Futbollisti i Kombëtarës Shqiptare, Lorik Cana 10 mijë euro për familjet e përmbytura

Cana, 10 mijë euro për familjet e përmbytura
TIRANE- Ashtu siç bëri për çështjen e Gërdecit, mesfushori i kombëtares shqiptare Lorik Cana ka dhënë 10 mijë euro nga të ardhurat e tij për familjet e përmbytura në Shkodër. Në një deklaratë për mediat të bërë ditën e mërkurë, kapiteni i Sandërlendit në Angli, është shprehur tepër i shqetësuar me situatën aktuale në Shkodër, ku janë përmbytur mbi 10 mijë hektarë tokë dhe mbi 2 mijë shtëpi. Që nga Portugalia, ku është bashkë me ekipin e tij, kosovari, duke shfrytëzuar edhe imazhin e tij popullor, u ka bërë thirrje të gjithëve për sensibilizim. “Me shqetësimin më të madh po e ndjek situatën në veri të vendit, e cila si pasojë reshjeve dhe prurjeve të shumta ka shkaktuar përmbytje të sipërfaqeve të mëdha teritoresh, – shkruan Cana në deklaratën e tij për mediat shqiptare. – Duke i ndjerë në vehte këto pasoja, në shenjë solidarizimi me banorët e këtyre teritoreve të përmbytura, dhuroj shumën prej 10,000 euro, me destinacion për ndihmë të familjeve të këtij rajoni. Me këtë rast inkurajoj të gjitha përpjekjet që shteti shqiptar, individë, organizatat dhe vendet mike të cilët po bëjnë të pamundurën për t’ju gjetur sa më afër popullatës së këtyre zonave të prekura nga kjo tragjedi. Në këtë drejtim, shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje të gjithë atyre që kanë sado pak mundësi të ndihmojnë dhe tu gjenden në c’do formë pranë familjeve të përmbytura duke i ndihmuar ata, për ta kapërcyer këtë situatë”, përfundon deklarata e futbollistit të ekipit kombëtar. Përveçse lojtari më i njohur shqiptar, Lorik Cana është gjithashtu ambasador i OKB-së në vendet e varfra. Ai është përfshirë shpesh në iniciativa bamirësie, sidomos në raste fatkeqësish. Bamirësia e Canës nuk mungoi as në rastin e tragjedisë së Gërdecit rreth 2 vjet më parë. Ndërkohë, pak ditë më parë Federata e Futbollit ka akorduar shumën e 5 milionë lekëve të reja për familjet e përmbytura në Shkodër. Ndërkohë, edhe paratë e biletave të nxjerra nga ndeshja Gramozi-Real Madrid, e organizuar nga “Taçi Oil”, do të shkojnë për këto familje. /BalkanWeb/