Kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka deklaruar të premten se vendi i tij nuk duhet të presë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën, për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Prishtinën.
Në një konferencë për gazetarë, siç transmeton Politika, Gjukanoviq ka bërë të ditur se Mali i Zi ende nuk ka caktuar datën konkrete për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën, por ka thënë se nuk duhet hezituar në këtë drejtim.
Kryeministri malazez është shprehur se nuk duhet ngurruar dhe nuk duhet qëndruar pas alibisë të pritjes së vendimit GJND-së, duke qenë se, sipas tij, Gjykata në Hagë nuk do të japë ndonjë negacion eksplicit të politikës së përgjithshme ndërkombëtare në raport me çështjen e Kosovës, madje i ka quajtur iluzion mendimet e tilla.
Gjukanoviq ka thënë se duhet vendosur marrëdhëniet diplomatike dhe të shkëmbehen ambasadorët, pasi që kjo do të sjellë vendosjen e raporteve kualitative në regjion, do t’i kontribuojë stabilitetit dhe krijimit të perspektivës evropiane.
Më herët, presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, tha se shteti i tij do të respektojë vendimin e GJND-së “nëse do të përmbajë rekomandim dhe qëndrim plotësisht të qartë”. /Telegrafi/