Shpërthim në Bujanoc, plagoset një polic shqiptar

Bujanoc, 14 shkurt – Sonte (të dielën) rreth orës 21 në Bujanoc shpërtheu një mjet eksplozivi, i vendosur nën automjetin e pjesëtarit të policisë multientike Blerim Mustafa, i cili është plagosur rëndë, ndërsa plagë ka marrë edhe bashkëshortja e tij që gjendej në automjet, njoftoi agjencia FoNet mbështetur në burimet policore.
Shpërthimi ndodhi në automjetin tip Peugeot 205, disa qindra metra larg ndërtesës së Kuvendit Komunal, në fillim të rrugës Kosova, ku jetojnë shqiptarët. Detonimi u dëgjua edhe në pjesët e tjera të Bujanocit.
Sipas policisë, Blerim Mustafa para pak kohësh ishte transferuar nga Bujanoci në vendkalimin kufitar të Preshevës.
Ndaj familjes së vëllait të tij, Besimit, persona të panjohur kishin hapur zjarr në vitin 2001, në kohën kur Besimi vijonte shkollën për polici multietnike. Sipas disa banorëve të kësaj pjese të qytetit, “Blerimi edhe deri tashti ka qenë disa herë në shënjestër të sulmeve dhe ka marrë kërcënime nga disa bashkëkombës të vet shqiptarë, të cilëve nuk u ka pëlqyer angazhimi i tij në polici”. /Koha Ditore/