Institucionet e Kosovës njihen me shqetësimet e shqiptarëve në Mal të Zi

Përfaqsuesit e Iniciativës Qytetare

Përfaqësuesit e Iniciativës Qytetare, Vasel Sinishtaj dhe Smail Çunmulaj, e njoftuan ministrin për Administrimin e Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Sadri Ferati, dhe këshilltarët politikë të Presidentit të Kosovës, dr. Naim Jerliu dhe dr. Ibrahim Berisha, lidhur me shqetësimin e tyre dhe të shqiptarëve në Mal të Zi me zgjidhjen që po përpiqet t’u ofrojë edhe më tutje pushteti në Mal të Zi lidhur me organizimin territorial, mandatet e garantuara të shqiptarëve si dhe mosrespektimin e të drejtave të garantuara me Kushtetutën e Malit të Zi.
“Gjatë këtij takimi zyrtarët e lartë kosovarë u njoftuan me gjendjen aktuale politike të shqiptarëve në Mal të Zi me theks të veçantë në statusin jo të pëlqyeshëm të shqiptarëve të Malësisë sipas Ligjit mbi Kryeqytetin gjegjësisht funksionimin e deritashëm të Komunës Urbane”, thuhet në kumtesën për opinion të Iniciativës Qytetare.
Ministri Ferati dhe dy këshilltarët politikë të Presidentit Sejdiu deklaruan se janë në dijeni për këto probleme dhe i falënderuan përfaqësuesit e Iniciativës Qytetare për informacionin lidhur me situatën politike dhe statusin e shqiptarëve në Mal të Zi, duke premtuar se për shqetësimet e tyre do të njoftojnë Presidentin dhe Kryeministrin e Kosovës.
Ata po ashtu i njoftuan përfaqësuesit e Iniciativës Qytetare me qëndrimet e tyre mbi shqiptarët në Mal të Zi e që sipas përfaqësuesve të Iniciativës Qytetare nuk dallojnë apo janë të përafërta me qëndrimet e tyre politike.
Gjatë qëndrimit në Kosovë Sinishtaj dhe Çunmulaj u takuan edhe me zëvendësministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale në Qeverinë e Kosovës, Gjergj Deda. /kohapress/

KOMENTOJE