Sllavët haptazi e fshehurazi bashkë, shqiptarët pikë e pesë

Ngjyrimet festive për dy vjetorin e pavarësisë së Kosovës kaluan. Ky vend i molisur nga varfëria iu kthye prapë realitetit e ai është bukur i hidhur. Probleme në Veri me kriminelët serbë, probleme në enklavat serbe .Probleme e bërryla e ofendime mes liderëve e partive shqiptare. Kjo përplasje dhe bërja pikë e pesë e liderëve e partive në Kosovë ua ka krijuar një hapësirë të gjerë elementeve kriminele serbe në Veri e kudo tjetër për t’i vënë në veprim planet e tyre kundër shtetit më të ri. EULEX-i shikon e bën sehir dhe nuk i pengon fare. Ata sikur kanë ardhur në Kosovë për të marrë paga të majme e për të mbajtur nën kontroll gjithë njerëzit që mendojnë kombëtarisht. Ata, në vend që të merren me kriminelët dhe t’i vënë para drejtësisë, në vend që t’u ndihmojnë institucioneve të Kosovës për ecur më shpejt në realizimin e premtimeve, që kanë dhënë në fushata zgjedhore, vazhdon të bëj punën keq e mbrapsht mu sikur UNMIK-u. EULEX-i i zë frymën demokracisë dhe merret ,pa të drejt me Albin Kurtin. Merret me të për t’u treguar gjithë atyre që mendojnë me kokën e tyre se do të kenë telashe dhe i pret gjyqi e burgu. Policët rumunë, këtë e di krejt bota dhe e ka pranuar e ka kërkuar falje edhe UNMIK-u, vranë njerëz të pafajshëm dhe asgjë. Ata u kthyen në Rumani për të ardhur kolegët e tyre po nga ai shtet, këtu në Kosovë edhe pse ata për hir të Serbisë nuk duan ta pranojnë shtetësinë e Kosovës. Kjo ndodh vetëm te ne se në vendet tjera pyeten institucionet vendore se kush e prej nga mund të shkojë në misione të caktuara, policore a ushtarake .

Probleme e bërryla edhe në Shqipëri dhe prapë , jo për atdheun, por për kutitë dhe karriget. Më mirë nuk është gjendja mes liderëve e partive shqiptare as në Maqedoni , as në Malësi e gjetiu në trojet shqiptare. Kudo përplasje e bërryla. Shqiptarët janë bërë pikë e pesë dhe sikur bëjnë gara liderët se kush po hedh baltë e gurë me shumë në njëri-tjetrin. Ata nuk po shohin a thua se si sllavët haptazi e fshehurazi, në Serbi, Maqedoni a Mal të Zi, rrinë bashkë dhe i ndihmojnë njëri-tjetrit për të krijuar plane të reja kundër shqiptarëve. Sllavët në Maqedoni duan ta kthejnë kohën e mesjetës dhe punojnë në qetësi kundër çdo gjëje shqiptare. Atje e liderët shqiptarë kacafyten , jo me pushtetin antishqiptar sllavo-maqedonas, po me mes veti dhe nuk e kërkojnë fajtorin atje ku është- në ideologjinë e mykur sllave kundër shqiptarëve, po ia nxjerrin sytë shoku-shokut me akuza dhe bëjnë kështu gara se kush po duket më “atdhetarë” në opinion. Deri sa shqiptarët humbin kohën duke u përplasur lideri me liderin tjetër e partia me partinë, sllavët e Maqedonisë përmes aparatit shtetëror vënë në jetë njërin pas tjetrit plane kundër çdo gjëje shqiptare dhe po arrijnë sepse s’ka kush t’i pengojë e ndalojë se shqiptarët janë bërë pikë e pesë.
Probleme, ofendime e bërryla edhe mes liderëve,individëve e partive në trojet shqiptare të administruara nga Mali i Zi. Ky shtet ua mohoi shumë nga të drejtat elementare shqiptarëve atje e tani, pasi konsideron se nuk i duhen më asgjë, do t’i heq e shlyej edhe nga organet shtetërore e parlamenti. Liderët shqiptarë e individët në pushtet atje nuk ulen kokë me kokë e të bashkëveprojnë në mbrojtjen e të drejtave legjitime po fjalosen e ofendohen publikisht dhe malazezët kënaqen e trashen .

Shqiptarët kudo janë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni , Malësi, Kosovë Lindore e në trojet tjera shqiptare duhet ta kuptojnë se nacionalizmi sllav nuk ka vdekur, po në të kundërtën po e ngrit kokën dhe me gjithë aftësitë e mundësitë po punon kundër çdo shqiptare. Ky nacionalizëm i sëmurë do të arrijë suksese nëse liderët e partitë shqiptare do të vazhdojnë të jenë pikë e pesë. Duhet unifikuar faktorët shqiptarë e bashkë me ta edhe populli kudo është . Duhet lënë bërrylat , përçarjet e ofendimet dhe duhet krijuar një strategji kundërshtimi ndaj veprimeve antishqiptare të nacionalizmit sllav. Duhet unifikim e bashkim idesh , jo për të krijuar atmosferë nxitëse ndaj të tjerëve , por për t’u mbrojtur me mençuri nga tekat e hijeve të zeza sllave. Koka të ndritura shqiptare ka kudo në trojet etnike e në të dy shtetet shqiptare. Koka të mençura e zemra atdhetare ka edhe kudo në SHBA e diasporë, por ato duhet bashkuar dikush në një tryezë e në një sofër për të menduar e vepruar bashkë në mbrojtjen e të drejtave të garantuara të vëllezërve tonë kudo u cenohen ato. Dhembshëm tingëllon kënga e keqazi hidhet vallja në festa të një trualli, kur liria e drejtësia nuk u takon gjithë shqiptarëve. Malësorët janë dëshmuar mijëra herë dhe u janë përgjigjur pa reshtur zërit të vëllezërve të tyre në rrezik. Për hir të tyre, për hir të Kosovës Lindore e trojeve tjera, liderët e partitë shqiptare me gjithë intelektualët duhet ta shikojnë njëri-tjetrin në sy e të bisedojnë si vëllai me vëllain dhe ta marrin kombin, të tërin e kudo është, në mbrojtje. Nëse nuk ndodh kjo, po vazhdohet me bërrylat e ndarjet, atëherë nacionalizmi antishqiptar sllav do ta kryej misionin e ri e humbësit e vetëm do të jenë shqiptarët. Kurse historia do t’i gjykojë liderët e partitë e tanishme, por edhe intelektualët dhe njerëzit, që mundin e dinë,por që nuk po bëjnë asgjë për unifikimin e kombit. Të veprohet tani e shpejt se gjuha, kultura e tradita janë në rrezik, jo vetëm nga nacionalizmi sllav, por edhe nga disa “intelektualë” të çmendur shqiptarë, që po mundohen të krijojnë gjuhë e komb të ri në Kosovë duke u munduar të zhdukin çdo gjë që na lidh me trungun dhe me atdheun e lashtë shqiptarë, që ishte dhe po mbetet i ndarë e i coptuar.

Rrahman Jasharaj

KOMENTOJE