Serbia ka lobuar kundër Shqipërisë në PE

Diplomatët serbë kanë lobuar pranë Parlamentit Evropian kundër iniciativës për liberalizimin e shpejtë të vizave ndaj Shqipërisë dhe Bosnjës.

Eurodeputetja Sarah Ludford tregoi këtë lëvizje të diplomatëve serbë dhe i kërkoi llogari ministrit të Jashtëm, Vuk Jeremiq, në Komitetin e jashtëm Parlamentar.

“Ambasada juaj këtu në Bruksel, ka lobuar pranë eurodeputetëve kundër qëndrimit që Parlamenti Evropian po ndërmerrte e që ishte konfirmimi i menjëhershëm i perspektives së liberalizimit të vizave për 3 vende të Ballkanit përfshi Serbinë, por me synimin për të përfshire dhe Shqipërinë e Bosnjën në të, duke nënvizuar përmbushjen e kritereve, çfarë nuk u arrit. Mirëpo u zhgënjeva që ambasada juaj këtu po lobonte ndaj eurodeputeteve këtu kundër këtij qëndrimi”, akuzoi Ludford kryediplomatin e Beogradit.

Ndërsa Jeremiq ka reaguar menjëherë duke e hedhur poshtë këtë akuzë.

“Me gjithë respektin e duhur, automatikisht refuzoj të gjitha akuzat ndaj zyrtarëve serbë. Me fjalë të tjera që zyrtarët e ambasadës serbe në një mënyrë apo tjetër kanë punuar kundër liberalizimit të vizave ndaj Bosnje-Hercegovinës. Nëse doni qëndrimin zyrtar të qeverisë serbe, ne mendojmë se duhet të ketë regjim të lirë vizash që nesër”, tha Jeremiq. /tch/telegrafi/