Takimi i zhvilluar të mërkurën mbrëma në stadiumin “Qemal Stafa”, përfundoi me fitoren e Los Merengues, me rezultat 2-1.
Edhe pse Mbretërit e filluan ndeshjen me emra të tillë në sulm, si Kaka, Ronaldo e Raul, megjithatë ishin vendasit ata që krijuan avantazh me anë të Daniel Xhafës (3’).
Pas një krosimi të Ronaldos, braziliani Kaka shënoi me kokë në portën e Gramozit (35’) duke barazuar rezultatin, dhe me shifrat 1-1 përfundoi pjesa e parë.
Pa filluar pjesa e dytë, ndeshja me vlerën 2.5 milionë euro përjetoi një incident, pasi që në stadiumin “Qemal Stafa” u fikën dritat, ashtu që lojtarët është dashur të presin derisa një grup ekspertësh punonte për të kthyer energjinë.
Madje në një moment u raportua se është anuluar ndeshja, mirëpo pas më shumë se një orë e gjysmë mungese energjie, rifilloi takimi.
Në fraksionin e dytë të lojës, Los Blancos zhvilluan lojë më bindëse dhe kështu arritën deri te goli i fitores.
Dhjetë minuta pa përfunduar koha e rregullt e takimit, Karim Benzema realizoi golin e dytë të mysafirëve pas një krosimi të Gutit, dhe ky rezultoi të ishte goli i fitores. /Telegrafi/