Pa decentralizim të pushtetit nuk ka demokratizim të mirëfilltë

Kumtesë për Opinion e LDnëMZ mbi takimin me ambasadorin e Sllovakisë në Beograd, Igor Furdik

Në kuadër të aktiviteteve partiake ndërkombëtare, përfaqësuesit më të lartë të Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, kryetari dhe deputeti nga radha e kësaj partie në Kuvendin e Malit të Zi, z. Mehmet Bardhi dhe funksionari i lartë i saj, njëheri edhe kryetar i kuvendit të KU të Tuzit, z. Nikollë Camaj, biseduan me ambasadorin e Sllovakisë në Beograd, ekselencën e tij, z. Igor Furdik dhe me bashkëpunëtorët e tij.
Me këtë rast u shkëmbyen mendime për çështjet më aktuale në vend dhe rajon.
Kreu i LD i njoftoi bashkëbiseduesit sllovakë me rrjedhat aktuale në Kuvend dhe situatën e krijuar rreth veprimtarisë për nxjerrje të ligjeve të reja, të cilat edhe pse do të duhej të jenë në frymën e orientimeve të proklamuara proevropiane të Malit të Zi, në realitet ato paraqesin kontinuitet të politikës së centralizimit.
Duke e diskutuar këtë çështje u apostrofua se pa realizimin e decentralizimit të pushtetit, nuk mund të flitet për demokratizimin e mirëfilltë të shoqërisë, kurse kjo që po ndodh kohëve të fundit, si mospërmbushja e kërkesës për vetëqeverisje lokale në trevën e Malësisë, privatizimi, pastaj miratimi i Ligjit për kontrollin kufitar etj., dëshmojnë se pushteti aktual nuk ka vullnet politik për të ndryshuar gjendjen.
Bardhi dhe Camaj potencuan kontributin e Sllovakisë në pavarësimin e Malit të Zi dhe angazhimet e saj të deritashme në reformimin e shoqërisë malazeze drejt rrugës evropiane, por njëkohësisht edhe kërkuan nga bashkëbiseduesit sllovakë që edhe më tutje të kontribuojnë në evropeizimin dhe demokratizimin, në rend të parë, të elitës politike e cila po e udhëheq vendin tash 20 vite.
Duke veçuar çështjen e evropeizimit të Malit të Zi, bashkëbiseduesit vlerësuan se në arritjen e këtij qëllimi, Mali i Zi, respektivisht klasa politike e tij, duhet të përballet më energjikisht me dukuri dhe fenomene të cilat e pengojnë përparimin më të shpejtë në rrugën evropiane.
Ambasadori Furdik tha se Qeveria e tij gjithnjë do të përkrahë evropeizimin e Malit të Zi, por në mënyrë të qartë do të apostrofojë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe decentralizimin e pushtetit, si kushte të domosdoshme për realizimin e kësaj aspirate. Ai madje theksoi se decentralizimi i mirëfilltë mbetet një prej kërkesave te Bashkësisë Europiane edhe për Malin e Zi dhe se rezistenca ndaj kësaj kërkese vetëm mund t’i vonojë integrimet malazeze.
Z. Furdik, gjatë trajtimit të kësaj çështjeje solli disa elemente nga eksperiencat sllovake lidhur me përdorimin e gjuhëve të pakicave dhe me decentralizimin, duke potencuar faktin se 80% e buxhetit sllovak realizohet përmes pushtetit lokal.
Gjithësesi vend të posaçëm gjatë bisedimeve pati edhe qëndrimi i Sllovakisë në raport me njohjen e Kosovës, në lidhje me çka kreu i LD në MZ kërkoi që Sllovakia të ndërrojë qëndrim, pasi që procesi i integrimit të Kosovës, si shtet sovran, në rrjedhat euro-atlantike, është i pandalshëm.
Ambasadori Furdik tha se qëndrimi i Qeverisë së tij lidhur me Kosovën nuk ka ndryshuar dhe se ata nuk e kanë kontestuar pavarësimin e Kosovës, por vendimi është i prerë që të mos pranohet si shtet, derisa të mos ketë përfunduar procesi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë./kohapress/

KOMENTOJE