Republika Islamike e Mauritanisë njohu Republikën e Kosovës, duke u bërë kështu shteti i 65 që ndërmerr këtë hap. Lajmi është bërë i ditur nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju Jork, që kishte marrë një notë verbale nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Bashkëpunimit e Republikës Islamike të Mauritanisë, dërguar Prishtinës zyrtare.
Në deklartën e njohjes, drejtuar konkretisht ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni thuhet se Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Bashkëpunimit të Mauritanisë ka njohur Kosovën shtet të pavarur dhe sovran dhe ka marrë vendim që të themelojë marrëdhëniet diplomatike në nivel ambasadorësh.
Ky vend është i bindur se vendimi në fjalë do të hapë mundësi të mëdha të zhvillimit të marrëdhënieve mes dy vendeve në të gjitha fushat. Republika Islamike e Mauritanisë gjendet në Afrikën Veriperëndimore, kufizuar me Oqeanin Atlantik, Senegalin, Malin, Algjerinë dhe Marokun. /News24/