Çka po na i verbon sytë e nuk po shohim realitetin z. Genc Nimanbegu ?

“Shpresoj që deri në fund të vitit do të vendosen marrëdhënie të plota diplomatike, sepse ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës nuk ka çështje të hapura”, është cituar të këtë thënë deputeti i Forcës së Re Demokratike, Genc Nimanbegu në një shkrim të botuar në “Kohapress” e të postuar edhe në malësia.org. Kjo deklaratë e tij është edhe në ballinën elektronike të “Koha javore”

Mos bre z. Nimanbegu se qe besa realiteti është ndryshe. Mes malit të Zi dhe Kosovës ka çështje të hapura. Ka, ka, vetëm nëse nuk është bërë ndonjë marrëveshje e fshehtë për t’i falë Kosova tokat shqiptare Malit të Zi në kompensim të vënies së marrëdhënieve diplomatike.
Z. Nimanbegu, Mali i Zi me vënie tabelash ka vjedhur 11 kilometra tokë shqiptare në Alpet tona te bjeshkët e Rugovës dhe 5 kilometra në brezin kufitar drejt Rozhajës. Jo shtetet, si është Kosova, por fiset , që jetojnë në vende larg civilizimit e pa organizim shtetëror, do të mbronin tokat e vjedhura, e nëse nuk do të kishin këtë mundësi bile nuk do të heshtnin e të pajtoheshin. Ka edhe çështje tjera të hapura mes Kosovës, Shqipërisë e Malit të Zi, por si duket liderët nuk duan t’i shohin. Malësisë po i mohohen gjithë të drejtat. Ajo u burgos, u torturua dhe i vihet në pikëpyetje dhe e drejta elementare për komunë të plotë që është e garantuar edhe me Kushtetutën e Malit të Zi ( shih nenin 113 , paragrafin 2 dhe nenin 9). çështje të hapura ka , po ani, po e mbyllim gojën ne njerëzit e thjeshtë për hir të një “ideali”, e mos qoftë ideal ky, për t’i hyrë në hatër Malit të Zi e të na lejohet të hapim një ambasadë në Podgoricë në të cilën do të punësohej ndonjë mik i Malit të Zi sepse dikë të tjerë Podgorica nuk lejon se kështu janë marrëveshjet ndërkombëtare.
Genci Nimanbeg është keq të jepen vlerësime nga kolltuku pa dalë fare në terren. Është keq të publikohen deklarata të tilla sa për të thënë se kam thënë diçka. Mbase unë e kam keq o Nimanbeg dhe , shpesh edhe më thonë njerëzit pse nuk po shikoj varfërinë time dhe shëndetin tim po po merrem me punë të mëdha e po ua zë rrugën liderëve në Kosovë, Shqipëri e Mal të Zi, por nuk po mund të hesht se Kosovën e kam atdhe dhe për të kam punuar bukur shumë. Kam punuar shumë më shumë se sa më kanë lejuar mundësitë. Nuk po mund të hesht as kur është në pyetje Malësia e Madhe sepse isha atje në kohë të katrahurave dhe gjithë ajo mikpritje vëllazërore më ka bërë të ndjehem borxhli dhe më ka bërë ta di për vendlindje të dytë Malësinë e Dedë Gjo Lulit. Nimanbeg e di, po ashtu, se gjithë këtyre angazhimeve të mija dhe shkrimeve publike në Kosovë e kudo tjetër ua kam parë mjaftë edhe sherrin. Po ani, nuk mund të hesht para vjedhjes në pikë të ditës të tokave shqiptare dhe para gjithë atyre padrejtësive që Mali i Zi po bën ndaj vendlindjes sime të dytë dhe vëllezërve të mi në Malësinë e Madhe
. Genci , e di , fjala ime, sa do e saktë qoftë, më pak zë vend e ka jehonë, se unë jam një mësimdhënës i varfër i Kosovës dhe një zëdhënës vullnetar i Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë- Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”.Por do të vazhdojë ta plasojë fjalën e vërtetë. Koha po ik , por ajo do ta thotë kush e sa e ka mirë.
Rrahman Jasharaj

KOMENTOJE