Shqiptarët e Luginës festuan Ditën e Pavarësisë së Kosovës

Luginë e Preshevës, 17 shkurt – Edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës me manifestime të ndryshme kanë shënuar 17 Shkurtin – Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Janë mbajtur një sërë aktivitetesh kulturore, në shtëpinë e kulturës “Abdulla Krashnica “, në Preshevë. Sipas programit të shtëpisë së kulturës dhe të Ndërmarrjes Informative Publike “Presheva”, në këtë manifestim, fillimisht është bërë intonimi i himnit kombëtar, e më pas janë nderuar dëshmorët e kombit, me një minutë heshtjeje, për të vazhduar pastaj me shfaqjen e recitalit me titullin: “ Një ditë që na bashkon”.
Në këtë manifestim është mbajtur edhe një akademi solemne, ku para të pranishmëve të shumtë që kishin ardhur nga i gjithë rajoni i Luginës së Preshevës, u paraqitën përfaqësuesit e pushtetit lokalë dhe të partive politike, si prefekti i Preshevës, Ragmi Mustafa, që është edhe kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare, dhe përfaqësuesit e shoqatës së historianëve të Luginës së Preshevës, ku u fol për rëndësinë e pavarësisë së
Republikës së Kosovës dhe përpjekjet e popullit shqiptar në përgjithësi
për fitimin e lirisë shumë të kërkuar dhe për sakrificat e popullit shqiptar që është sakrifikuar. Në këtë manifestim u shfaqën edhe programe të ndryshme artistike, të paraprirë nga një recital kushtuar komandantit legjendar Adem Jasharit, të përgatitur nga aktorët preshevarë, Gani Veseli dhe Artan Ibishi, si dhe më pas, u shfaqen edhe programe të tjera kulturore e artistike të shoqëruar me pika muzikore të karakterit kombëtar nga shoqëria kulturore “Rexho Mulliqi”, të qytetit të Preshevës.
Manifestime të shumta ka patur edhe në komunën e Bujanocit, ku të rinjtë shqiptarë janë grumbulluar për të festuar 17 Shkurtin – Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve të Luginës sot po qëndrojnë në Kosovë për ta festuar këtë datë historike të Pavarësisë së Kosovës. /Koha Ditore/

Për nderë të dy vjetorit të Pavarësisë së Kosovës pati aktivitete të shumta në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe Preshevë (qytet brënda kufijve të Sërbise) por nuk dihet asnjë aktivitet në trojet shqiptare në Mal të Zi.