Qirinjtë e festave le t’ia hapin sytë Evropës

Shoqata “ Martin Dreshaj” organizoi protestë artistike në përkrahje të trojeve etnike

Shoqata e Vëllazërisë Kosovë- Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” të enjten më 24 dhjetor , në orën 13 e 30 minuta , në qendër të qytetit të Pejës ka organizuar protestën artistike me moton “Qirinjtë e festave le t’ia hapin sytë Evropës”.
Qytetarët e shumtë janë bërë pjesë e kësaj proteste duke ndezur qirinj me lutjen që në trojet etnike të ketë paqe dhe jetë të lumtur për vëllezërit tonë.
“Kemi bërë shumë aktivitete, kemi dërguar shumë e shumë ankesa, deklarata e kundërshtime në mijëra adresa për të sensibilizuar opinionin për gjendjen shumë të rëndë në Malësi. Ne vazhdojmë të jemi zëri i Malësisë dhe për Malësinë. Evropa vazhdon të mbetet për dikë nënë e për dikë njerkë. Për shqiptarët është njerkë pa marrë parasysh se ku jetojnë ata”, ka thënë para qytetarëve të Pejës, kryetari i Shoqatës, Ukshin Jashari, i cili pastaj ka ndezur qirinj mbi hartën e Kosovës.

“Protesta e organizuar nga Shoqata e Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” ishte një reagim paqësor për të sensibilizuar opinion vendor , EULEX-in dhe qarqet evropiane se qirinjtë e festës nuk ndizen në mijëra shtëpi shqiptare në Kosovë, Malësi e në Kosovën Lindore dhe se në vend të këtyre qirinjve dhe ushqimeve festive loti e dhembja do të zënë vend në dhomat e ftohta shqiptare sepse
– Ata nuk u kthyen as të gjallë e as të vdekur edhe pas kaq vjetësh,
– Shumë nëna , motra e fëmijë i kalojnë festat me lot e dhembje për më të dashurit e tyre që janë tretur në tokën e pushtuesit dhe nuk ua kthejnë as eshtrat që t’u pushojnë në tokën e vendlindjes,
– Qirinjtë e festave nuk ndizen as në shumë familje të Malësisë së Madhe sepse atje pushteti malazez me dhunë e kërcënime ka vrarë buzëqeshjen në fytyrat e fëmijëve dhe po mbjell frikë e trishtim me qëllim që ato troje shqiptare të zbrazen ,
– Festat kanë humbur kuptimin edhe për shumë familje shqiptare në Medvegjë, Bujanovc e kudo në Kosovën Lindore. Këngën e vallen e festave atje e zëvendëson loti dhe ankthi i nënave për djemtë e burgosur vetëm pse ishin shqiptar”, ka treguar sekretari i Shoqatës Frashër Rraci.
“Nuk i dua as unë dhuratat për festat e këtij fundviti sepse e di se në shumë familje në Malësi e në Kosovën Lindore nuk ka këngë e hare, po lot e vajtime për djemtë që pushtuesit i mbajnë në burgje vetëm pse janë shqiptar”, ka thënë për malësia.org , Qëndrim Jasharaj, i cili pastaj bashkë me Shpejtimin, Blerinën e Fatjetën kanë ndezur qirinj në hartën e improvizuar të Kosovës.

“Shpresën për ditë më të mira nuk e lënë të marr udhë drejt Malësisë e Kosovës Lindore pushtetet antishqiptare në Mal të Zi e Serbi, të cilat në vend që të ndëshkoheshin për krimet e padrejtësitë, ato po shpërblehen me liberalizim vizash . Kështu Evropa ka mundësuar që vrasësit të shëtisin lirshëm nëpër Evropë e viktimat të mbyllën në GETO. Prandaj Shoqata jonë bën këtë protestë artistike dhe ndez qirinj , jo për t’i kremtuar festat, po me qëllimin që QIRINJTË E FESTAVE T’IA HAPIN SYTË EVROPËS “, u është drejtuar mediave dhe qytetarëve të shumtë të Pejës , zëdhënësi i Shoqatës dhe koordinatori për trojet etnike, Rrahman Jasharaj.
Kjo protestë ishte edhe një zë i ngritur në mbrojtje të të drejtave të nëpërkëmbura të vëllezërve tonë në Malësinë e madhe e në Kosovën Lindore. Ajo është përcjellë me respekt e simpati nga shumë qytetarë në qendrën e qytetit të Pejës dhe nga mediat elektronike e të shkruara të Kosovës.

Rrahman Jasharaj

KOMENTOJE