën tjetër ishin bërë pjesë të lidhjes së penjve të atdheut. Ata po pritnin me burrëri e me traditën mikpritëse të kësaj ane vëllezërit e tyre të Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”. Aktivitetet e angazhimet këtu ishin të përbashkëta dhe me të njëjtin qëllim. Po viheshin gur të fortë në kalanë e përbashkët dhe po jehonte edhe një herë fuqishëm zëri për Malësinë e Madhe e për Kosovën Lindore.
Të 22 anëtarët e Shoqatës “Martin Dreshaj” fillimish janë gjetur në ambientet e bukura të restorantit “Tradita” . Atu janë takuar me kreun e Shoqatës mikpritëse dhe me pronarin e këtij objekti madhështor, që po ruante gjithë madhështinë e së kaluarës shkodrane. Pas kësaj takimet e bashkëbisedat kanë vazhduar në Bashkinë e Shkodrës . Njeriu i dytë i pushtetit lokal, Ahmet Omi, është ndier i nderuar për këtë vizitë dhe ka admiruar angazhimet e përbashkëta të këtyre dy Shoqatave . Ai pastaj mysafirëve u ka shpalosur fragmente nga angazhimet e shumta të pushtetit këtu me qëllim që jeta e njerëzve në Shkodër të bëhet për ditë e më e mirë. Ai ka rreshtuar pastaj arritjet në të gjitha sferat e jetës. Anëtarët e Shoqatës “Martin Dreshaj” janë shprehur të entuziazmuar me këto arritje dhe kanë uruar që Peja, Shkodra, Burimi e shumë troje tjera etnike të vënë lidhje të ngushta me Shkodrën sepse, si thanë ata, nga ky qytet i lashtësisë ka se çka të mësohet. “Sanaj, Dushi e shumë veprimtarë e atdhetarë të Shkodrës na kanë dhënë fuqi të vazhdojmë me aktivitetet dhe pikërisht në 10 vjetorin e punës së Shoqatës sonë o na vjen si stoli e bukur ky bashkëpunim me Shkodrën”, është shprehur në këtë takim Ukshin Jashari, kryetar i Shoqatës “Martin Dreshaj” duke i dorëzuar mikpritësit portretin e Adem Jasharit dhe një mirënjohje .
“ Kemi filluar të lidhim penjtë e trojeve etnike . Jemi mundur të kthehemi në zë të Malësisë së Madhe e të Kosovës Lindore sepse këto troje shqiptare janë të okupuara. Jemi krenar që angazhimeve tona po i vëmë kurorë sepse tani në këtë rrugëtim është edhe toka mëmë”, është shprehur në këtë takim , Rrahman Jasharaj, zëdhënës i Shoqatës “Martin Dreshaj”.
Shkodra dhe trojet tjera etnike në vallen dhe këngën e përbashkët
Po në ditën e parë të vizitës të 22 anëtarët e Shoqatës “Martin Dreshaj” janë bërë pjesë e një programi të bukur artistik, që mikpritësi e kishte titulluar “Të gëzojmë së bashku”. Në fillim kryetari i Shoqatës Atdhetare “Dukagjini”, z. Nue Sanaj ka mbajtur një fjalë përshëndetëse duke veçuar se: “ Ne jemi të një gjaku, të një gjuhe, të një kulture e të një tradite dhe prandaj bashkëpunimi mes nesh është i frymës vëllazërore. Uroj të na shkojë mbarë në realizimin e këtij misioni fisnik”, ka uruar Sanaj për të treguar pastaj se Shoqata që ai drejton ka shpallur anëtar nderi Ukshin Jasharin, Pal Dreshajn e prof. Rexhep Abazi. Ai ka pranuar nga vëllezërit e tij të Shoqatës “Martin Dreshaj” një mirënjohje dhe një punim artistik me trojet, ende, të ndara dhe me mesazhin që duke punuar bashkë trojet e shqipes do të bashkohen. Sali Lukaj, nënkryetar i Shoqatës “Martin Dreshaj”, i ka dorëzuar popullit të Shkodrës një mirënjohje publike në shenjë falënderimi për bukë, krip e zemër në vitet e vrara. Pas kësaj është shpalosur programi i përbashkët artistik. Frashër Rraci bashkë me Ukshin, Qëndrim e Shpejtim Jasharin, aktorë të shoqatës “Martin Dreshaj” akne kujtuar Shkodrën së vëllezërit tonë në Malësi të Madhe e Kosovë Lindore ende nuk gëzojnë të drejtat e tyre. Ata kanë kujtuar se bijtë tonë po i burgos horri dhe kanë kërkuar që trimat të ngrihen nga varret. Ja në prezantuar bukur edhe këngëtarë e artistë të Ansamblit “Shpëtimi” , të Ansamblit “Selman Kadrija” dhe këngëtari i talentuar Azem Lukaj. Bukurinë dhe gjallërinë kësaj feste i kanë shtuar edhe këngëtari Gëzim Zefi, Viola Shqau, Fran Kodra, Ndue Shytani e shumë të tjerë.
Një fjalë përshëndetëse dhe urimin për të vazhduar ky bashkëpunim e ka drejtuar sekretari i Shoqatës “Dukagjini”, Luigj Shyti.
Kënga e vallja e përbashkët ka vazhduar edhe në orët e vona të mbrëmjes në ambientet e bukura të restorantit “Tradita”. Pronari i këtij objekti me plot vlera, ka qëndruar mes vëllezërve nga trojet etnike duke ngritur dolli e duke i ftuar të ndjehen si në shtëpinë e tyre.
Në ditën e dytë të vizitës anëtarët e shoqatës “ Martin Dreshaj” të prirë nga mikpritësit kanë vizituar Muzeun e fotografive “ Marubi”, shtëpinë e trimit Oso Kuka, Kalanë e Shkodrës dhe kishën katolike shqiptare, që ishte buzë kodrës së Rozafës. Në ndarje janë këmbyer dhurata e adresa dhe ftesa për angazhime të përbashkëta edhe në të ardhmen. Shoqata “Martin Dreshaj” dhe ajo “Dukagjini” me këto aktivitete bënë që zëri për Malësinë e Madhe e për Kosovën Lindore jehoi edhe në Shkodrën e krenarisë .
Rrahman Jasharaj