Maqedoni, shkollat shqiptare bojkotojne gjuhen maqedonishte

Nxënësit shqiptarë bojkotojnë maqedonishten
Fëmijët shqiptarë të klasës së parë deri në të tretën të mërkurën nuk filluan me mësim të gjuhës maqedonase ashtu siç kishte vendosur ministri i Arsimit Nikolla Todorov. Maqedonishtja si lëndë akoma nuk ishte vënë në oraret e mësuesve të klasës.

Nga komuna e Çairit të cilët ditë më parë dhanë urdhër të mos zbatohet vendimi i Todorovit thonë se i njëjti është në kundërshtim me ligjin që parashikon mësimin e maqedonishtes nga klasa e katërt si dhe nuk figuron në programet e arsimit deri në vitin 2015.

Nga shkolla fillore e Sarajit thonë se Këshilli i prindërve ka vendosur të mos zbatohet vendimi. Në Tetovë prindërit kanë vendosur nëpërmjet një peticioni që fëmijët e tyre mos të mësojnë maqedonishten. Bojkoti i tyre do të vazhdojë deri në zgjidhjen e çështjes.

Ministri Todorov është shprehur se do të tentojë që bashkë me drejtorët e shkollave, kryetarët e komunave të zbatojë këtë masë në mënyrë të qetë që nuk do të shkaktojë ndarje në shoqëri.

“Vendimi i ministrit të Arsimit për mësimin e maqedonishtes prej klasës së parë nuk zbatohet sepse ai është anakronik, është irracional dhe nuk përkon me ligjet aktuale dhe programet e punës”, tha Shefqet Zekolli, udhëheqës i sektorit të Arsimit në Komunën e Çairit.

Në Tetovë prindërit nëpërmjet një peticioni i kanë thënë jo maqedonishtes. “Nga ana e Këshillit të prindërve ka vendim që gjuha maqedonase prej klasës së parë në atë formë që është dhënë të mos zbatohet. Ky është vendimi i marrë, dhe nuk është zbatuar maqedonishtja deri më tash”, tha Zejko Abazi, drejtor i Shkollës fillore “Dituria” në Saraj.

“Duke filluar nga klasa e katërt lirisht prindërit shqiptarë pajtohen që ajo të vazhdojë për shkak se fëmijët shqiptarë jo ngarkohen, por stërngarkohen”, theksoi Benezar Shabani, drejtor i Shkollës fillore “Istikball” në Tetovë.

“Jo se jemi kundër gjuhës maqedonase, ne flasim, bisedojmë, jemi këtu bashkë, ne do ti mësojmë por do të varet nga prindërit se sa ata do të jenë të interesuar për të mësuar nxënësit pasi që rëndohet truri i fëmijëve”, u shpreh Samije Alili, arsimtare në Shkollën fillore “Liria” në Tetovë. /alsat-m/

KOMENTOJE