Kishin 5 deputetë. Kodi i ri Zgjedhor u heq përfaqësimin si njësi zgjedhore e posaçme
Shqiptarët e Malit të Zi rrezikojnë të humbin njësinë e posaçme zgjedhore që u jep numrin e 5 deputetëve në Parlamentin e Republikës. Një komision parlamentar prej kohësh po diskuton ligjin e ri zgjedhor, i cili heq njësinë zgjedhore speciale dhe vendos një kufi prej 3 përqindësh, që i duhet një partie për të marrë deputetë. Kështu, shqiptarët rrezikojnë seriozisht të mos përfaqësohen në Parlament. Dje ka vizituar Shqipërinë Kryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Ranko Krivokapiq, i cili është takuar me homologen e tij shqiptare, Jozefina Topalli, Kryeministrin Berisha dhe shefin e diplomacisë, Meta. Në këto takime, sipas njoftimeve zyrtare nuk është ngritur çështja e përfaqësimit të shqiptarëve të Malit të Zi në Parlament, ndërkohë që në referendumin e pavarësisë, më 21 maj të vitit 2006, vota e shqiptarëve ka qenë determinuese për të arritur shkëputjen nga Unioni me Serbinë. Kreu i komisionit parlamentar për reformën zgjedhore në Mal të Zi, Miodrag Vukoviq, i cili është përfaqësues i Partisë Demokratike të Socialistëve në pushtet, deklaroi se “Mali i Zi do të jetë një njësi zgjedhore, pa mandate të garantuara, për çka kanë insistuar shqiptarët, dhe në Parlament do të mund të hyjnë komunitetet që e kalojnë kushtin e karakterit qytetar prej 3 për qind”. Shqiptarët, si popull autokton, pra në trojet e veta në Mal të Zi, në vitin 1997 arritën të bindin udhëheqësinë e Malit të Zi, se shqiptarët, për ndryshim nga pakicat e tjera, janë specifikë dhe e vetmja pakicë josllave pa asnjë element të përbashkët me ta, se kanë prejardhje ilire, histori të veçantë, zakonet e veta, kulturën e vet etj., si dhe gjuhën e veçantë, e cila dallon nga gjuhët e tjera, siç janë boshnjakishtja, kroatishtja etj., të cilat janë të njëjta apo me dallim të vogël me gjuhën serbe- malazeze. Viti 1997 ishte vit i cili bëri kthesë në politikën e re malazeze, vit kur u nda partia në pushtet (e cila ishte kryekëput promillosheviçiane) në dy pjesë. Një pjesë mbeti në rrugën e diktatorit të Ballkanit, me udhëheqës Momir Bullatoviq, dhe pjesa tjetër që përcaktohet për demokratizimin e Malit të Zi, me Milo Gjukanoviqin në krye. Në këtë vit është hartuar edhe ligji zgjedhor që u dha shqiptarëve përfaqësimin e përcaktuar. Ish-deputeti i asaj kohe, Met Gjoni, sot diplomat në ambasadën e Malit të Zi në Tiranë, tregon për “Shqip” negociatat e atyre viteve. “Dy partitë shqiptarë u morën vesh që të kërkojnë njësinë e veçantë të shqiptarëve, e cila do të jepte 4 ose ndoshta edhe 5 deputetë. U kundërshtua nga z.Maroviq, asohere kryetar i Parlamentit, por edhe na nuk lëshuam pe. Madje z.Maroviq m’u drejtua: z. Gjoni, nuk mendon se katër deputetë shqiptarë janë mjaft? Iu përgjigja se numri i deputetëve do të përcaktohet më vonë, kur të bëhet numërimi i të gjitha trevave me shumicë shqiptare. Me regjistrimin e zgjedhësve në trevat shqiptare në Mal të Zi u fitua edhe deputeti i pestë”. Ndërkaq, miratimi i kodit të ri ende ka mbetur në strukturat e Parlamentit, por deri tani nuk ka pasur asnjë ngritje zëri nga Tirana zyrtare për këtë çështje.
Gazeta Shqip