Vujanovic nuk dekreton emërimin e ambasadorit në Prishtinë

Presidenti malazez, Filip Vujanovic ka përsëritur qëndrimin se nuk do të nënshkruajë dekretin për emërimin e ambasadorit të Malit të Zi në Prishtinë derisa të mos njihet minoriteti malazez në Kosovë.

Në një intervistë për TV e Malit të Zi, Vujanovic ka vlerësuar se është e “pashembullt” që në Kosovë malazezët nuk janë njohur me kushtetutë si minoritet dhe se kjo është “nënçmuese” për ta dhe për Malin e Zi.

Ndërkaq reagimin e Beogradit ndaj vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të Podgoricës me Prishtinën, Vujanovic e ka quajtur “emotiv”. Sipas fjalëve të tij, Serbia nuk duhet të jetë tepër e zëshme as rreptë në shprehjen e disa vendimeve të saj, ndërsa Mali i Zi nuk duhet të përjetojë negativisht atë reagim.

Presidenti malazez deklaratën e patrikut serb Irinej, se malazezët dhe serbët janë një popull e ka cilësuar negacion të popullit malazez dhe se kjo deklaratë është e “papritur dhe e pazakontë” nga një dikush prej të cilit “priten mesazhe të mira dhe të buta”. /qik/

KOMENTOJE