Në seancën e nëntorit të vitit 2009, Kuvendi i Komunës urbane të Tuzit, aprovoi një Iniciativë me të cilën kërkohet nga Kryebashkiaku që të ndërmarrë masa për zbatimin e kushtetutshmërisë për respektim të dygjuhësisë, në domenin e shkrimit të toponimeve edhe në gjuhën shqipe, në territorin e Malësisë, materie kjo që rregullohet edhe me Ligjin për emërtimet e vendbanimeve, me Ligjin për të drejtat e pakicave, por edhe me Vendimin e Kuvendit të Kryeqytetit.
Me këtë Iniciativë, përpos shkrimit të toponimeve edhe në gjuhën shqipe, kërkohet edhe përmirësimi i disa toponimeve që kanë emërtime të gabuara ose që nuk mund të përkthehen, siç janë fshatrat Vuksanlekaj dhe Lekaj, që në gjuhën sllave emërohen si Vuksanlekiqi dhe Lekoviqi. Përkthimet e tilla janë identike me sllavizimin e mbiemrave tonë, andaj duhet hequr dorë nga kjo praktikë që i ka të gjitha atributet e një politike asimiluese. Po ashtu, kërkohet që të zbatohet vendimi për vendosjen e këtyre emërtimeve, pra në të dy gjuhet, në tabelat përkatëse, gjë që ishte obligim ligjor, por deri më sot nuk është realizuar.
Ndërkohë, kryebashkiakut Mugosha përgjigjet në Iniciativën në fjalë, por edhe ajo është në frymën e praktikës së deritashme të qeverisë malazeze, kur janë në pyetje të drejtat e shqiptarëve. Në përgjigje shkruan se zbatimi i Kushtetutës dhe i Ligjeve e vendimeve që rregullojnë këtë materie është në proces dhe se një gjë e tillë do të rregullohet edhe më mirë me miratimin e Ligjit të ri mbi vetëqeverisjen lokale, por harron z. Mugosha se ky Ligj nuk e trajton këtë materie fare, çka edhe më tepër dëshmon për sjelljet hileqare dhe mospërfillëse të Podgoricës ndaj Malësisë. Pra, edhe kjo është vetëm një tentativë për të zvarritur realizimin e kësaj të drejte, por njëkohësisht edhe një dëshmi më tepër, se këto çështje nuk duhet t’ia lëmë dikujt tjetër në dorë, përpos popullatës autoktone, pasi që kjo e drejtë mund të realizohet vetëm në kushtet e një administrate të plotë lokale.
Në fund të themi se Iniciativa ishte e propozuar nga këshilltarët e Lidhjes demokratike dhe u aprovua njëzëri nga të gjithë këshilltarët prezent të kësaj seance.